E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova blen Ambasadën e parë

Kosova ka blerë objektin e parë për një Ambasadë në kryeqendrën evropiane, në Bruksel. Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Ilir Dugolli, ka thënë se objekti i Ambasadës ndodhet në qendër të Brukselit dhe i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për punë.

“Është bërë një punë shumë e mirë. Është blerë Ambasada e Kosovës në qendër të Brukselit. Objekti katërkatësh ndodhet në njërën prej lagjeve më prestigjioze. Sipas informacioneve që kemi, blerja e këtij objekti ka kushtuar rreth dy milionë euro. Objekti ka rreth 800 metra katrorë, ka hyrje të veçantë për punonjësit, ka oborr, park dhe hapësira tjera të nevojshme për punët e Ambasadës dhe Konsullatës. Është afër institucioneve evropiane”, ka deklaruar Dugolli për Kosovatimes.net.

Sipas Dugollit, objekti që është blerë nga Ministria e Punëve të Jashtme, deri tani ka qenë pronë e një shoqate për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe shkrimtarëve. Ai ka thënë se objekti i blerë nga MPJ për këtë ambasadë, nuk do të shfrytëzohet edhe për banimin e ndonjë pjesëtari të stafit diplomatik në të por vetëm për punë.

Ndërkohë, të gjitha ambasadat tjera të Republikës së Kosovës vazhdojnë të paguajnë qira.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›