PS: Kriza po rrënon familjet shqiptare
Partia Socialiste reagoi dje ndaj deklaratës së zëdhënëses së PD, duke akuzuar Qeverinë se po rrënon familjet shqiptare. Deputeti i saj, Xhemal Qefalia, akuzoi Kryeministrin Berisha se nuk po e qeveris vendin. “Që Sali Berisha nuk po e qeveris më vendin, kjo dihet prej muajsh, që situata ekonomike e familjeve shqiptare është e rrënuar, këtë e dinë më mirë se kushdo tjetër vetë shqiptarët. Por Kryeministri i pykave, që ka zbrazur arkën e shtetit dhe nuk mund të bëjë investimet e premtuara pasi nuk ka para, ka nisur valën e dytë të inaugurimeve, duke prerë shirita rrugësh të inauguruara më parë. Sali Berisha t’i lërë përrallat dhe të bëjë transparencën, të hapë kutitë e të çlirojë ekonominë”, tha Qefalia. Reagimi i deputetit socialist erdhi pas deklaratës së Mëhillit, e cila citoi se “në krizë të thellë dhe të pashërueshme janë shokët bllokmenë dhe jo ekonomia e tregut të lirë”.