Rriten pensionet në Korrik për artistët, ish të persekutuarit dhe akademikët
Rritja e pensioneve për të cilat efektet financiare kanë filluar tashmë e do të shpërndahen për të gjitha kategoritë e pensionistëve në muajin Korrik, do të aplikohet edhe për pensionet e veçanta. Në këtë kategori hyjnë të gjithë personat që kanë qenë të
persekutuar e që tashmë janë në pension, ish akademikët, personat me aftësi të veçanta por edhe kategoritë e Artistëve, dhe nënat me shumë fëmijë. Sipas burimeve nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore këto kategori do të përfitojnë një shtesë e cila do të konvertohet në shifra e do të llogaritet deri në 5-10 për qind. Sipas këtyre burimeve tashmë janë verifikuar e janë llogaritur të gjitha efektet të cilat do të jepen që pas një Korrikut për të gjitha kategoritë. Burimet konfidenciale sqarojnë se ashtu sipas deklaratave të kreut të qeverisë pensionet të cilat kanë një përfitim më të madh se kategoritë e tjera të pensionistëve do të përfitojnë një rritje më të vogël se ato që përgjatë viteve të mëparshme kanë përfituar rritje më të vogël. Në këtë kontekst ish Artistët do të përfitojnë një shtesë për pension pas datës një Korrik deri në masën 8-10 për qind. Ndërsa një tjetër kategori e cila përfshihet tek pensionet e veçanta ku bëjnë pjesë të gjithë ish të persekutuarit të cilat kanë mbushur moshën e pensionit do të përfitojnë 10-12 për qind shtesë rritjeje në muajin Korrik. Sipas burimeve nga ISSH, kjo kategori do të përfitojë një shtesë më të madhe se sa të gjitha kategoritë e tjera të cilat do të përfitojnë rritje të pensionit të veçantë. Një tjetër kategori e cila përfshihet në skemën e rritjes së këtij pensioni të cilësuar nga ekspertët e ISSH-së si pension i veçantë janë edhe nënat me shumë fëmijë të cilat do të përfitojnë 5-8 për qind rritje në pensionin e tyre. Ndërkohë që një tjetër kategori e cila është ajo e ish akademikëve të cilët përfitojnë deri më tani një masë pensioni që shkon deri në shumën 25000 lekë të reja. Këtë masë pensioni e marrin ndërkohë edhe ish Artistët. Sipas burimeve nga ISSH, masa e rritjes sipas një rritjeje mesatare për te gjitha këto kategori do të jetë 5-10 për qind për çdo kategori.
Fondi
Afro 2.7 miliardë lekë do të jetë fondi që qeveria do të verë në dispozicion të pensionistëve për rritjen e pensioneve gjatë vitit 2010. Ky fond prej 2.7 miliardë lekësh do të përdoret për rritjen e zakonshme të pensioneve në muajin korrik të vitit që vjen. Për rreth 520 mijë pensionistët në fshat dhe qytet qeveria do të shpenzojë vitin që vjen 80 miliardë e 917 milionë lekë, afërsisht 10 miliardë më shumë se viti 2009. Ky është totali i llogaritur për pensionet që ndahen çdo muaj dhe nuk ka të bëjë me shtesat që miratohen në qershor. Duke i marrë së bashku, fondi i shpenzimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore parashikohet të jetë 106 miliardë e 366 milionë lekë, ose 8.27 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Duhet qenë se 2.7 miliardë lekë të vendosura për rritje pensioni dalin nga rezerva e shtetit kontigjenca, për pasojë, qeveria ndan edhe 8.3 miliardë lekë të tjerë, të nevojshme për subvencionimin e humbjeve të shkaktuara nga raporti pensionist/kontribuues.
Pensionet e qytetit
Kështu, sipas llogaritjeve paraprake, një pensionist që trajtohet me pension maksimal qyteti, pra me pension të plotë do të marrë një shtesë prej 1900 lekësh në muaj dhe, si pasojë, të ardhurat mujore do të kapin nivelin e 21433 lekëve. Kjo rritje do të jetë kryesisht për disa kategori të veçanta siç janë pensionistët që kanë pasur status mjekë dhe kryesisht shefa shërbimesh ose mjekë profesionistë, pensionistët që kanë punuar në profesione të vështira dhe që për shkak të punës së vështirë kanë pësuar sëmundje profesionale. Kjo kategori pensionistësh do të përfitojë një rritje pensioni që do të jetë edhe rritja më e lartë nga çdo kategori tjetër e pensionistëve si në fshat edhe atyre në qytet.
Sigurimet shoqërore, prioritetet për 2010
Sigurimet shoqërore si një ndër hapat më të rëndësishme për përfitimin e plotë pensionit do të edhe prioritet për këtë vit. Gjithashtu, një rëndësi të madhe do të ketë dhe garantimi i një kostoje fiskale më të ulët; sigurinë financiare të pensionistëve dhe të drejtat e fituara të kontribuuesve, si dhe roli maksimal i shtetit në forcimin e kontrollit ndaj institucioneve të licencuara të investimeve, të cilat do të operojnë në tregun e sigurimeve e të pensioneve. Njëkohësisht, objektivi kryesor afatmesëm i përcaktuar në dokumentet strategjike si SKZHI 2007-2013, Plani Kombëtar i Zbatimit të MSA dhe dokumenti për reformën në pensione, është edhe zhvillimi bashkëkohor i skemës së sigurimeve shoqërore të detyrueshme dhe kombinimi i qëndrueshmërisë financiare të tyre, në kuadrin e një sistemi shumëkolonësh. Sipas specialistëve, mendohet që të gjitha këto do të mund të realizohen, falë përmbushjes së garantimit të mbulimit sa më të plotë të popullsisë së vendit me elemente të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të mbajtura në nivele të pranueshme.
Arta AGOLLI