Daqiq: Kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ribëhen
_624797.jpg)
"Një demarkacion i ri është i nevojshëm, që do të respektonte interesin e Serbisë rreth Kosovës, sepse ne tani jemi në një situatë që do të mund të humbnim gjithçka”, u shpreh Daqiq, për të përditshmen e Beogradit, Politika.
Serbia ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, dhe ende vazhdon ta konsiderojë territorin e Kosovës si pjesë të saj. Sidoqoftë, më shumë se 80 shtete, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe 22 shtete të BE-së, e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Daqiq, sugjeroi që të mbahet një konferencë internacionale për Kosovën, si ajo e vitit 1995 në Dejton të SHBA-së, e cila përfundoi më shumë se tre vite lufte në Bosnjë.
"Ne do të jemi skllevër të kësaj situate, e cila nëpër vite do të shkatërrojë, si një kancer, marrëdhëniet tona dhe situatën në përgjithësi në Ballkan,” tha Daqiq.
Ideja për ndarjen e Kosovës është lënë në të kaluarën, por Daqiq është zyrtari i parë serb i rangut të lartë, që në mënyrë të hapur e ka shprehur këtë ide, që kur Beogradi ka humbur kontrollin ndaj Kosovës në vitet 1998-99. /rel/