Dashamir Tahiri: Mbështetje pa kushte qeverisë
Aristir Lumezi
Deputeti çam i qarkut Vlorë, Dashamir Tahiri, analizon situatën në PDI dhe i cilëson pazar për karrige qëndrimet e mbajtura nga përfaqësues të lartë të kësaj partie ndaj koalicionit të djathtë. Sipas tij, mbështetja e tij në Kuvend ndaj qeverisë Berisha do të jetë e pakushtëzuar, ndërsa shprehet se do të kërkojnë riorganizimin e partisë për ta kthyer atë në një parti moderne evropiane.
Zoti Tahiri, ju jeni deputeti i parë i PDI dhe për shumëkush profili juaj është pak i njohur. Mund të jepni për lexuesin tonë një histori të shkurtër rreth jetës suaj?
Unë jam lindur dhe rritur në Vlorë në një familje të thjeshtë, por patriotike. Pranë kësaj familje mësova vlerat e para të patriotizmit dhe atdhedashurisë. I rritur si të gjithë, nën vështirësitë e sistemit diktatorial dhe duke parë vuajtjet dhe sakrificat e mëdha të prindërve për të na rritur, krijova konceptet dhe opinionet e mia të para politike ndaj atij sistemi, të cilat kulmuan me arratisjen time në vitin ‘89 në Itali. Ishte e pamundur për mua të qëndroja nën shtypjen çnjerëzore të sistemit komunist dhe kështu vendosa të largohesha. Në Itali fillova të zgjeroj botëkuptimin tim rreth shumë gjërave, mes të cilave edhe respekti për familjen, vendin e gjakun dhe kështu vendosa që në vitin 1993 të kthehem përsëri në Vlorë për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen time pranë njerëzve të mi.
Cili ka qenë aktiviteti juaj politik deri ditën që ju u zgjodhët deputet për në Kuvendin e ri?
Kam mbështetur çështjen çame që në fillimet e mia. Prej vitit 1992 jam anëtar i shoqatës “Çamëria”. Kam marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e zhvilluara në qytetin e Vlorës, e më pas brenda mundësive të mia fillova të mbështes financiarisht edhe aktivitete më të gjëra dhe me pjesëmarrje më të madhe për të ndërgjegjësuar dhe sensibilizuar opinionin e gjerë për kauzën tonë. Jam anëtar i kryesisë së PDI dhe përfaqësuesi i kësaj force në Këshillin Bashkiak Vlorë prej vitit 2007. Gjatë kësaj periudhe kohore mund të listoj me dhjetëra aktivitete dhe impenjime të tjera politike, ku më kulminantet janë pjesëmarrjet dhe tubimet për të përkujtuar masakrat greke në Qafë-Botë, financimin dhe inaugurimin e memorialit për falënderimin e popullit të Dukatit për mikpritjen dhe strehimin që na dhanë gjatë eksodit tonë, fushatat e ndryshme elektorale dhe përpjekjet e mia për forcimin dhe modernizimin e PDI në rang kombëtar.
Cili është vizioni juaj për zgjidhjen e çështjes çame dhe si mendoni ta përdorni mundësinë e qenies në Parlament në funksion të kësaj kauze?
Besoj se çështja çame duhet të trajtohet nën një prizëm të ri dhe shumë më të elaboruar se deri tani. Është momenti, së pari, të bëjmë një riorganizim dhe një ripërshtatje të PDI-së për t’u përshtatur më së miri me një parti moderne parlamentare. Kjo jo vetëm për të prezantuar më së miri çështjen tonë, por edhe për të bashkuar rreth nesh sa më shumë njerëz, kontribute dhe vlera. Vetëm të bashkuar dhe të organizuar do të mundemi të na dëgjohet zëri dhe të çojmë me sukses përpara përpjekjet tona. Gjithashtu po përgatis një platformë politike, e cila do të shërbejë si udhëzues politik për punën tonë. Për këtë qëllim jam në kontakt të vazhdueshëm me bazën e PDI-së për të marrë dhe identifikuar prej tyre mendimet dhe sugjerimet më të vlefshme. Është momenti që partia jonë të paraqitet në opinionin publik si një parti moderne parlamentare në të gjithë kuptimin dhe veprimin e saj. Kjo platformë do të mbështetet pa dyshim edhe nga një axhendë e detajuar parlamentare për zgjidhjen e çështjes çame. Kjo jo vetëm për të lobuar në parlamentin shqiptar, por për ta ndërkombëtarizuar çështjen tonë. Do përpiqemi të sensibilizojmë të gjithë aktorët politikë shqiptarë e evropianë rreth kërkesave tona legjitime dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre.
Cilat janë kërkesat e popullsisë çame që presin zgjidhje?
Së pari, popullsia çame kërkon një falje të madhe publike për atë genocid biblik që është kryer kundër nesh. Mendoj se ka ardhur momenti për të pranuar dhe kapërcyer këtë ngërç të vjetër mes nesh dhe shtetit grek. Gjithashtu në respekt të vlerave evropiane, drejt të cilave kaq shumë edhe ne aspirojmë, kërkojmë respektimin e Kartës Universale të të Drejtave të Njeriut, pjesë të rëndësishme të së cilës janë edhe lëvizja e lirë dhe çështja e pronës. Është momenti që Greqia të dëshmojë se është një partner i denjë i Bashkimit Evropian se dhe politikat e vjetra vandeane dhe aspak integruese nuk janë më pjesë e politikës së tyre të jashtme. Popullsia çame është ura e bashkimit të Shqipërisë dhe Greqisë dhe e gjithë politika jonë do të synojë pikërisht këtë integrim brenda familjes së madhe evropiane. Një diplomat i huaj i akredituar në Greqi pak kohë më parë, pati deklaruar se marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë nuk do të arrijnë kurrë kulmin e tyre, pa zgjidhur përfundimisht çështjen çame dhe unë e mbështes totalisht këtë deklaratë.
