Dashi:Grup pune për kostot e shërbimeve
Nga viti që vjen, çdo shërbim shëndetësor në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” do të ketë koston e tij. Pas prezantimit të dy rrugëve të reja për reformimin e Shëndetësisë nga ministri Vasili, drejtoria e QSU ka ngritur grupet e punës. “Sapo kemi ngritur grupe pune me përfaqësues të drejtorisë dhe drejtues të specialiteteve të ndryshme në çdo pavion. Do të tërheqim mendimin e specialistëve të fushës, do të konsultohemi me ekspertë dhe jemi të vendosur që të përfundojmë në kohën e caktuar përcaktimin e kostove për çdo shërbim që do të nxjerrim në shitje vitin e ardhshëm”, deklaroi dje drejtori i QSU, Ilir Dashi. Ai u ka kërkuar shefave të shërbimeve të hartojnë protokollet e mjekimit për çdo sëmundje, pasi kjo do të ndihmojë në përcaktimin e kostos që duhet të përballojë çdo shërbim. Një tjetër projekt madhor në sistemin shëndetësor është informatizimi i të dhënave. Krijimi i database do të ndihmonte në formalizimin e pagesave dhe kartelizimin e pacientëve, që do të marrin shërbim shëndetësor në sektorin publik. Sistemi i dixhitalizimit dhe informatizimit të gjithë sistemit në të gjitha nivelet e tij, që do të shoqërohet nga një informatizim intensiv, që nga qendrat universitare dhe deri te spitalet më të largëta.