Pranverë italiane, ambasada çel stinën e eventeve në Shqipëri
“Italia dhe Shqipëria 2010 – dy Popuj, një Det, një Miqësi”. Nën këtë slogan u çel dje stina e evenimenteve, që ka për qëllim të theksojë raportin mes dy shteteve. E organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, në bashkëpunim me shumë partnerë institucionalë, në këtë aktivitet mori pjesë edhe zv.kryeministri e Ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Si evenimenti më i madh me karakter promovues i realizuar ndonjëherë në marrëdhëniet mes dy vendeve, kjo nismë e Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, do të shërbejë për të evidentuar dhe për të nxitur më tej potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, në shumë fusha e sektorë prioritarë, siç janë ekonomia, tregtia, energjetika, infrastruktura, transportet, kultura dhe shoqëria civile. Në fjalën e mirëseardhjes, Ambasadori i Republikës Italiane në Tiranë, z. Saba D’Elia e vuri theksin në kuadrin e privilegjuar të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, që dëshmohen qartë nga vizita e fundit e Kryeministrit Berisha në Itali, si dhe nga vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini në Tiranë më 12 prill. “Ky projekt është i hapur ndaj ideve e nismave, ftojmë me këtë rast të gjitha subjektet shqiptare e ato italiane të marrin pjesë aktivisht për realizimin e veprimtarive të ngjeshura të kësaj stine”, tha D’Elia. Ndërsa zv.kryeministri Meta, duke e cilësuar si një stinë të madhe të miqësisë, vlerësoi se pranvera Italiane do të ndriçojë nga një këndvështrim unik lidhjet e forta kulturore e shpirtërore mes dy popujve. “Rreth 20 vjet më parë kishim një det që na ndante, ndërsa sot kemi një det që na bashkon, e mbi të gjitha një projekt të përbashkët: Evropën e Bashkuar, me Shqipërinë dhe Ballkanin si pjesë të saj, një herë e përgjithmonë”, tha Meta. “Pranvera Italiane 2010 - Dy popuj, një det, një miqësi” do të zgjasë nga muaji mars deri në qershor 2010, në qytetet kryesore të Shqipërisë. Në saj të tij do të organizohen 25 koncerte dhe spektakle, 5 prezantime kinematografike, 10 ekspozita fotografie, 28 konferenca, 5 manifestime sportive, 7 iniciativa në sektorin e ekonomisë dhe tregtisë, 6 aktivitete në fushën e arsimit dhe 5 konkurse me tematika të ndryshme.