Ditët e fundit ka pasur disa debate brenda PDI, ku janë dalluar dy qëndrime. Cili është pozicioni juaj lidhur me këto debate dhe si e shikoni zgjidhjen e tyre?
Siç e thashë edhe më sipër, PDI po përballet me faktin që ajo tashmë është një parti parlamentare. Është hera e parë që forca jonë politike arrin një rezultat të tillë dhe ky duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë. Për mua personalisht çështja çame është e shenjtë. Ajo nuk do ngatërruar me asnjë pazar apo me negociata politike për karrige pushteti. Individë të ndryshëm brenda grupimit tonë, të cilët do të përpiqen të bëjnë diçka të tillë, do të gjejnë gjithmonë kundërshtinë time absolute. Ne jemi pjesë e koalicionit të djathtë dhe si të tillë do të flasim dhe komunikojmë si partnerë me Partinë Demokratike dhe në asnjë rast të bëjmë presion me votën tonë. Unë e kam deklaruar dhe e deklaroj përsëri, që do të jap mbështetjen time të plotë dhe të pakondicionuar qeverisë “Berisha”. Jo vetëm kaq, por partia jonë duhet të demonstrojë që ka forca të përtërihet dhe të thithë në gjirin e saj sa më shumë njerëz të rinj. PDI nuk është monopol i askujt dhe si i tillë është zëri i të gjithëve ne. Unë gjithashtu do të loboj në parlamentin e ri për kauzën tonë me të gjithë kolegët e mi parlamentarë dhe në mënyrë të veçantë me ata kolegë që çështja dhe gjaku na bashkon më shumë.
Si mendoni të arrini një bashkëpunim të ngushtë në Kuvend edhe me deputetë të tjerë me origjinë çame?
Unë menjëherë pas zgjedhjeve kam bërë një thirrje publike, që rreth kauzës tonë të bashkoheshin të gjithë deputetët me origjinë çame në Parlament. I përgjegjshëm se çështjes çame si çështje e madhe kombëtare duhet t’i bashkohen parlamentarët dhe të gjithë politikanët shqiptarë, kush më shumë se ata me origjinë çame e kanë këtë obligim. Duke vlerësuar z.Idrizi për kontributin e çmuar që ka dhënë deri tani për promovimin e çështjes çame, kam qenë dhe jam në kontakt të vazhdueshëm me të, për të ndërmarrë nisma të përbashkëta me të në parlamentin shqiptar. Kam gjetur mirëkuptimin dhe angazhimin e tij të plotë. Më vjen keq që për arsye xhelozie, konkurrence apo dhe politike, dikujt brenda PDI-së, në të majtën shqiptare, apo qarqeve të caktuara, nuk u pëlqeu ky bashkëpunim dhe u munduan ta denigrojnë dhe ta shpërdorojnë mediatikisht. Reagimi im për t’i denoncuar këto përpjekje vjen nga morali im personal, ku e drejta, ndershmëria dhe vendosmëria në favor të kauzës tonë të shenjtë si amanet i të parëve. Për të gjithë këto arsye, si analiza, riorganizimi i PDI-së si parti reale dhe moderne, dhe çështja e bashkimit të të gjithë çamëve, unë kam kërkuar dhe po mbledh firmat për mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Jam në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë komunitetin Çam, mandati im është i tyre dhe kam gjetur mirëkuptim të plotë.
Idrizi: Mbështetje nismave për çamët
“Do jemi bashkë me deputetin e PDI-së, Dashamir Tahiri në të gjitha nismat që do të kenë lidhje me çështjen çame në Kuvendin e ri”, u shpreh pak ditë më parë Shpëtim Idrizi në përgjigje të deklaratave të përfaqësuesve të lartë të PDI-së për një bashkim të tij me këtë parti në një grup parlamentar. Deputeti socialist i ka cilësuar deklaratat e deputetit të PDI-së, Tahiri, për një bashkim në një grup parlamentar të të gjithë deputetëve me origjinë çame në Kuvend, si dëshira individuale të tij. “Unë nuk mund të komentoj dëshirat e njerëzve, por do të jem në kontakt të vazhdueshëm me deputetin Tahiri dhe bashkë do të paraqesim dhe mbështesim nisma në interes të çështjes dhe komunitetit çam në Shqipëri”, u shpreh Idrizi.
Muhedini akuza socialistit
Kreu i PDI-së, Tahir Muhedini, ka bërë të ditur kërkesën e deputetit socialist Shpëtim Idrizi për t’u bërë pjesë e partisë që mbron interesin e komunitetit çam. Në mbledhjen e kryesisë së katër ditëve më parë, ishte pikërisht kjo çështje në rendin e ditës, por socialisti Idrizi e mohoi në mënyrë kategorike që të ketë bërë kërkesë për t’u bërë pjesë e kësaj partie, duke iu larguar PS-së. “Arsyeja e vetme pro pranimit të z.Idrizi do të ishte rikuperimi i mandatit që na u vodh nga po kjo forcë politike. Por më mirë që z.Idrizi u tërhoq, në këtë mënyrë na dha mundësinë që të njihnim karakterin e tij të dobët! Ne nuk do të bashkëpunojmë me ata që çështjen çame e kanë biznes!”, deklaroi Tahiri pas mbledhjes.