Dirigjenti merr çmimin një milion eurosh

70 vjeçari Muti e ka fituar çmimin ‘për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në opera dhe koncert’. Dirigjenti u ka thënë gazetarëve se ishte ‘i nderuar dhe i lumtur’ para ceremonisë në Suedi. Muti është pranuesi i dytë i këtij çmimi, i cili është themeluar pas vdekjes së këngëtares operistike suedeze Birgit Nilsson.
Muti, i cili aktualisht është dirigjent i Chicago Symphony Orchestra, ka qenë gjithashtu dirigjent i Maggio Musicale Fiorentino, Philharmonia Orchestra në Londër, Philadelphia Orchestra dhe Teatro alla Scala.
“Është i rëndësishëm sepse e kupton se ndoshta ke bërë diçka të rëndësishëm në jetën tënde dhe njerëzit rretherrotull botës e njohin punën që e ke bërë si muzikant”, tha dirigjenti rreth shpërblimit.
Birgit Nilsson, e cila vdiq në vitin 2005, u bë e njohur për interpretimet e roleve udhëheqëse si soprano në kompozimet e Wagner-it.
Muti bëri të ditur se, si dirigjent i ri, ka bërë udhëtime tre deri katër orësh për ta dëgjuar atë duke kënduar në Romë.
“Të zgjohesh në mëngjes aq herët për të arritur trenin ka qenë një lloj sakrifice që e bënë vetëm për gjëra të jashtëzakonshme. Për Birgit Nilsson por jo për dikë tjetër”, tha ai.
Çmimi iu dha dirigjentit Muti nga Mbreti Karl XVI Gustaf në Operën Mbretërore Suedeze.
Së pari ky çmim i është dhënë në vitin 2009 tenorit spanjoll Placido Domingo, të cilin Nilsson e kishte përzgjedhur vet, por emri i të cilit ishte mbajtur i fshehtë për afër një dekadë para se të bëhej i ditur.
Ajo asnjëherë nuk e kishte përzgjedhur ndonjë fitues tjetër, duke ia lënë punën jurisë për përzgjedhjen e fituesit menjëherë pasi Domingo e mori çmimin.