E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes rokerëve të Teheranit që sfidojnë regjimin

Nën presidencën tolerante të Khatamit, në qytetet e mëdha iraniane lulëzuan shumë grupe muzikore, kryesisht nga të rinjtë. Por nën udhëheqjen e Ahmadinexhadit erdhi shtypja dhe represioni. Megjithatë, edhe pse rrezikojnë jetën, ata vazhdojnë të bëjnë muzikë

“Mes grataçielave atmosfera është e mbushur plot poezi dhe ëndrra. Kam ëndërruar të bëj një koncert në rrugë”. Refreni i këngës, që është kolona zanore e filmit “Teheran Teheran”, mbush sallën e kinemasë “Azadi”. Filmi tregon historinë e një grupi rok, një histori jo shumë e ndryshme nga ajo që tashmë e njeh gjithë Perëndimi, “Macet persiane” të Ghobadit. Por mrekullisht ndërsa “Macet persiane” është ndaluar në Iran dhe autorët e tij janë detyruar të largohen nga vendi, “Teheran Teheran” po shfaqet në të gjitha kinematë e kryeqytetit. Në film, grupi rok, pas një beteje të gjatë me burokracinë dhe censurën, merr më në fund lejen për të bërë një koncert në shesh. Qindra bileta janë shitur dhe kjo ndoshta mund të ishte një shenjë e mirë për kitaristin dhe këngëtarin e grupit për t’u larguar jashtë vendit. Dy protagonistët kryesorë kanë vite që e mendojnë largimin: “Tamam si një dhëmb që lëviz, të cilin kërkon ta heqësh vazhdimisht, por frika nga dhimbja të bën ta shtysh sa më vonë të jetë e mundur, deri sa të bjerë vetë”. Koncerti nuk do të bëhet. Në minutën e fundit, një akuzë anonime për kontrabandë bën që t’i hiqet leja. Reperi është afër një vendi tragjik: dua të vdes tani që nuk kam shpresë për të bërë atë që dua”.

Reza Yazdani, këngëtari dhe protagonisti i filmit pothuajse nuk i beson fatit. Shpreson që filmi i tij të vihet re në Perëndim dhe kjo t’i hapë ndonjë mundësi pune. Shpresën për të bërë koncerte në publik nuk e ka më. Herën e fundit, vjeshtën e shkuar, dukej se gjithçka ishte gati, por pak para fillimit koncerti u ndalua. “çdo përpjekje është një bast, thotë, një investim i madh durimi dhe kohe. çdo këngë që del duhet të aprovohet nga Ershad, Ministria e Kulturës islamike dhe gjëja më e çuditshme është se nuk kontrollojnë vetëm fjalët, por edhe muzikën. Ata që nuk marrin vesh fare nga muzika rok më thonë se çfarë muzike duhet të luaj. ‘Ji më i qeshur kur këndon’, më thanë njëherë. ‘Kujdes me kitarën dhe zërin’”. Muzika perëndimore është ndaluar në Iran pas revolucionit islamik. Vetëm grupet e muzikës tradicionale persiane kishin ndonjëherë leje për të performuar. Në islam statuti i muzikës është kontrovers, për disa është i lejuar, për të tjerët është haram, i palejuar. Nën presidencën e Khatamit, kufizimet u pakësuan aq shumë saqë lejuan një lulëzim të madh të grupeve të rokut në garazhet e kantinat e qyteteve të mëdha, edhe pse koncertet në publik ishin shumë, shumë të rralla.

Të gjitha ndryshimet modeste në kohën e Khatamit u eliminuan në momentin që në pushtet erdhi Presidenti Ahmadinexhad. Por, pavarësisht kësaj, në Irak ekzistojnë me dhjetëra grupe të muzikës rok. Të rinj që çmenden për “Oasis”, këndojnë në anglisht, shkruajnë tekste që flasin për dashurinë e vetminë dhe për gjithçka që kalon nëpër mendjet e të rinjve të kësaj moshe në çdo cep të botës. “Pa muzikë nuk mund të jetoj”, thotë Nilufar, që së bashku me Pedram ka krijuar një grup roku prej 5 vetash: një kitar bas, një tastierë, një bateri dhe ajo që këndon (kryesisht në frëngjisht, sepse që fëmijë ka jetuar në Paris me prindërit dhe nuk ka pushuar kurrë së ndjeri keqardhje për Champs-Elysées). Risia e këtyre viteve të fundit është futja në muzikën rok e grave, ku zëri solist i femrave është i ndaluar me ligj. Irani ka edhe disa repere shumë të dashura nga të gjithë, Salome dhe Mani. Pedram thotë se këndon në persisht, sepse kështu njerëzit i kuptojnë emocionet. Akordet janë të thjeshta, por melodia është e bukur dhe e dhimbshme. Të bësh muzikë në Teheran është një sipërmarrje e rrezikshme. Një javë më parë, 80 të rinj u arrestuan, sepse morën pjesë në një koncert të organizuar përmes internetit dhe pesë muzikantët janë ende në burg. “E përdorin muzikën për qëllimet e tyre të këqija”, tha ministri i Kulturës islamike. Nilufar dhe Pedran i bëjnë provat në një kantinë jo shumë të madhe, të fshehur mes një ndërtese në ndërtim dhe kuzhinave të një restoranti. E marrin me qira për një orë në javë. çdo herë, paguajnë rreth 20 mijë tuman (monedha vendase), ose 20 euro, që në Iran janë shumë. Luajnë, regjistrojnë dhe i hedhin në internet këngët e tyre. Sigurisht pa fituar asnjë qindarkë, por të paktën kështu kanë mundësi t’i dëgjojnë shumë, e mbase në ndonjë cep të botës dikush mund t’i vërë re e t’i ftojë në ndonjë koncert.

“Cable” është emri i grupit. Të gjithë ëndërrojnë të ikin jashtë vendit për të ndjekur ëndrrat e tyre, sepse aty nuk është e mundur. Njëri prej ish-anëtarëve do të niset për në Amerikë, pasi ka arritur të marrë ‘green card’, një tjetër për në Itali. “Njëri pas tjetrit, kush mund të largohet”, tregon Nilufar, e cila edhe ajo ëndërron të kthehet në Francë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›