"Unë e Hyka te Palermo? Do të ishte një mrekulli"
Te Palermo nuk dëshiron të shkojë vetëm, ndaj bëhet "shkuesi" i Jahmir Hykës te kjo sku-adër. Brian Filipi, në një intervistë për media italiane ngre lart talentin e mesfushorit të kombëtares shqiptare duke kërkuar që drejtuesit palermitanë të ngulmojnë për ta marrë në skuadër. "Është i shpejtë dhe di të driblojë në një mënyrë që pakkush e bën. Do të ishte një mrekulli nëse do të luanin që të dy në një skuadër si Palermo", pohon ai për “mediagol.it”. Filipi është ende mes Ravenës dhe Palermos, pasi këta të fundit kanë blerë vetëm 50 % të kartonit të tij. Veç kësaj çështje talenti shqiptar ka treguar edhe disa detaje lidhur me lojën e tij si dhe dy trajnerët, Atzori (ish-tekniku i Ravenës, tashmë te Katania) dhe Zenga (trajneri i ri i Palermos).
Në ç'rol e gjen veten më mirë Filipi në fushën e lojës?
Unë e shikoj veten si një sulmues i mirfilltë. Në fushë më pëlqen shumë kur luaj në krah të repartit sulmues në një skemë 4-3-3 ose edhe në rolin e një sulmuesi të vetëm, pra "pykë". Gjatë sezonit të kaluar kam luajtur shpesh herë në këtë rol dhe kam arritur të kem goxha sukses. Jam i shpejtë dhe manovroj shumë mirë me topin, kjo mendoj se është karakteristika më dalluese e lojës sime. Por kam provuar edhe të bëj sulmuesin e dytë në skemën 4-4-2, në pak fjalë mjaft të më lësh aty përpara se e ndiej veten si mos më mirë.
Cili është mendimi juaj për Valter Zengën?
Zenga është një nga ata trajnerë që di mirë se ku shkon. Fakti që aktualisht është te Palermo të lë të kuptosh se ka pasur një motiv të fortë për ta bërë këtë gjë dhe po të mendosh mirë Palermo nuk është një klub dosido. Aty kërkohet gjithmonë më e mira e mundshme.
Po Atzori (ish-trajneri i Ravenës)?
Është një nga ata trajnerë që përgatit çdo ndeshje me detaje, nga më e vogla dhe më pak e rëndësishmja e deri tek ato që i japin jetë fitores. Kërkon gjithmonë që të gjejë pika të dobëta te kundërshtari dhe i provon shumë herë në seanca stërvitore, kështu që kur shkonim në ndeshje ishin thuajse gjithnjë të mirë-përgatitur.
Cili ka qenë futbollisti që ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë sezonit të shkuar te Palermo?
Ai që më ka impresionuar më shumë ka qenë Fabricio Mikoli. Për mua është me të vërtetë një futbollist shumë i mirë. Por nuk dua të lë pa përmendur edhe mbrojtësin e ri danez, Simon Kjaer. Për moshën që ka, mendoj se ka ecur shumë mirë gjatë këtij sezoni te Palermo.
A i ngjani sadopak Mikolit në mënyrën e lojës?
Krahasimi nuk është fort real. Ndoshta kam ca gjëra të vogla që i ka bërë më përpara edhe ai por natyrisht që jam shumë larg talentit të tij.
Deri ku ka arritur tratativa juaj me drejtuesit e Palermos?
Kur Palermo vendosi që t’i kërkonte Ravenës opsionin e blerjes së gjysmës së kartonit tim teksa ishte në tratativa edhe për sulmuesin Suçi, mbeta gati pa fjalë pasi nuk e prisja që një skuadër si Palermos në Serie A të interesohej për mua. Tani sinqerisht nuk e di se çfarë kanë në mendje drejtuesit e Palermos me mua pasi unë kam edhe një kontratë 4-vjeçare me Ravenën. Nuk e di nëse ata do të blejnë edhe pjesën tjetër të kartonit tim dhe unë do të shkoj përfundimisht tek kjo skuadër. Uroj të jetë kështu.
Keni folur gjatë kësaj kohe me Sabatinin (drejtori i klubit)?
Jo, nuk kam biseduar dhe nuk e kam takuar asnjëherë Drejtorin Sportiv të Palermos.
Gjatë këtyre ditëve është folur shumë edhe për një tjetër futbollist shqiptar që mund të shkojë te Palermo, Jahmir Hyka...
Nuk jam unë që që duhet të vendos ose edhe të jap mendim për Jahmir Hykën, në se ai është gati për futbollin italian apo jo. Ajo që mund t'ju them se ai është një futbollist shumë i talentuar. Është i shpejtë dhe di të driblojë në një mënyrë që pakkush e bën. Do të ishte një mrekulli nëse do të luanin që të dy në një skuadër si Palermo sepse jemi edhe shumë shokë me njëri-tjetrin.