E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darka e gabuar, tragjikomedia shqiptare

Për Shqipërinë dihen pak gjera, përveç se është një vend i vogël, i varfër, i dhunshëm, që ndodhet mu në mes të Evropës. Vetëm një shkrimtar nga ky vend është i njohur ndërkombëtarisht. Është autori i Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, Ismail Kadare, romani i fundit i të cilit Darka e gabuar na ka ardhur këto ditë në gjuhën frënge. Kadare tregon aty trazimet e një vendi, i cili pas Luftës së Dytë Botërore, gjendet i shkatërruar për shkak të zgjedhjeve të veta politike.

Ndodhemi në zemër të Ballkanit. Perandoria Osmane është shkatërruar. Përpara Luftës, Musolini ia aneksoi Shqipërinë, Italisë fashiste. Në Tiranë, Enver Hoxha nuk e ka marrë ende pushtetin, por Partia Komuniste ishte e fuqishme në Evropë, një degë e së cilës ishte ngritur edhe në Shqipëri. Sidoqoftë në Konferencën e Jaltës, në shkurt të vitit 1945, të mëdhenjtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kanë vendosur që Shqipëria të jetë pjesë e botës lindore.

Kadare zgjedh këtu të tregojë historinë e madhe duke u nisur nga një histori e vogël, atë të bashkëjetesës së vështirë të dy mjekëve në qytetin e Gjirokastrës, në jug të vendit, apo qyteti i gurtë, që është edhe vendlindja e autorit.

Një ditë, në 1943, zbarkojnë një kontingjent ushtarësh gjermanë hitlerianë, drejtuar nga koloneli Fritz von Schwabe, i dekoruar me kryqin e hekurt dhe që paraqitet si një prej ish-miqve më të mirë të doktor Gurametos. Rreth 20 vjet më herët, të dy burrat kanë studiuar së bashku për mjekësi në Mynih. Doktor Gurametoja i madh organizon një darkë të kushtueshme për nder të ushtarakut gjerman. Po çfarë ndodh gjatë kësaj mbrëmjeje? A është Gurameto një hero, apo një tradhtar? Gjithmonë është ai që thotë se ishte një darkë e gabuar. Gjendja degjeneron. Gjermanët largohen nga dhoma. Koloneli Fritz von Schwabe e pyet mbi Besën, aq shumë të lartësuar nga Gurametoja, gjatë kohës kur ata ishin studentë, - Besa një fjalë që do të thotë të mbash fjalën, një kod nderi, që nënkupton një formë mikpritjeje nga ana e shqiptarëve.

Çfarë roli luan kjo darkë në histori? Ne mund të harrojmë, kështu thotë Kadare, që Shqipëria nuk kishte krijuar komplotin e vet të bluzave të bardha, mbi modelin e operacionit masiv, montuar nga Kremlini, për të diskredituar mjekët hebrenj që konsideroheshin si kundërshtarë. Në atë kohë, shumica e shqiptarëve ishin të tërhequr nga komunizmi, Gjermania Perëndimore përshkruhej shpesh si e urryer, ajo e Lindjes si parajsore dhe Stalini shihej si një hero. Kjo darkë e famshme me gjermanët vjen si me porosi me një fjalë. Gurameto merret në pyetje, arrestohet dhe torturohet për një kohë të gjatë.

Në komplotin e bluzave të bardha në versionin shqiptar, Ismail Kadare përzien me mjeshtëri gjithë legjendat dhe pengjet e vendit të tij. Ai i ofron kështu lexuesit një ngarkesë tragjikomike kundër gjithë diktaturave, që ai ka njohur, osmane, fashiste dhe komuniste. Një ngarkesë e mbushur me humor, çmenduri dhe tallje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›