E Diel, 1 Nëntor 2026

Tezat e provimeve, sipas profilit të shkollave



Tezat e provimeve të detyruara për Maturën Shtetërore 2010 do të hartohen në bazë të profilit të shkollës së mesme që ka mbaruar maturanti. Nga sa pohojnë Specialistët e Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjes së Nxënësve secila prej shkollave, në periudhën parapërgatitore do të punojë me programet e reja të specifikuara vetëm për profilin e saj. Tashmë është konfirmuar zyrtarisht se si për Matematikën, ashtu edhe Gjuhë-Letërsinë, testet e provimeve nuk do të përmbajnë pyetje jashtë programeve orientuese. Mësuesit janë udhëzuar të zhvillojnë një sërë provimesh të ngjashme me modelet e testeve të maturës së vitit të shkuar, për të parë nivelin e njohurive të fituara nga nxënësit, si dhe për të përmirësuar orientimin e tyre në temat ku shfaqin mangësi. Hartuesit e programeve orientuese pohojnë se për lëndën e Matematikës gjatë hartimit të testeve duhet mbajtur parasysh pesha për çdo linjë të përmbajtjes, si edhe përfshirja e kërkesave të tri niveleve të vështirësisë, në raportet 2:2:1(duke filluar prej nivelit minimal). Kërkesat duhet të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë e me shtjellim të argumentuar. Ndërsa për provimin e Letërsisë, skema e testeve do të jetë e kushtëzuar nga lloji i shkollës. Në këtë mënyrë, autorët dhe veprat do të mësohen sipas profilit që nxënësi ka ndjekur. Programi orientues për këtë lëndë është hartuar duke u mbështetur në programet e lëndës së Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, klasa X-XII, si dhe në tekste të tjera alternative të miratuara nga MASH-i, por që janë përdorur nga nxënësit gjatë vitit shkollor. Provimet e detyruara të maturës i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin përkatës. çdo maturant mbetës në provimet e detyruara (D1 dhe D2) ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (të vjeshtës), por nuk ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në universitet publike gjatë këtij viti. Të drejtën për t’u pranuar në shkollat e larta këtë vit do të gëzojnë vetëm ata maturantë që do të klasifikohen kalues në të katër provimet e maturës si në lëndët e detyruara, ashtu edhe në provimet me zgjedhje, që do të zhvillohen më 30 qershor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›