E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dani “ik nga diaspora”

Ramadan Krasniqi – Dani ka realizuar një këngë të re me titull “Ik nga diaspora”. Dani në një intervistë për Klan Kosova ka thënë se kësaj kënge ia ka realizuar edhe spotin, ndërkaq këtë javë pritet të ketë natën e tij edhe në festivalin “Këngët e shekullit”. Nga Express më 11 shkurt 2011 në ora 13:30

Këngëtari pejan Ramadan Krasniqi - Dani ka realizuar këngën e tij më të re “Ik nga diaspora”, klipin e së cilës e ka promovuar në emisionin e mëngjesit “Ora 7” në Klan Kosova.

Në një intervistë të dhënë për këtë televizion, Dani ka thënë se ai e ka bërë në këtë kohë klipin duke mos e ruajtur këngën për verë ashtu sikurse bëjnë shumica e këngëtarëve në Kosovë, kur tregu vershohet nga klipe dhe këngë të ndryshme.

“Nuk mendoj si këngëtarët e tjerë që thonë se jemi të zënë dhe nuk krijojnë spote në këtë kohë e thonë realisht këtë punë. Unë e kam bërë tani, klipi është xhiruar në Pejë dhe në Zvicër, kurse tekstin e këngës e ka punuar Avni Qaili”, ka thënë Dani në këtë intervistë.
Kënga “Ik nga diaspora” paraqet dy të rinj të dashuruar, ku mashkulli detyrohet të largohet nga Kosova për të jetuar jashtë saj.

Ajo është një këngë ritmike dhe shumë shpejt pritet që të jetë një hit nëpër diskoteka të ndryshme në diasporë.

“Është një këngë kjo që besoj se do të pritet mirë, ashtu sikurse edhe këngët e tjera”, ka thënë Dani në këtë intervistë.

Krasniqi, tutje, ka folur edhe për pjesëmarrjen e tij në festivalin që organizohet në Shqipëri dhe transmetohet në TV Klan, “Këngët e Shekullit”.

Ai e ka vlerësuar shumë lart këtë festival, ndërkaq ka thënë se do ta ketë edhe natën e tij ku do të prezantohet me “Sofrën pejane”.

“Po, e kam ‘Sofrën pejane’ ku pritet që të udhëtojmë këtë javë për në Tiranë, ndërkaq përpos ‘Sofrës...’ ku do të këndoj këngë, si zakonisht popullore’, në këtë natë e kam ftuar edhe këngëtaren Leonora Jakupi”.

Dani ka vlerësuar shumë lart edhe pjesëmarrjen e tij në “Kënga Magjike 2010” vitin e kaluar, ku ai këndoi një këngë bashkë me Rozana Radin.

“Zakonisht nuk i pranoj bashkëpunimet pa i dëgjuar këngët. Adi Hila më ka ftuar në studion e tij. Ma ka lëshuar instrumentalin dhe ma ka dhënë tekstin. Më kanë pëlqyer të dyja dhe kështu kam vazhduar”, ka thënë Dani në këtë intervistë.

Ai po ashtu ka lavdëruar Rozana Radin, për të cilën ka thënë se ajo ka aktruar shumë mirë dhe ka interpretuar shumë mirë këngën “Vallsi i lumturisë”, e cila në youtube.com është më shumë se 100 000 herë e klikuar.

Në këtë këngë, Rozana ka pasur raste kur edhe ka shpërthyer në lot.

“Ka qenë kërkesë e saj që unë të këndoj në këtë këngë. E vlerësoj shumë paraqitjen e saj skenike dhe aktrimin”, ka thënë këngëtari pejan.

Dani po ashtu ka thënë se në këtë periudhë është i zënë më shumë koncerte që do t’i mbajë në diasporë, por edhe në Kosovë e Shqipëri.

“Jam i zënë, por megjithatë do të këndoj dhe nuk do të ndalem. Kam disa koncerte, si në ‘Këngët e Shekullit’, por kam koncerte edhe në diasporë. Ndërkaq, publiku e ka dashur shumë edhe këngën time ‘Vallsi i lumturisë’ që është kënduar në ‘Kënga Magjike”, ka thënë ai.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›