Dario Fo: Boll më!
Teatër/ Në teatrin “Aleksandër Moisiu” ka nisur përgatitjen regjisorja Driada Dervishi, për të vënë në skenë groteskun e Dario Fo-së
Politika, përballë zhgënjimeve të mëdha sociale. Nuk ka qenë një dramaturg i angazhuar, por Dario Fo e godet fort realitetin përmes groteskut. Për ta bërë aktual, regjisorja e re, Driada Dervishi, ka marrë një prej veprave të tij “Boll më!”, për ta inskenuar në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. “Boll më! Kështu nuk shtyhet më” është një tekst që trajton situatën politike të zhgënjimeve të mëdha sociale, në formën e satirës së groteskut. Kjo shfaqje është vënë nga mbi 600 teatro e kompani teatrale dhe kjo, sepse edhe pse është shkruar 33 vjet më parë, flet për një aktualitet më të vërtetë së kurrë. Gjatë muajve të fundit, kjo pjesë është rivënë sërish në vende të ndryshme të Evropës, Paris, Berlin e deri në Rusi, duke vazhduar madje edhe në Kinë, Indi e Japoni, duke pasur një sukses të jashtëzakonshëm. Kjo shfaqje që në fillim titullohej “Nuk paguajmë! Nuk paguajmë”, u vu në skenë në vitin 1974, në një teatër të Milanos. Kur u vu në skenë për herë të parë u duk si një ngjarje e pamundur, sureale; aty tregohej për ngjarje të cilat ende nuk kishin ndodhur. Antoneta dhe Margarita, dy gra të martuara, e para e papunë dhe e dyta part-time, mezi arrijnë që t’iu dalin paratë deri në fund të muajit. Antoneta gjendet rastësisht në një protestë bashkë me shumë gra të tjera, të ndodhura në të njëjtën situatë si ajo, që kur arrijnë në supermarket shohin që çmimet janë rritur më shumë se çdo herë tjetër, dhe kështu vendosin t’i marrin ushqimet pa paguar. Antoneta del nga supermarketi e mbushur me ushqime të të gjitha llojeve dhe ndihmohet nga komshia dhe mikesha e saj, Margarita, për t’i çuar në shtëpi. Kur arrijnë aty, nuk e kanë idenë se ku duhet t’i fshehin gjithë ato ushqime, duke pasur parasysh sherret që do t’i bëjë i shoqi, i cili ka besim të plotë tek ligji. Antoneta, për të gjetur një zgjidhje, nis pa e kuptuar një seri keqkuptimesh e situatash komike, tipike si ato në komedinë e artit. Tregimi në fillim ishte kryekëput fantazi. Në atë kohë ndonjë kritik e akuzoi Dario Fo-në se kishte bërë teatër fantapolitik, që kishte imagjinuar histori të ekzagjeruara paradoksale dhe të pamundura. Me sa duket, siç thotë vetë Dario Fo, ata ishin gazetarë të painformuar mbi realitetin e gjërave, nga ata njerëz që nuk dëgjojnë dhe nuk lexojnë, as dhe gazetën ku shkruajnë vetë. Disa muaj më vonë në Milano shpërtheu saktësisht e njëjta gjë që trupa e Dario Fo-së kishte treguar në skenë. Ndërsa shpikësit që aplikuan “çmimet proletare” u arrestuan dhe u gjykuan. Në ditët e atyre debateve “Il Giornale”, e drejtuar nga Indro Montanelli, kërkoi të ndëshkohej Dario Fo, pasi me komedinë e tij kishte frymëzuar dhe nxitur punëtorët për të bërë përvetësime të paligjshme. “Por sot në 2009 kur e gjithë bota gjendet e përfshirë në një krizë ekonomike, por edhe pse nuk thuhet dhe mohohet shpesh nga politikanët shqiptarë se Shqipëria nuk gjendet në vendet e kapura nga kriza, por kjo për faktin se ne kemi qenë gjithnjë në krizë. Fatura dritash të shumëfishuara, telefoni celulare me tarifat më të larta në Evropë, interesa kredish gati absurde, dhe ajo që është e rëndësishmja, çmimet e ushqimeve që nuk përputhen fare me pagat që merren. Dhe në këtë situatë, ku pjesa më e madhe e popullsisë mendon si të kalojë fundin e muajit, është këtu që nis arsyeja e vënies së kësaj komedie, në këtë situatë parazgjedhore ku flitet më shumë se kurrë për interesat e popullit të thjeshtë, ku të gjithë “interesohen” për problemet e shumta që kemi, pikërisht në këtë moment vihet kjo shfaqje ku aktorët e ulur që në fillim në sallë, për të dhënë të kuptojnë që ata përpara se të jenë artistë janë dhe qytetarë dhe dalëngadalë, njëri pas tjetri do të hipin në skenë...”, - shkruan regjisorja.