Miranda Haxhia
Letërsi/ “Absurdi”, romani i ri i Koço Kostës, i cili vazhdon të shkruajë letërsi unikale, të panjohur
Letërsia e Koço Kostës hyn deri në bërthamë të çdo qelize që vë trurin e lexuesit në punë. Nuk po flas për romanin e tij “Qafa e botës”, as për “Dademadhja”, as për “Bisedë në mesnatë”, “Buka e një stine me borë” apo “Era e udhëve”. Dhe aq më tepër, nuk po flas për romanin “Nata e Sofie Kondilit”, të cilin vazhdoj ta dua, ta rilexoj dhe të mësoj prej tij se çfarë është letërsia e kur ajo quhet e vetme, unikale. “Nata e Sofije Kondilit” është letërsi unikale. Koço Kosta botoi dhe më la në dorë bashkë me ndrojtjen e tij, bashkë me humorin e zi kundër shkrimtarisë, romanin e ri “Absurdi”.
Mund të konsiderohet pa frikë një shkrimtar i zgjuar, që bën një letërsi shumë diabolike, që ndërton fraza, dialogët me shumë kujdes që të mos e shmangë zërin e djallit brenda vetes, por të dëgjojë më shumë zërin e dashurisë, pasi nuk ka dashur t’i shmangë njërin për hir të tjetrit. Duke pasur parasysh ndërthurjen e shkrimtarisë së tij me pamjet e përthyeshme që të krijohen në mendje nga shkrimtarë të tillë si: Verga, Pirandello, Sciascia, Manzoni, ai na jep të kuptojmë se vërtet, pas Joyce-t letërsia shkruhet ndryshe. Dhe nëse dëshiron ta lexosh letërsinë e tij apo të jesh padron i gjithë romanit, duhet të njohësh mirë hartën letrare të këtij shkrimtari, i cili shfaqet dhe zhduket, sepse letërsia e tij nuk është letërsi e kopertinave, nuk është letërsi oborri. Letërsia e Koço Kostës hyn deri në bërthamë të çdo qelize që vë trurin e lexuesit në punë. Nuk po flas për romanin e tij “Qafa e botës”, as për “Dademadhja”, as për “Bisedë në mesnatë”, “Buka e një stine me borë” apo “Era e udhëve”. Dhe aq më tepër, nuk po flas për romanin “Nata e Sofie Kondilit”, të cilin vazhdoj ta dua, ta rilexoj dhe të mësoj prej tij se çfarë është letërsia e kur ajo quhet e vetme, unikale. “Nata e Sofije Kondilit” është letërsi unikale.
Në fshehtësi do të doja që Koço Kosta të mos shkruante më, sepse edhe unë kam diabolizmin tim, egon, demonët e letërsisë që rrekem t’i përball me të tjerët. Megjithatë, duhet të na ndodhë, duhet të kuptojmë se ndodh që të duam letërsinë e tjetrit, pa smirë, pa inat. Të duam ashtu si e do shkrimtari. Koço Kosta botoi dhe më la në dorë bashkë me ndrojtjen e tij, bashkë me humorin e zi kundër shkrimtarisë, romanin e ri “Absurdi”. Si duket i kishte zënë udhën. I kishte mbetur enkas për këtë kohë, për pas romanit të suksesshëm, për të cilin fola më sipër.
Por, nëse një vit më parë kam shkruar për “Natën e Sofije Kondilit” dhe vetëm për këtë roman, tani dua të shikoj përtej “Absurdit”. Si erdhi Koço Kosta dhe letërsia e tij tek unë? Cili është pushteti dhe magjia e kësaj letërsie e cila më mban ende mbërthyer?
