E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daniele Capra: Mbështesni artistët e rinj!

Daniele Capra është një prej anëtarëve të jurisë e cila vendosi për më të mirin e konkursit ndërkombëtar të arteve pamore "Onufri ‘08". Sipas tij, konkursi "made in Albania" dhe veprat e paraqitura prej artistëve shqiptarë janë të denja të përfaqësohen kudo. Capra ndodhet në Shqipëri për herë të parë prej këtij konkursi. Ai njeh disa artistë shqiptarë të artit bashkëkohor, të cilët vlerësohen jashtë shtetit. Njeh mirë aktivitetin e artistëve Anri Sala e Sislej Xhava, ashtu siç është në dijeni edhe të aktivitetit artistik të Adrian Pacit, i cili është fokusuar sidomos në Itali. Capra është kritik i artit bashkëkohor. Në punën e tij e shikon të rëndësishme njohjen dhe vlerësimin e talenteve të reja. Por kjo, sipas tij, nuk mund të bëhet vetëm me iniciativa të njëanshme. Qeveria, shteti përkatës duhet të japë një ndihmë të madhe për të rinjtë. Kjo është e domosdoshme sidomos për një vend si Shqipëria. Artistët kanë nevojë të promovohen dhe të inkurajohen për t‘u përballur e konkurruar me kolegët e tyre në vende të tjera e për t‘u informuar me të rejat e profesionit që kanë zgjedhur të bëjnë në jetë.

Sapo ka përfunduar konkursi "Onufri ‘08". Cilat janë përshtypjet tuaja?

"Onufri ‘08", sipas mendimit tim, ishte një konkurs i mirë. Artistët pjesëmarrës janë interesantë, e njëjta gjë vlen edhe për veprat me të cilat ata u prezantuan në këtë aktivitet. Mendoj se meritë e këtij aktiviteti të miroganizuar është e kuratorit Riçardo Caldura, por edhe e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, i cili e ka mbështetur këtë konkurs. Artistët janë të gjithë shumë interesantë dhe sipas meje disa janë më tepër se kaq.

Atëherë ju keni preferenca. Mund të përmendi emra?

Po më ka pëlqyer Driant Zeneli, i cili fitoi vendin e parë, Alban Hajdinaj gjithashtu, e Heldi Pema i cili u vlerësua me çmimin e dytë. Për mua, këta tre artistë janë më të mirët. I vlerësoj sidomos duke iu referuar veprave me të cilat janë përfaqësuar në këtë edicion të "Onufrit". Por do të veçoja edhe artistin Idlir Koka.

Driant Zeneli u vlerësua me çmimin e parë me dy video instilacione të titulluara "Too late" dhe "Puzzle". Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në veprat e tij?

Mendoj se të dyja videot janë të bukura, por ndoshta do të veçoja pak më shumë videon e titulluar "Puzzle". Ajo është një vepër e cila mund të interpretohet në disa këndvështrime: në atë filozofik, politik e social. Sipas meje, bukuria e kësaj videoje qëndron në faktin se shikuesi mund ta interpretojë atë në cilëndo mënyrë që dëshiron. Kjo është edhe pasuria e kësaj vepre, përmbajtjet e ndryshme të saj. Për shembull, nëse do t‘i referohemi përmbajtjes filozofike, ti shikon se në video punohet për të kompozuar një imazh të bardhë dhe ky është sigurisht një paradoks. Nuk mund të kompozosh diçka nëse nuk e di se cili do të jetë ai imazh fillimisht. Nëse do të shtjellojmë anën sociale të videos, shikon se aty të gjithë punojnë së bashku për të njëjtin objektiv. Aty njerëzit flasin me njëri-tjetrin, pyesin se cili do të jetë objektivi që do të realizojnë. Në "Puzzle" gjen edhe këndvështrimin politik. Kjo lojë puzzle përbëhet nga të njëjtat pjesë, ndaj formimi i saj është i vështirë të realizohet. Ky mund të jetë edhe një lexim politik, në kuptimin që është e vështirë të kompozosh një lojë të kësaj natyre kur të gjitha copëzat që e formojnë atë janë të njëjta. Në këtë kuptim, videoja merr edhe ngjyrim kritik ndaj së kaluarës komuniste që vendi juaj ka kaluar. Nuk mund të ndërtohet një shoqëri e shëndetshme në momentin që të gjithë individët sillen dhe veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Cila mendoni se ishte pjesa më interesante e këtij konkursi të arteve pamore në edicionin e sivjetshëm?

Ajo që për mua mbetet edhe pjesa më interesante e këtij konkursi i cili zhvillohet prej 15 vitesh në Shqipëri, është fakti se "Onufri" është absolutisht një konkurs i ndërkombëtar. Është një punë e vështirë për t‘u realizuar, por kam bindjen se kjo ekspozitë e këto vepra që janë paraqitur këtu, mund të rrinë shumë mirë në çdo vend të botës, sepse artistët që marrin pjesë janë shumë të aftë. Arti bashkëkohor është një gjini mjaft i vështirë, ai mbetet gjithnjë në kërkim, pra mbetet bashkëkohor deri në fund.

Pra ju mendoni se arti bashkëkohor shqiptar mund të konkurrojë denjësisht edhe në nivel ndërkombëtar?

