Daniele, djaloshi që blen fshatrat për ti ringjallur
11 vjet të shkuara, Daniel Kihlgren ndërmori një udhëtim me motoçikletë në Gran Sasso dhe për herë të parë i zunë sytë fshatin e Shën Stefanit. U mrekullua. Mure të shumtë dhe një kullë e lartë që dilte e zgjatohej nga disa çati të kuqe. Fshati i vogël me rrugica të gurta ishte në harmoni të plotë me natyrën dhe ambientin, me pyjet dhe kaçubet, si dhe kodrat e buta që ndodheshin rrëzë maleve. Shën Stefani ishte një vend ende i papushtuar nga agresiviteti industrial që kishte shkatërruar shumë vende të tilla në Itali gjatë 10 viteve të fundit. Ishte një copë vend ende i virgjër dhe i pandotur, në të cilin jetonin një grusht njerëzish, jo më shumë se 100 banorë gjithë-gjithë.
Kihlgren u dashurua me këtë vend me shikim të parë dhe vendosi që të blejë një shtëpi. Pak më vonë bleu edhe tetë shtëpiza të tjera dhe kështu pak nga pak u shndërrua në pronarin e një të katërtës së shtëpive të fshatit. Më pas kontaktoi autoritetet vendore, me të cilat arriti një marrëveshje që e bëri të famshëm. Sipas saj, ai premtonte që të hidhte në këtë vend shuma të mëdha parash në mënyrë që fshati të rilindte.
5 vjet pas udhëtimit të parë në këtë vend dhe pas një investimi prej 5 milionë eurosh, ky fshat u ka çelur dyert turistëve italianë e të huaj, të cilët janë shumë kuriozë për të njohur pjesët shumë të reklamuara të Abrucos në Itali dhe të eksperimentojnë një tip shumë të veçantë mikpritjeje. Ai i Kihlgren është një “hotel i shpërndarë”, ku recepsioni, restoranti dhe vetë dhomat ndodhen në vende të ndryshme të shpërndara në shtëpitë e fshatit dhe njerëzit për të kaluar një natë në këtë fshat duhet që të kalojnë më parë në shumë shtëpi të tij. Suksesi i kësaj ka qenë i menjëhershëm. Në vitin 2004 hoteli me emrin “Seztantio” kishte 79 vende për të fjetur, të cilat nuk mbetën kurrë të lira. Një vit më parë numri i këtyre dhomave është dyfishuar dhe ato vazhdojnë të jenë mjaft të frekuentuara. Djaloshi që pati një ide të tillë brilante është marrë edhe me restaurimin e një pjese të shtëpive të fshatit për t’i shitur më pas me një çmim më të shtrenjtë. Brenda një kohe të shkurtër, shumë autoritete vendore të zonave të vogla të Abrucos dhe Kalabrisë nisën të trokisnin në derën e tij për t’i kërkuar bashkëpunim dhe përhapje të kësaj tradite edhe në vendin e tyre. Familja e Kihlgren vuri pasuri me tregtinë e çimentos, por Daniele ka dashur që të bëjë diçka të vetën dhe është shumë i dashuruar me punën dhe sipërmarrjen e tij. Sipas tij, është derdhur mjaft beton nëpër Itali dhe në zonat turistike, ku natyra është një mrekulli dhe betoni është një mëkat. Të vetmet vende që janë kursyer nga grykësia e ndërtuesve janë fshatra të humbur si ato të Shën Stefanit që gjenden ende nëpër gadishull, veçanërisht në zonat e jugut. Shkaku që çimentoja dhe betoni nuk ka arritur deri aty është paaftësia e administratorëve lokalë, që në këtë rast ka shpëtuar natyrën dhe gjithçka përreth. E ndërkohë, djaloshi italo-suedez ishte i pari që e kuptoi se pikërisht këto zona të braktisura ishin një thesar i vërtetë, për shkak të gjendjes ende të virgjër në të cilën ndodhen. Daniel Kihlgren është 43 vjeç dhe nuk ka pasur ndonjë fëmijëri fort të mbarë. I ati ishte një diplomat suedez dhe u martua me të ëmën, një italiane, trashëgimtare e pasur e një familjeje që ishte marrë me tregtinë e çimentos. Prindërit iu ndanë kur ai ishte 2 vjeç. Vetë ka qenë gjithmonë një djalosh rebel dhe është përjashtuar disa herë rresht nga shkolla në Milano. Gjëja që urrente shumë në ato vite të shkollës ishte komunizmi, që për Italinë ishte shndërruar në një lloj besimi fetar. Kështu vendosi të shkonte në jug të vendit për të studiuar Filozofi në Napoli. Aty ra në kontakt me drogat e rënda dhe për shkak të tyre u bë edhe mbartës i virusit HIV nga një shiringë e infektuar. Sot sindroma e vetme që ka nga kjo sëmundje është lodhja kronike që përjeton. Vuan që prej 20 vitesh me shpresën se një ditë do ta kurojë, por ende pa rezultat. Intuita që pati në fshatin e Shën Stefanit dhe që më pas do t’i ndryshonte jetën ndodhi 20 vite të shkuara, ndërsa po i vinte vërdallë Italisë së jugut me motoçikletë. “Ajo që më binte në sy, ndërsa ecja pafund, ishin masakrat që i ishin bërë natyrës në vendet e saj më të bukura, në tempujt e saj magjepsës. Pyesja veten se kush ishte ai, apo ata idiotë që kishin bërë shkatërrime të tilla, që kishin betonuar zonat më të bukura. Shumë vende të rëndësishme arkeologjike ishin lënë pas dore dhe në mëshirë të fatit”, thotë djaloshi. Në atë kohë mendja i vajti menjëherë te ndërhyrja me shumë përfitim që mund të bëhej në zona të tilla të braktisura, një investim nga i cili do të përfitonin të gjithë. Daniele pati një intuitë estetike, të cilën ia bashkëngjiti një logjike ekonomike. Përmes respektimit dhe mbrojtjes së bukurive të natyrës banorët e zonave të ndryshme, kryesisht të jugut të varfër të Italisë, do të mund të pasuroheshin dhe të bashkëjetonin me natyrën dhe vendin e tyre me dinjitet e para. Ky gjykim i erdhi në përfundim të fazës së parë shumë të rrëmujshme të jetës, pra pas përfundimit të rinisë së parë, gjatë së cilës kishte kaluar një kohë kaotike, të kotë dhe me shumë vese. Pas kësaj periudhe mundi të gjejë pak paqe në Peskara. U zhvendos në një shtëpi të madhe në pronësi të familjes së të ëmës pranë bregut dhe nisi të mblidhte qen të braktisur. Sot ka mbi 15 prej tyre që i mban me ushqim dhe i rrit si t’i kishte fëmijë. E mes këtyre qenve ndodhet edhe “dashuria e jetës së tij, Klementina”, të cilën e merrte edhe në shtrat për të fjetur. Pasi ajo vdiq mori edhe dy të tjerë të racës së saj, bulldogë, Melonen dhe Hollupop.
