E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në PE: Na ndihmoni në hetimin e zgjedhjeve



Kryetari i Partisë Edi Rama, në Strasburg i kërkoi Parlamentit Evropian të ndihmojë socialistët në hetimin e zgjedhjeve. Duke folur para grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian, kryesocialisti Rama kërkoi mbështetje të kërkesës së opozitës për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit, si dhe liberalizimin e vizave për gjithë shqiptarët. “Evropa të mbështesë transparencën elektorale në Shqipëri si dhe lëvizjen e lirë të shqiptareve”, deklaroi Rama para personaliteteve të larta evropiane. Krerë të Partisë socialiste evropiane mbështetën kërkesat e Ramës dhe dolën me një deklaratë. Presidenti i Partisë Socialiste Evropiane në Parlamentin Evropian, njëkohësisht zv. president i Internacionales Socialiste, Martin Shulc deklaroi se nevojitet transparencë e plotë për zgjedhjet e 28 Qershorit në Shqipëri. “Hapja e kutive, është pjesë e hetimit për të mos lejuar manipulimin” tha Shulc. Sipas Presidentit të Partisë Socialiste Evropiane në Parlamentin Evropian, rasti në Ruzhdije të Fierit ishte i patolerueshëm. Edhe nënkryetari i grupit socialist në Parlamentin Evropian, Hanes Svoboda iu bashkua të njëjtit mendim të Shulc, duke deklaruar se rasti në Ruzhdije të Fierit ishte vërtet shqetësues. Për Svoboda, hetimi i zgjedhjeve është bazë e re për dialogun politik në Shqipëri. Edhe Shulc dhe Svoboda theksuan se PSE e mbështet kërkesën e Ramës për liberalizim të vizave për shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›