E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta: KE të heqë vizat në 1 korrik



Aristir Lumezi

Kuvendi i Shqipërisë do të miratojë sot me konsensus të plotë rezolutën e PD, që i kërkon BE-së heqjen e vizave.
Rezoluta e propozuar nga deputetët e djathtë, ka kaluar në nga komisionet parlamentare të Integrimit dhe atij të Jashtëm, ndërsa nuk ka mundur të marrë vërejtjet e deputetëve të opozitës, pas bojkotit që i kanë bërë Parlamentit dhe komisioneve të tij. Rezoluta do të jetë dokumenti i parë, që PS voton në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Përmes saj, deputetët i kërkojnë Komisionit të BE-së të respektojë afatet kohore të përcaktuara më parë për heqjen e vizave. “Rezoluta përshëndet faktin që Komisioni Evropian i ka përfunduar misionet e ekspertëve dhe i bën ftesë Komisionit, të respektojë kalendarin kohor për përgatitjet e raportit vlerësues, për të mundësuar propozimin legjislativ, për liberalizimin e vizave në fillimin e pranverës 2010, çka do t’i hapte rrugë marrjes së vendimit, për liberalizimin e vizave në datën 1 korrik 2010", shprehen deputetët në dokumentin e tyre që do të miratohet sot në Kuvend. Deputetët, përmes kësaj rezolute, shprehen se vullneti për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian ekziston në të gjitha forcat politike të Parlamentit shqiptar. “Rezoluta konfirmon mbështetjen e të gjitha forcave politike të Kuvendit, të Republikës së Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe shpreh njëzëri, vendosmërinë për të përmbushur udhëtimin pa viza në vendet “Shengen”, thuhet në këtë rezolutë. Sipas Parlamentit shqiptar, Qeveria shqiptare ka plotësuar të gjitha detyrimet e saj që kërkon procesi i liberalizimit të vizave, proces që është vlerësuar dhe nga raportet e komunitetit ndërkombëtar. ”Rezoluta vlerëson arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve në procesin e liberalizimit të vizave dhe inkurajon Qeverinë e Republikës së Shqipërinë, në vazhdimin e përpjekjeve për të konsoliduar më tej progresin tashmë të konsiderueshëm, të njohur dhe vlerësuar nga të gjitha institucionet e BE”, thuhet në këtë rezolutë. Kjo pikë e kësaj rezolute nxiti debate mes deputetëve të PS-së, të cilët kërkojnë që kjo pikë të modifikohet. Ata akuzojnë Qeverinë se ka dështuar në shumë nga reformat e kërkuara, përfshirë këtu dhe krizën ekonomike. Sipas tyre, vendi është në krizë politike dhe ekonomike për shkak të Qeverisë. Gjithashtu, në rezolutë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mbështesin deklaratën e përbashkët të institucioneve të larta evropiane, për heqjen e vizave me Shqipërinë. “Rezoluta mbështet deklaratën e përbashkët të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 30 nëntor 2009 dhe në vijim të saj miratimin e rregullores 1244/2009, në bazë të së cilës dy institucionet shprehin besimin që Shqipëria do të përfitojë liberalizimin e vizave, sapo Komisioni të vërtetojë që Shqipëria i ka plotësuar detyrimet e udhërrëfyesit”, thuhet në rezolutë. Në dokumentin, për të cilin forcat politike parlamentare kanë rënë dakord, thuhet se Shqipëria ka përmbushur detyrimet e saj për udhërrëfyesin e KE-së. “Rezoluta mirëpret që Parlamenti Evropian, vendet anëtare dhe Komisioni Evropian të marrin në konsideratë përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit nga Shqipëria, si dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë, lidhur me arritjen e objektivit të udhëtimit pa viza të qytetarëve shqiptarë, si pjesë e plotësimit të ëndrrës së tyre evropiane”, shprehen deputetët e Parlamentit.

Projekt Rezoluta për liberalizimin e vizave

Rezoluta konfirmon mbështetjen e të gjitha forcave politike të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në procesin e liberalizimit të vizave dhe shpreh njëzëri vendosmërinë për të përmbushur udhëtimin pa viza në vendet “Shengen”.

Rezoluta vlerëson arritjet e Shqipërisë, në përmbushjen e detyrimeve në procesin e liberalizimit të vizave dhe inkurajon Qeverinë e Republikës së Shqipërinë në vazhdimin e përpjekjeve për të konsoliduar më tej progresin, tashmë të konsiderueshëm, të njohur dhe të vlerësuar nga të gjitha institucionet e BE.

Rezoluta mbështet deklaratën e përbashkët të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 30 nëntor 2009 dhe në vijim të saj, miratimin e rregullores 1244/2009 në bazë të së cilës, dy institucionet shprehin besimin që Shqipëria do të përfitojë liberalizimin e vizave, sapo Komisioni të vërtetojë që Shqipëria i ka plotësuar detyrimet e udhërrëfyesit.

Rezoluta përshëndet faktin që Komisioni Evropian i ka përfunduar misionet e ekspertëve dhe i bën ftesë Komisionit të respektojë kalendarin kohor për përgatitjet e raportit vlerësues, për të mundësuar propozimin legjislativ, për liberalizimin e vizave, në fillimin e pranverës 2010, çka do t’i hapte rrugë marrjes së vendimit, për liberalizimin e vizave në datën 1 korrik 2010.

Rezoluta mirëpret që Parlamenti Evropian, vendet anëtare dhe Komisioni Evropian të marrin në konsideratë përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit nga Shqipëria, si dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë, lidhur me arritjen e objektivit të udhëtimit pa viza të qytetarëve shqiptarë, si pjesë e plotësimit të ëndrrës së tyre evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›