Abruco vazhdon të mbetet për Italinë një zonë e varfër dhe e braktisur krahasuar me krahina të tjera të vendit. Por fshati i Shën Stefanit është një përjashtim, sepse ndryshe nga fshatrat e tjerë ka pasur një ndjeshmëri më të madhe ndaj artit. Kjo, sepse në Mesjetë vendi bënte pjesë në zotërimin e Mediçëve dhe ata ishin shumë artdashës dhe mbështetës të kulturës. Madje ajo çka është e çuditshme, është se ndërtimet e vjetra në këtë zonë janë aq të forta sa një pjesë e tyre i përballoi shumë mirë të gjitha goditjet sizmike të tërmetit të prillit të vitit të kaluar në Abruco. Të paprekshme kishin mbetur edhe shtëpitë e “hotelit të shpërndarë” me përjashtim të disa dëmtimeve të vogla dhe lehtësisht të riparueshme. Për sa i përket Danieles, ai vazhdon që të ketë shumë besim te projekti i tij. Tashmë së bashku me kolegët e tij ndërtues dhe arkitektë ai është duke u përpjekur që këtë përvojë ta zgjerojë edhe në zona të tjera për të restauruar pjesë të shtëpive të fshatrave të braktisur e për t’i shndërruar ato në zona të vërteta turistike me fitim për investitorët dhe për vetë banorët e zonës. Ajo çka ai ka fort mirë parasysh kur ndërmerr një restaurim, është që të vazhdojë t’i përmbahet linjës fillestare të ndërtimit, në mënyrë që restaurimi ta ringjallë, por jo tjetërsojë një shtëpi. Sipas Danieles janë zona shumë të prapambetura, në të cilat Mesjeta përfundoi vetëm në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe që kanë mbi shpinë një histori shumë të gjatë braktisjesh dhe emigracioni. Edhe për këtë arsye janë zona që ruajnë një autenticitet dhe një virgjëri që u jep shumë vlerë investimeve si ato që ka bërë Daniele. Ndërkohë për projektin dhe suksesin e tij kanë folur shumë media ndërkombëtare dhe kjo ka bërë që të gjithë dashamirësit e Italisë dhe adhuruesit e artit e natyrës së këtij vendi të vijnë të provojnë ofertën ndryshe të Danieles. Në fakt, përpjekja e tij është e jashtëzakonshme. Në Itali nuk janë të shumtë ata që merren me vendet e humbura të jugut dhe zonat e braktisura edhe nga vetë banorët. Daniele e di mirë që i gjithë kujdesi shkon për statujat dhe monumentet e kulturës së vendeve që ndodhen në qendrat e mëdha turistike, ndërkohë që harrohen zonat periferike që mund të jenë po aq me vlerë.
“Kur erdha për herë të parë në Shën Stefan banorët më morën për një drogaxhi të degjeneruar. Kur nisa të blej pak nga pak shtëpitë e fshatit menduan se isha një idiot pasanik që nuk dija se ku t’i çoja paratë”, thotë Daniele. Në fakt, nga pamja e jashtme ai nuk ngjan fare me një biznesmen të suksesshëm dhe të pasur. Ka pamjen e një njeriu që e ka lënë pak pas dore veten dhe që nuk i përket aspak shtresës së milionerëve. Kjo modesti e tij ekstreme e ka ndihmuar shumë që të ketë marrëdhënie të mira me njerëzit e varfër dhe këto marrëdhënie të mira kanë bërë që t’i shkojnë mirë edhe punët. Por mbi të gjitha Daniele është pa dyshim një vizionar. Për kë e njeh nga afër Danielen është një njeri me një forcë shumë të rrallë njerëzore dhe është i motivuar nga idetë dhe idealet. është naiv deri në njëfarë mase dhe në momentin e duhur di të marrë vendime në mënyrë të prerë dhe të parikthyeshme, por të mirargumentuar.
Tashmë Daniele është shndërruar në shembullin e një tjetër lloji biznesmeni që mendon dhe vepron jo vetëm me tru, por edhe me zemër dhe përpiqet të shndërrojë një vend që e quan të “vdekur” në një burim të ri force dhe në një sukses turistik e jetësor.
#