E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikohen në ZRPP pronat e deputetit, sekuestrohen disa dokumente



Të hipotekuara shtëpia dhe 1.5 ha tokë, në proces hipotekimi disa prona të vëllezërve, si dhe një pallat që do ndërtonte me ortakët në Fier deputeti. Ditën e ngjarjes, paradite, Fatmir Xhindi kishte pirë kafe në Fier

Nis verifikimi i pronave të deputetit Fatmir Xhindi në ZRPP në Fier. Dje, grupi hetimor i ngritur për vrasjen e tij ka sekuestruar disa dokumente në ZRPP. Konflikti i pronësisë është një nga pistat e dyshuar, ndaj dhe kanë filluar verifikimet për këtë pistë deri në detaje. Dy oficerë të Policisë Gjyqësore, pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë marrë të gjitha dokumentet, në të cilat vërtetohen edhe pronat e deputetit Xhindi. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, rezulton se disponon si prona të tij, një shtëpi dhe një sipërfaqe toke prej 1.5 ha, e cila është e mbjellë me pisha në fshatin Kurjan të komunës me të njëjtin emër. Këto prona mësohet se kanë qenë të hipotekuara brenda legjislacionit shqiptar, si dhe janë cilësuar të rregullta. Nga ana tjetër, mësohet se në proces hipotekimi janë disa sipërfaqe toke të vëllezërve të ish-deputetit, të cilët janë në pritje të marrjes së hipotekës. Po ashtu, nga burimet në grupin hetimor bëhet e ditur se disa javë më parë deputeti Xhindi së bashku me një ortak dhe një pronar toke, që ndodhet në lagjen “1 Maj” në Fier, kanë rënë dakord që të ndërtojnë një pallat shumëkatësh. Vendi në të cilin pritet të ndërtohet ky pallat ka si sipërfaqe prej 800 metra katrorë, ku 500 metra katrorë janë në bashkëpronësi të Fatmir Xhindit, së bashku me ortakun e tij, Kujtim Xhufi. Ndërsa 300 metrat e tjerë mësohet se janë në emër të pronarit të tokës. Mësohet se palët, mes tyre edhe ish-deputeti Xhindi, pasi kanë kryer procedurat shkresore, kanë shkuar në zyrën hipotekore Fier, për të kryer regjistrimin, pasi do të paraqisnin dokumentacionin për leje ndërtimi për fillimin nga puna të pallatit. Gjithashtu, mësohet se nëpërmjet një akti noterial ish-deputeti autorizonte administrator të firmës për ndjekjen e punimeve krushkun e tij, Lad Faria. Burime nga grupi hetimor sqaruan se të gjitha procedurat e ndjekura kanë qenë të rregullta, por ende nuk është kryer hipotekimi, pasi dosja është në shqyrtim e sipër. Të gjitha dosjet, të cilat kanë lidhje me ish-deputetin Fatmir Xhindi ndodhen në duart e hetuesve dhe të prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilët sekuestruan të gjithë dokumentacionin pas paraqitjes së një shkrese zyrtare të firmosur nga kreu i institucionit. Në fund, burimet shtuan se çdo veprim procedural që ka të bëjë me veprimtarinë e kësaj sipërfaqe toke, për ndërtimin e pallatit është i pezulluar, deri në zbardhjen e plotë të vrasjes. Ndërkohë po nga grupi hetimor mësohet se paraditen e ditës së ngjarjes, deputeti socialist kishte pirë kafe në Fier dhe më pas është nisur për në fshatin e origjinës, Kurjan. Ndërkohë, prokurorët dhe policia po vazhdojnë konsultat e përbashkëta hetimore. Paraditen e djeshme prokurorët e çështjes, Ardian Nezha, Adnand Xholi, zëvendësprokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Kosta Beluri, kanë zhvilluar një mbledhje të shkurtër me drejtuesin e krimeve të hapura, Nikolin Bala, në ambientet e prokurorisë. Pas mbledhjes, dy prokurorët Nezha dhe Xholi janë nisur në drejtim të qytetit të Fierit, ku edhe do të vazhdojnë hetimet më nga afër për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi. Ndërsa mësohet se pasditen e dy ditëve më parë, dy hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë rikthyer sërish në qytetin e Fierit, ku edhe kanë vazhduar punën, sipas udhëzimeve të marra.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›