Darka e fundit e një polici të trishtuar
Kjo histori është e trishtë siç janë shumë histori të tjera në këtë vend. Një polic i burgut të Drenovës në Korçë ka vrarë veten në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ilir Sadikaj kishte mbaruar turnin e tij kur iu drejtua një zone në periferi të qytetit. Vuri celularin në regjistrim dhe qëlloi veten me pistoletë në gojë. Pamjet kanë shokuar kolegët e tij.
Sadikaj vuante prej depresionit dhe siç raporton GSH kishte qerasur miqtë e tij në një darkë lamtumire para vetëvrasjes. Ai u kishte thënë shpesh atyre se kjo ishte darka e fundit. Sadikaj i përqafonte shpesh ata gjatë kësaj darke.
Është tronditëse të mësosh se si një njeri që kishte lajmëruar vdekjen e tij nuk ndalohet nga askush. Pak ditë më parë ai sërish kishte tentuar vetëvrasjen në banesë, por ishte ndaluar nga vajza e tij adoleshente. 17 vjeçarja e kishte ndaluar babain, por nuk e shpëtoi dot për herë të dytë.
Mësohet se shkaqet e depresionit të tij kishin lidhje me borxhet e shumta. Paratë e marra i shpenzonte në bixhoz. Panorama raporton se gjendjen e tij e kishte rënduar edhe diagnostikimi i të shoqes me një sëmundje të rëndë.