E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darka e Fundit? Krishti e mbajti të mërkurën, dhe jo të enjten

21/04/2011  Polemikat për të nuk kanë të reshtur… “E famshme” prej shekujsh, Leonardo da Vinçi e përjetësoi në pikturën e tij, ndërsa më pas edhe Dan Brown do ta bënte “strumbullar” të librit të tij bestseller, “Kodi i da Vinçit”.

“Darka e fundit” vazhdon të tërheqë vëmendjen jo vetëm të besimtarëve të krishterë, por edhe të artistëve dhe shkencëtarëve.

Nëse jo shumë kohë më parë, ekspertët e artit arritën në një përfundim krejt të ri lidhur me identitetin e mundshëm të njeriut të vendosur në kuadrin “Darka e Fundit” në krahun e djathtë të Jezu Krishtit, rezultat që trondit nga themelet gjithë teorinë ku Dan Braun ka bazuar tezën e tij, tani shkencëtarët dalin në përfundim tjetër. Por këtë radhë lidhur me natën se kur u mbajt “Darka e fundit”.

Kolin Humphreys, një shkencëtar në Universitetin e Kembrixhit, është i sigurt për një gjë: se Darka e Fundit e Krishtit u mbajt të mërkurën dhe jo të enjten.

Këtë fakt, ai e ka publikuar në librin e tij, “Misteri i Darkës së Fundit”, me anë të të cilit profesori i njohur kërkon të “çmontojë” datat e pranuara në krishterim për festimin e Pashkëve referuar të dhënave astronomike, historike dhe biblike.

E në qoftë se teza e tij do të ishte e vërtetë, ajo që zakonisht festohet si Darka e Fundit, do të ishte në fakt e parafundit e Jezu Krishtit para kryqëzimit të tij.

Dhe rrjedhimisht, E enjtja e Shenjtë i bie të shtyhet për një javë.

Kërkimet e historianit të Kembrixhit nisën pasi ai pa sesi kishte një mospërputhje të dukshme në Bibël. Ungjilltarët Mateu, Marku dhe Luka shkruan se Darka e Fundit, përkoi me fillimin e kremtimit të Pashkës hebreje, ndërsa Gjoni thotë se ishte një vakt normal që hahet një ditë më parë.

Humphreys beson se “populli hebre nuk e ngatërroi kurrë drekën e Pashkëve me një tjetër vakt, kështu që ka shumë gjasa që ungjijtë të jenë të gabuar në lidhje me të”.

Darka e Fundit sipas feve krishtere është darka e fundit që Jezu Krishti kishte shtruar për rrethin e tij të ngushtë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›