E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitore si e Ramës

Edmond Arizaj 

Edi Rama do të jetë sërish kryetari i Partisë Socialiste. Duket se kjo nuk ka të bëjë më vetëm me dëshirat, ambiciet apo karrierën e Ramës, por ka të bëjë edhe me dëshirat, ambiciet dhe karrierat e hierarkëve të lartë në krye të Partisë Socialiste, disa prej të cilëve me tërheqjen e tij, përfundimisht humbisnin të gjitha privilegjet, madje rrezikonin të humbisnin dhe atë pak respekt e besnikëri shpirtërore (trashëguar nga vitet e para të PS-së) që u ka mbetur aty-këtu në bazë.  Megjithatë socialistëve do t’u duhet të përdorin kandarin; nëse rëndon më shumë Edi Rama kryetar, apo nëse pesha më e madhe i shkon Partisë Socialiste, asaj të cilës i dhanë votën dhe që pas kongresit të fundit, mund edhe të mos ekzistojë më. Duke nisur nga data 29 gusht e këtij viti e deri në vitin e largët 2013, socialistët kanë kohë të peshojnë, të matin e të kalkulojnë, në gjetjen e vetvetes.
Sot për sot, me shumë gjasa edhe për shumë kohë, kemi një Parti Socialiste me fytyrën e Edi Ramës dhe me trupin e pak të tjerëve hierarkë të vjetër. Nëse këta hierarkë vendosin se Rama nuk do të jetë më në krye të PS-së, ashtu do të bëhet, nëse vendosin të kundërtën, sërish ashtu do të bëhet. Ndoshta vendimi për të mbajtur sërish Ramën kryetar nuk ka të bëjë aspak me filozofitë filozofike të Ramës, nuk ka të bëjë as me besimin e palëkundur se Rama dhe vetëm ai mund ta bëjë “Shqipërinë lule”, nuk ka të bëjë as me progresin e as me integrimin që paskërkan për emërues të përbashkët Edi Ramën. Ky vendim mund të jetë shumë më i thjeshtë, shumë më pragmatist, shumë më njerëzor. Një vendim interesi. Një ose disa interesa të përbashkëta i lidhin këta njerëz, duke nisur nga interesat politike, klanore e duke përfunduar, për hir të xhentilesës gazetareske, sepse nuk besohet se janë të fundit, me interesat ekonomike. Në këtë lidhje nuk ka të bëjë aspak ideali, nuk ka të bëjë mendimi dhe ideja e përbashkët. Lidhja është e thjeshtë; dikush jep mbështetjen politike dhe dikush jep mbështetjen financiare. Dhe sigurisht këtë lloj lidhjeje nuk ka statut që ta zhbëjë, nuk ka humbje në zgjedhje që ta shkatërrojë, nuk ka kundërshtar që t’i dalë përballë.
I siguruar nga kjo lloj lidhje, njërën anë të së cilës Rama e mban vetë fuqishëm prej vitesh, ai del pa asnjë mëdyshje në konkurrim me çdokënd brenda Partisë Socialiste, madje ai mund të sfidojë edhe vetë Fatos Nanon, i cili në një përballje hipotetike mund të kishte rezultatin e Ramës në kongresin e vitit 2003. Asnjë rrezik nuk ka për Ramën. Nano vazhdon të flasë duke heshtur, Blushi duket se nuk do të kandidojë, ndërsa Malaj nuk e ka forcën e duhur. Dhe në një kongres që mund t’i shëmbëllejë pak a shumë një mitingu të porositur, zërat e këtyre të fundit do të mbyten nga fishkëllimat dhe thirrjet Rama-Rama. Sigurisht që pas dështimit të sigurimit të provave për vjedhjen e zgjedhjeve, Rama do ta ketë pak të vështirë të mbushë hapësirën boshe të socialistëve, plot tetë vjet opozitë, për më tepër kur vetë ai nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve, ose do të autokritikohet për gabime dytësore apo tretësore. Por përfundimisht brenda këtij viti, nga kryetar në detyrë, ai do të ribëhet mes duartrokitjeve dhe lotëve sërish kryetar. Kjo fitore nuk do t’i buzëqeshë aspak Ramës, por tjetërkujt, atyre që pas 24 vjetëve në krye të shtetit dhe pushtetit edhe mund të tërhiqen në vilat e tyre, brenda apo jashtë vendit (nga 1989-1990 e deri në 2013-2014, kur PS-ja do të ritentojë të vijë në pushtet, janë plotë 24 vjet). Kjo fitore do t’i heqë Ramës aureolën e njeriut të punës dhe do t’i mveshë, tashmë edhe në sytë e socialistëve të thjeshtë, rrason e kalkuluesit të orëve të vona. Kjo fitore do të zbehë në sytë e elektoratit gri, figurën e njeriut modern e demokratik dhe do të fiksojë siluetën e autokratit dhe diktatorit. Kjo fitore do ta bëjë Ramën shumë më të goditshëm, shumë më të brishtë, shumë më të lehtë për maxhorancën, ndërsa për shqiptarët do të mbyllet edhe ajo dritare shprese që zakonisht sjell opozita. Kjo fitore do të jetë e barabartë me humbjen e zgjedhjeve parlamentare. Rama nuk mori ndonjë votë të dukshme më shumë se çka marrë historikisht PS-ja, apo e majta. Rama nuk pati asnjë prurje mbresëlënëse në treçerekun e deputetëve të zgjedhur prej tij. Dhe mbi të gjitha, Rama humbi. Nëse Nano akuzohet se i la zgjedhjet, apo i fali, Rama humbi dhe një i humbur nuk mund të hiqet si fitimtar. Një i humbur si Rama nuk mund të imitojë pas dhjetë vjetësh Berishën në çdo humbje të tij. Një i humbur mban vendin e humbësit, aq më tepër kur ka qenë po vetë që ka vendosur rregullat e garës, brenda partisë dhe brenda shtetit. Kjo është humbje e pafalshme.
Megjithatë Rama do të fitojë. Për fatin e mirë të pak hierarkëve, Rama do të ulet statushmërisht sërish në kolltukun e kryetarit të PS-së, që i bashkuar me atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, na jep kopjativin e Berishës, por në opozitë. (Dikur edhe Pirro i Epirit fitoi, por ushtria e tij u shkatërrua, pavarësisht se Pirro ishte vetë në krye të betejës). Ndoshta për Partinë Socialiste ka ardhur koha e ridimensionimit, duke u shkëputur nga ideja e një lideri, duke shkuar tek ideja e një drejtuesi me shumë bashkëpunëtorë. Shqipëria ka 20 vjet që vuan nga kryetarët-liderë që nuk ikin nga kolltuqet. Rama ishte në radhë, megjithëse shumë nuk e besuan. Me këtë rast do të shohim të njëjtin film të lodhshëm, këtë radhë me ngjyra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›