E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu, një Batman në Tiranë

Artisti Franz Kapfer kërkon të hedhë dritë mbi përdorimin politik apo social të figurës së Skënderbeut në historinë e shkuar e të tashme të Shqipërisë. E realizon këtë nëpërmjet një instilacioni me dritë titulluar "Në hijen e Skënderbeut". Vepra është realizuar nga hija e shtatores së Skënderbeut në Tiranë, e cila sipas konceptit të artistit do të shërbejë për ta "thirrur"
Skënderbeun - sipas modelit të Batmanit - për t‘i ardhur në ndihmë shqiptarëve sa herë që ata do të kenë nevojë. Projekti i Franz Kapfer u realizua dje në formën e një projeksioni me dritë mbi fasadën e Akademisë së Arteve, ndërsa është ndjekur nga një debat i hapur mbi përvetësimin dhe ndërtimin e figurave të heronjve. Projekti do të plotësohet nga një projeksion mbi ngrehinën e skenës në tarracën e Teatrit të Operës, deri më 16 janar. Franz Kapfer u ftua në Tiranë nga TICA, Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë me mbështetjen e ADMIRAL - "Novomatic Group of Companies", ambasadës austriake dhe në bashkëpunim me Akademinë e Arteve në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›