Ata të dy e të tjerë
Ishte kjo novelë e Koço Kostës, që u ndalua në ‘86-n si letërsi e dobët, banale, mediokre, sepse tingëllonte si reaksionare të shkruaje për të shëmtuarën, kur e bukura në atdheun socialist ishte mbizotëruese. Djaloshi i Pashëm dhe Peshku i Kuq ranë në rrjetën e kritikës soc-realiste e cila doli të ishte e mërzitshme, me stil të pabotueshëm me gjuhë mjaft herë të përdhunuar, me situata që nxijnë realitetin socialist. Por “Ata të dy dhe të tjerët” unë e lexova, e kisha regjistruar në shtresat që më duheshin për të distiluar dhe krijuar mendimin për këtë letërsi dhe këtë shkrimtar të çuditshëm të cilin edhe shtëpia botuese harron ta promovojë kur i boton romanin si “Nata e Sofije Kondilit” ashtu edhe “Absurdi”, të cilin e marr vesh rastësisht. Që do të thotë se nëse nuk shkon në librari (ndodh që nuk mund të blesh asgjë dhe u fshihesh librave!), nuk e merr vesh asnjëherë daljen e një romani apo të një tjetër lloj libri. Nuk ia jep bujën dhe vrullin e ditës së parë kur një roman del në botim. Krijohet ideja se Koço Kosta pothuaj ka humbur. Ndërsa është krejt e kundërta, ndaj duhet këmbëngulur që të kuptojmë se sinjali i letërsisë së vërtetë është, duhet kuptuar, duhet ndihmuar të kuptohet.
Fati i novelës “Ata të dy e të tjerë” mbeti i çuditshëm. 20 vjet pas ndalimit, novela botohet greqisht, e para vepër dhe e para gjuhë ku është përkthyer Koço Kosta. “Një roman me një forcë të jashtëzakonshme, një vepër që befason dhe mallëngjen. Me doza humori, njerëzor, thellësisht njerëzor, me ndjenja të sinqerta të cilat brofin vrullshëm. Antiheronjtë e veprës, Djaloshi i Pashëm dhe Peshku i Kuq, të vërtetë dhe të përditshëm asfiksohen brenda një jete të stisur, të cilën ata nuk do të donin ta përzgjidhnin vetë. Dhe rebelohen: me ëndërrimet, me marrëzinë, me të qeshurën, me pikturën”, - shkruhet në faqen e pasme të botimit greqisht të novelës botuar këtë vjeshtë në Athinë nga “Gutenberg”.
Letërsia e Koço Kostës nuk është e lodhshme
Letërsia e Koço Kostës nuk është e lodhshme, është një kundje që të prek me imazhet. Ka kalkulime “llaftarisht” të bukura në faqet e romanit të Koço Kostës. U bënë shumë ngjarje të njëkohshme. Dhe përqark ankth e dëshpërim që kullon nga lart, gjithandej. Diell i gënjeshtërt, ulërimë e përvajshme.
Ironia, dhuna e letërsisë së tij shpërthen e shqetësuar, duke kontestuar së bashku gjuhën dhe parodinë, duke u dukur njëherësh si neoklasik, herë-herë i mbledhur si hermetik apo i ndarë në copa ekspresionizmi. Po aq i dukshëm dhe i ngjashëm, pikërisht si François Rabelais dhe Joyce që do t’i ishin afruar «në krah» dhe «në vesh», mesazhet e romanit të Koço Kostës shndërrojnë në copa çdo kod, obsesion apo zemërim, drejtimet e tij lexohen si domethënëse; shkatërrojnë çdo funksion apo finale komunikuese, prezantojnë mbi të gjitha vetveten dhe pikërisht fantazmat në një ëndërr të panjohur, tronditëse prej lexuesve, të cilët e marrin në rastin e parë romanin.
Pasuria komplekse gjuhësore
Pasuria komplekse gjuhësore dhe tematika e veprës e lidhur dhe e ndërtuar mes një tërheqjeje viskoze të fatit të personazheve vazhdon të krijojë një lloj “gudulisjeje” letrare gjatë leximit të shumëfishtë, parametra të gjatë e të ndryshëm prej njëri-tjetrit, sipas presupozimeve të paragjykuara dhe të paorientuara: me çmimin që të racionalizojë një fund në të kundërt të pastërtisë së zhvillimit të skedave dhe referimeve mbi ndjenjën dhe arsyen e vendosur në një dimension revolte dhe sarkazme.
