E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han mendon të rikonstruktojë mbrojtjen

Revolucioni i Ari Han në Kombëtaren shqiptare do të fillojë nga mbrojtja. Ndonëse trajneri holandez nuk ka bërë ende të qarta planet e tij, duket qartë se i intereson shumë të krijojë një ide sa më të qartë për lojtarët që mund të aktivizojë në prapavijë, sidomos në qendër të mbrojtjes. Një ide më të qartë ai e ka përshkruar para futbollistëve shqiptarë që luajnë në Ukrainë, në një takim që ka pasur me këta të fundit pas ndeshjes Vorskla-Krivbas. Mbrojtësi Armend Dallku ka treguar për "Shqip" për atë çfarë është diskutuar gjatë këtij takimi, si dhe për informacionet që ka kërkuar Han nga futbollistët.

"Pas ndeshjes, u takuam me trajnerin e përfaqësueses dhe asistentin e tij, të cilët na përgëzuan për fitoren ndaj ekipit tjetër ‘shqiptar‘ të Ukrainës. Han na tha se kishte njohuri të mjaftueshme për mua dhe Currin, pasi kemi një numër të konsiderueshëm ndeshjesh me Kombëtaren. Më pas ai pyeti edhe Bulkun dhe Bylykbashin, rreth paraqitjeve të tyre dhe ndeshjeve që kishin luajtur në Kombëtare, si dhe pozicionet në të cilat aktivizoheshin më shpesh në kampionat", tregoi Dallku. Mbrojtësi ka bërë të qartë se Han ishte i interesuar kryesisht në repartin e mbrojtjes, ndërsa ka pyetur lojtarët rreth skemave të ndryshme dhe përshtatjes me ta. "Mua dhe Currit na pyeti nëse kishim luajtur më parë në një mbrojtje me 3 lojtarë dhe kush prej nesh mund të luante në qendër. I shpjeguam që Curri kishte luajtur në një pozicion të tillë gjatë edicionit të fundit me Kombëtaren, ndonëse nuk është një qendërmbrojtës i mirëfilltë. I shpjeguam se në këtë pozicion në Kombëtare kanë luajtur më shpesh Nevil Dede dhe Elvin Beqiri, ndonëse rreshtimin me 3 lojtarë në prapavijë nuk e kemi provuar më që pas largimit të trajnerit Brigel", vijoi Dallku.

Han duket se nuk ishte në dijeni të plotë rreth ngjarjeve të fundit në vendin tonë, në lidhje me konfliktin që FSHF ka me MTKRS-në. Kanë qenë futbollistët shqiptarë ata që e kanë informuar për ngjarjet dhe për faktin që Polonia ka lënë në fuqi vendimin për të luajtur miqësoren me Shqipërinë në maj. Gjithsesi, trajneri ka bërë të qartë se më datë 20 maj i priste dy futbollistët e Vorsklas në grumbullimin që do të zhvillohet në Gjermani. "I treguam se situata ka ndryshuar gjatë ditëve të fundit dhe se tani MTKRS është gati të firmosë statutin për të hequr pezullimin e Shqipërisë. Trajneri Han na tregoi se do të merrnim pjesë në grumbullimin që fillonte më 20 maj në Gjermani, pavarësisht faktit nëse do të zhvillohej miqësorja me Poloninë apo jo. Ai bëri të ditur se gjatë këtyre ditëve mund të zhvillonim edhe miqësore të tjera me klube, ndërsa do të provoheshin edhe skema të ndryshme", tregoi Dallku rreth takimit të parë me trajnerin e ri të përfaqësueses shqiptare. Dallku, Curri, Bulku dhe Hidi pritet të jenë pjesë e Kombëtares në grumbullimin e muajit maj në Gjermani, ndërsa mbetet për t‘u mësuar nëse edhe Dorian Bylykbashi do të përfitojë një ftesë nga trajneri holandez.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›