Oferta e çmendur për Albpetrolin, nga një fond privat investimesh në Çikago
Kompania SilkRoad Equity, e cila ka bërë ofertën më të lartë, 850 milionë euro për blerjen e Albpetrolit, është një fond investimesh privat, me seli në Çikago.
Ky fond ka një portofol të larmishëm të kompanive publike dhe private. Ai është bashkëthemeluar nga Andrew “Filip” Filipowski dhe Matthew Roszak në vitin 2003.
Sipas përshkrimit që gjendet në faqen e saj, SilkRoad Equity investon kapitalin e vet në kompanitë me pozita të forta në treg, markave të njohura dhe kompanitë me potencial të madh rritjeje.
Ky fond investimesh i ka shtrirë interesat e veta në disa fusha, si teknologji, media, shëndetësi, energji, prona të patundshme etj.
Sipas përshkrimit të tyre, ata fokusohen tek privatizimet dhe rritja e perfomancës së kompanive që blejnë. Në shënimet e Komisionit të tenderit, thuhet se ky fond e ka plotësuar formularin e ofertës, por nuk e ka nënshkruar. Nuk është ende e qartë nëse kjo pakujdesi është e qëllimshme për të testuar një herë tregun, apo është një formalitet që nuk i kanë kushtuar rëndësi.
850 milionë euro janë çmim i konsiderueshëm dhe i mjaftueshëm për të nxjerrë nga kriza qeverinë shqiptare, e cila nuk ka më as lekë për dieta dhe benzinë.
Nuk dihet kush qendron pas kësaj oferte nga pala shqiptare, por kushdo që të qendrojë, duket se kemi të bëjmë me një vendosmëri të madhe për ta blerë me çdo kusht Albpetrolin, ose për t’i prishur punë me çdo kusht dikujt tjetër.