Brenda romanit “Absurdi” duket zhvillimi i plotë i një kulture ekstra-letrare kozmopolite dhe një mendim intelektual “absolutisht modern” në drejtim të gramatikës së vjetër të krahasuar me purizmin idiot që zëvendëson çdo naivitet letrar për të përfunduar produktin letrar në kohën tonë.
Universi i Peposh Buzbatit, Gavril Beshos, Shoshoja, femrat, është një univers që lëviz si me kafshë ujore, si sandale të varura, një e tërë e cila mjaftohet me një fjali në faqet më kulmore te librit (Ma!- ndjeva rënkimin e tij dhe një grimë një xhufkë si e lyer me miell më ngjau si fytyra e mëmës së pikëlluar të Gavrilit.)
Kjo lloj narrative, si këto përshkrime, ka me dhjetëra dhe qindra në të gjithë romanin e Koço Kostës. Është një vështrim gjuhësor, letrar dhe gjeografik i gjithi i mbështjellë si dielli rreth një peme që vetëm vazhdon të shpërthejë. Pse them se është një fragment në faqen kulmore të romanit? Se pas gjithë kësaj është ankthi, është meraku, dyshimi, është një betejë e vazhdueshme me vetveten për të dalluar se kush jemi, ku shkojmë, çfarë po bëjmë me identitetin dhe personalitetin tonë nën trysninë e një jete të keqndërtuar. Mendoj se kur e ka shkruar këtë roman, Koço Kosta ka menduar për një lexues të ngjashëm me vetveten, që ka të njëjtin tip të njohjes, duke menduar se e ka një lexues që është po si vetë shkrimtari. Më tej akoma, mendoj se beson se është një lexues që ka të njëjtën histori të njëjtën kulturë, të njëjtën shije leximi që bën pjesë në të njëjtën sferë kulturore. Ajo që ai nuk arin dot ta kuptojë e që i duket mashtruese, është se është aq i ndjeshëm në vendosjen e gjerave, të strategjive që shndërrohen në kurthe gjuhësore dhe artistike, sa nuk arrin dot t’i disiplinojë. Kjo i ngjason një lloj kufiri të cilin ai nuk e njeh, sepse talenti, mjeshtëria e përdorimit të fjalive, ndërtimi i dialogëve është e gjitha një marramendje ngazëlluese, një hapësirë kozmike në të cilën ka vend për çdo fjalë dhe asnjëra nuk është e tepërt, secila ka shumëkuptimësinë e vet. E reja është se fjalët flasin edhe pasi kanë mbaruar së lexuari. Fjalia është një lëvizje e pazëshme hera-herës.
Në romanin e Koço Kostës ndihet alarmi se gjuha shqipe po harrohet. Aty gjen thesare që kanë mbetur bashkë me braktisjen e provincave. Gjuha këtu nuk është horizontale, është e brishtë, sepse i mbijeton një superfuqie ekonomike që nuk është jona. Nga njëra anë kemi krijimtarinë letrare të të rinjve me një gjuhë të thjeshtë verbale, që të kujton pak neonatyralistët, nga ana tjetër kemi një roman thesar për pasurinë gjuhësore dhe kulturën gjuhësore në të cilën këto fjalë kanë gjetur vend, gjithmonë të ngarkuara me shijen e një letërsie superiore. Një kohë të gjatë pas leximit të romanit vërtitej një shprehje e Roland Barthes në mendjen time: «Gjuha nuk është as reaksionare, as progresiste, është thjesht fashiste, fashizmi në fakt nuk është të ndalosh të shprehurit, por të detyron të shprehesh». Jo vetëm në kohën e shkuar, por edhe sot e gjej me vend idenë se një vepër arti, një roman kërkon një lexim të thellë, duke qëndruar larg kritikës simbolike, patimi i së cilës është ai i përgjithësimit, i ngritjes vertikale të ndjesive të shumëfishta.
