E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat e mësuesve, ndryshojnë kriteret sipas arsimimit

 

Paga më të larta për të gjithë mësuesit që japin mbi 30% të orëve sipas profilit të tyre

Përcaktohen pagesat për largësinë nga vendi i punës për të gjithë punonjësit e arsimit

Me anë të një udhëzimi ish-ministri i Arsimit, Genc Pollo, ka bërë një ndarje të re përsa i përket pagave të grupit për të gjithë punonjësit e arsimit. Për të gjithë ata punonjës të arsimit që kanë një diplomë të shkollës së lartë dhe që japin mbi 30% të orëve në profilin e tyre do të kenë një pagë të Grupit të I (1). E njëjta pagë grupi vlen sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit edhe për mësuesit që kanë diplomë të shkollës së lartë dhe që japin mësim në klasat kolektive të ciklit të lartë. Pagë të Grupit I (1) marrin dhe të mësuesit që kanë një diplomë të shkollës së lartë për degët fizikë dhe biologji dhe japin mësim në klasën e pestë, dy mësues për klasë. Për të gjitha këto kategori ka një përfitim mbi pagën e grupit të 1 që është 11 mijë lekë në muaj.

Diplomat ku ulen pagat

Udhëzimi i ri i nxjerrë nga ministri i Arsimit ka një ndryshim të rëndësishëm në paga për të gjithë ata mësues që kanë një diplomë të shkollës së lartë, por që japin më pak se 30 për qind të orëve në profilin e tyre. P.sh, nëse një mësues me diplomë të shkollës së lartë në matematikë, jep vetëm 25 për qind të orëve mujore matematikë dhe orët e tjera i jep fizikë apo Kimi, atëherë ai merr një pagë sipas grupit të dytë që është 89 mijë lekë në muaj. Në kategorinë e mësuesve që si pagë Grupi do kenë 9 mijë lekë në muaj përfshihen edhe të gjithë ata punonjës të arsimit që kanë shkollë të mesme pedagogjike, më shkollë të mesme profesionale ku përfitohet profesioni mësuesi, diploma të tjera mbi shkollën e mesme, punonjës arsimorë të cilët kanë të paktën 2 vite shkollim të lartë. Në këtë grup, siç e thamë më sipër, përfshihen edhe të gjithë punonjësit arsimorë që kanë një diplomë të shkollës së lartë, por që japin më pak se 30 për qind të orëve të mësimit në profilin e tyre. Për të gjitha këto kategori paga e grupit është 9 mijë lekë në muaj.

Pagesa për rrugën

Udhëzimi i nxjerrë nga ministri i Arsimit përcakton edhe pagesën për rrugën që kryejnë mësuesit për të shkuar në punë. Për të gjithë ata mësues që punojnë brenda rrethit të tyre dhe që kthehen brenda ditës së punës ka një pagesë mujore prej 1 500 lekësh në muaj. Ndërsa për ata mësues që punojnë brenda rrethit, por që nuk munden që të kthehen brenda ditës në shtëpi, pagesa mujore është 4 375 lekë në muaj. Për të gjithë kategoritë e tjera të mësuesve pagesa mujore do të realizohet në bazë të kilometrave që ata kanë kryer.

Ndryshimet në paga

Referuar udhëzimit të ri të nxjerrë nga ana e ministrit të Arsimit për kategoritë të cilat nuk përfshihen në Grupin e I (1), pra që përjashtohen nga kjo kategori kemi një ulje të pagave që shkon deri në 8 mijë lekë në muaj. Kjo pasi ulja e pagës së grupit bën që të ketë një ulje të shumëfishuar për shkak të shumëzimit të koeficientëve të vjetërsisë dhe atyre të profesionalizmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›