Artistët dhe arti bashkëkohor shqiptar mund të konkurrojnë denjësisht edhe në nivel ndërkombëtar. Por kjo mund të ndodhë realisht vetëm nëse sistemi, shteti i ndihmon ata. Praktikisht Shqipëria është ose më mirë ka qenë e izoluar. Por ajo vazhdon ende ta ketë këtë problem izolimi, në këtë rast flasim artistikisht. Mendoj se artistët, edhe ata më të famshmit në këtë gjini, pra në artin bashkëkohor, siç është Sislej Xhafa, apo Anri Sala, edhe Adrian Paci në Itali, janë absolutisht për t‘u vlerësuar. Vendi juaj, Shqipëria, duhet t‘i mbështesë ata. Por nuk duhet të fokusohet vetëm te këta artistë, që tashmë janë të famshëm që kanë krijuar hapësirat e tyre. Për mbështetje kanë nevojë të domosdoshme sidomos artistët e rinj. Mendoj se këto talente janë një pasuri e madhe për Shqipërinë. Për shembull para pak kohësh, me veprat e tij artisti Elton Valle na thotë se pasuria është nafta, por mendoj se pasuri e një vendi janë edhe këta artistë.

Daniele, në Itali, ju jeni kritik i artit bashkëkohor për revistën online "Exibart", e cila ka folur mjaftueshëm edhe për artistë shqiptarë. Cili është mendimi juaj për ta?

Po sigurisht që kemi shkruar për artistët shqiptarë. Ka raste që kemi shkruar kritika për mirë e të tjera për keq. "Exibart" është një revistë online, e cila mund të shihet nëpërmjet internetit. Por ajo edhe stampohet dhe shpërndahet falas. Gjendet nëpër muze të ndryshëm e nëpër galeri arti.

A do të ketë "Exibart" një artikull kritik kushtuar "Onufri ‘08"?

Po, sapo të jem në Itali, do të shkruaj një artikull për konkursin "Onufri". Do të lajmëroj atje për çmimet dhe artistët që i merituan ato. Mendoj se çmimi i parë, pra Driant Zeneli, e meriton të vlerësohet edhe atje. Por kjo pjesë në të vërtetë më bën të ndihem disi në siklet, duke qenë se isha edhe pjesë e jurisë ndërkombëtare, e cila vlerësoi çmimin. E di që kjo nuk konsiderohet profesionale...

Ju vini për herë të parë në Shqipëri, cilat janë ndjesitë tuaja në vendin tonë, sidomos sa i përket anës artistike?

Para se të vija këtu, njihja vetëm artistët Elton Valle, Sislej Xhafa, Adrian Paci e Alban Hajdinaj. Tani them se njoh e di më shumë se kaq.

A është e vështirë puna e një kritiku të artit?

Në të vërtetë, e kam nisur punën si gazetar dhe ishte krejt i rastësishëm kalimi im në këtë fushë. Nuk di çfarë të them, por më pëlqen shumë puna që bëj. Në jetë kam bërë gjëra të ndryshme, për shembull kam studiuar muzikë klasike, piano në konservator, kam vazhduar studimet e larta për ekonomik, ndaj nuk ka një gjë fikse në jetën time. Le të themi se pjesa më e bukur e artit është se ti asnjëherë nuk rresht së pyeturi. Në mënyrë të veçantë tek arti bashkëkohor, i cili përfaqëson tentativat e artistëve për të bërë ty të vazhdosh të ngresh pyetje. Ndaj mendoj se kritika duhet të merret me këtë pjesë. Ajo duhet të shikojë mirë dhe të jetë shumë e kujdesshme me artistët, për të zgjedhur ata që janë më interesantë, më të zotë, për të bërë pyetje dhe për të vënë në diskutim një sistem. Për mua, ajo që është më e rëndësishme në një vepër, është se duhet të ngrejë diskutime si nga ana vizive, ashtu edhe sa i përket mendimit. Këtë konsideroj një vepër të vërtetë.

A do të ktheheni sërish në Shqipëri?

Sigurisht, patjetër. Ka shumë mundësi të jem këtu me rastin e çeljes së muzeut që po rikonstruktohet në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Por do të kthehem edhe për një arsye tjetër, sepse këtu të gjithë janë shumë të sjellshëm e të bëjnë të ndihesh mirë. Për mua, kjo ishte një përvojë e bukur. Ne italianët zakonisht i shikojmë me paragjykim shqiptarët. Për ne, Shqipëria ishte gati-gati një vend i botës së tretë, por pjesa më e bukur është se kur vijmë këtu gjithçka tjetërsohet, vlerësimi ndryshon, për mirë sigurisht.

Po sa i përket artit, a ka paragjykime se nga vjen ai?

Mendoj se për sa i përket artit, nuk ekzistojnë paragjykime. Ti artin mund të shkosh ta ndjekësh e ta shijosh i veshur me kostum e kravatë, apo me pantallona të shkurtra, pak rëndësi ka kjo, asnjë nuk të thotë asgjë. Bota e artit është bota më e lirë që mund të ekzistojë, askush nuk të thotë asgjë, e askush nuk do t‘ia dijë se nga vjen ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›