“Absurdi” nuk është roman i pashitur, por i lexuar
Koço Kosta është natyrisht një nga veshjet më të mira dhe të ngjyrosura që kultura e sotme ka ditur të grumbullojë në letërsi. “Absurdi” nuk hyn në libraritë që do ta shesin shumë, por në libraritë që nuk do ta mbajnë gjatë librin, sepse do të jetë i shitur. Ky libër nuk është menduar për t’u shitur, por është shkruar për t’u mësuar, Koço Kosta qëndron pas këtij libri si agjenti imobiliar, i cili brenda një zyre të vogël propozon dhe shet vila të mrekullueshme, hapësira të pafundme tokash për projekte të panjohura. Por duke evituar një rrugë direkt të letërsisë së fortë krijuese, të krijohet ideja e një letërsie mëndafsh me qëndisma prej një pasioni të madh, një hapësirë kohore që e trondit lexuesin që më shumë se një ushtrim letrar është stil i vetë librit. Një libër i bërë nga asgjë, sikur të kujtojmë G. Flaubert, sepse Koço Kosta ka imagjinuar sikur e gjithë letërsia është zhdukur. Koço Kosta nuk është gjë tjetër veç narrativa e tij e shkëlqyer.
Mbi këtë mbulesë të butë stilistike marrin formë personazhet brenda një pasioni dhe ngjarjesh gjithmonë gjatë leximit, por me një shpejtësi, e cila nuk lejon të mërzitet mënyra e prozës, një ngjarje që vërtitet mes realitetit dhe rikthimit të tij përmbys përmes ëndrrës, një nerv narrativ pa humbur në labirintin e possibili excursus si në novelë. Efekti i përbashkët nuk prek defektet e pikturës së vendeve të cilat nuk shpëtojnë për asnjë çast nga një përshkrim i ndarë, i hollësishëm dhe këmbëngulës, jo vetëm i përshkruar, por duket sikur janë rivendosur lapsat sërish për t’i çuar deri në perfeksion letrar.
A t’jua tregoj të gjithë historinë e këtij romani?
A t’jua tregoj të gjithë historinë e këtij romani? Jo, sepse dua që ta lexoni dhe të ndiqni ritmin e logjikës suaj, të përcaktoni kufijtë e imagjinatës suaj, të ndërgjegjësoni dashurinë tuaj për romanin e vërtetë, pa dyshuar se ju kam mashtruar. Mos harroni vetëm një gjë, nga më të bukurat që kam lexuar në jetën time, Gavrili arratiset dhe mëma e tij bashkë me hamendjet tona enden duke vëzhguar gjatë gjithë romanit një palë sandale të varura në një pemë.
Unë ktheva shpinën dhe vështroja tek ajo degë e shtrirë e drurit të vidhit dhe vëreja fytyrat e habitura aq mjerane të sandaleve të Gavrilit. Kullonin vrer. Ato sandale përplasën mbi mua një shtrëngatë të furishme malli e dhembjeje. Tërë vetja ime ishte bërë klithje.
Mes këtyre imazheve është Shqipëria e 100 fytyrave, ajo e viteve ’80, kur radha, qumështi, puna, njeriu, personaliteti, dinjiteti, dashuria ishin zvogëluar deri në skamje, deri në asgjë. Absurdi paska ikur tej! Ai, gjithashtu, edhe ndodhet përbrenda secilit nga ne përqark: në oksigjen. Tej në formën më të fëlliqur! (në formë të tillë, o Shosho, që Peposh Buzbatët përpiqen të ushtrojnë një fuqi profetike!) Vështrova te Suzi. Ajo qe zvogëluar dhe brerohej sikur të priste sulmin e epilepsisë.
Për të gjitha të thënat dhe të pathënat që mund të zhvilloni më tej, pasi ta lexoni romanin, e dua letërsinë e Koço Kostës.