E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati 7 fletë-arreste të reja

Pas katër arrestimeve të para të kryera në kuadër të operacionit Nitromak, priten pranga të tjera. Asnjë prej të dyshuarve nuk është zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes

TIRANË - Katër arrestimet e kryera në kuadër të operacionit “Nitromak”, pritet që të pasohen edhe nga 7 fletë-arreste të tjera. Arrestimet e ardhshme priten të kryhen brenda javës, po në kuadër të hetimeve të dosjes “Nitromak”. Burime tepër të besueshme pranë grupit hetimor thanë për “Korrieri”, se katër prangat e disa ditëve më parë nuk i japin fund linjës së dhënies së lejeve të lëndëve plasëse për përdorim civil. “Mendojmë që brenda kësaj jave do t’i japim fund punës hetuese disamujore, që ka nisur që në fund të vitit 2007”. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se arrestimet e reja nuk do të përfshijnë më institucionin e Mbrojtjes. Ata saktësojnë se këta shtatë të akuzuar janë të përfshirë në pjesën e rrjetit që merrej në mënyrë të paligjshme me dhënien e lejeve. “Arrestet e reja që presim të bëjmë, janë pjesë e objektit të punës sonë, por ata nuk janë pjesë e zyrtarëve të kësaj ministrie”, - saktësojnë burimet. Gjatë fazës së parë të operacionit të koduar “Nitromak”, të realizuar me sukses katër ditë më parë, u arrestuan      

Shkëlzen Madani, 44 vjeç, drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve, Kadri Suli, 53 vjeç, ish-komandanti e Brigadës së Furnizimit në Strukturat e Forcave të Armatosura, Aurela Çota, 25 vjeçe, përfaqësuese e shoqërisë “Nitromak Albania Sh.p.k”, dhe Ferdinand Hoto, 48 vjeç, administratorin e shoqërisë “Geonconsult”. Katër të arrestuarit e operacionit “Nitromak” pritet që të dalin gjatë ditës së sotme para gjykatës, për të marrë masën e sigurisë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›