Dashnor Sula dënohet vetëm me 10 ndeshje larg stadiumit
Dashnor Sula duket se ja ka hedhur edhe kësaj here. Pavarësisht se ai arriti në një veprim ekstrem, duke gjuajtur me pistoletë në dhomat e zhveshjes (e padëgjuar në asnjë vend të botës për një deputet), Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që ta dënojë atë vetëm me 10 ndeshje larg stadiumit të Peqinit. Kjo, në një kohë që ky është incidenti i disatë që Sula shkakton në stadium dhe kur delegatët raportuan qartë që ai kishte qëlluar me pistoletë.
Federata ndërkohë ka vendosur që ti heqë Shkumbinit tre pikët e fitores me Flamurtarin, duke ua dhënë vlonjatëve, si dhe tre pikë të tjera. Për këtë arsye, peqinasit tashmë ndodhet në zonën e play-out dhe rrezikojnë rënien nga Superliga.
Ndërkohë, për dënim penal për Dashnor Sulën as që bëhet fjalë, pasi prokuroria tha dje se pistoleta e tij ishte lodër. Kështu, ndëshkimi për deputetin demokrat ka mbetur vetëm tek mbajtja larg stadiumit për 10 ndeshje. Në një vend tjetër, ai do të ishte përjashtuar përjetë dhe nuk do të lejohej të shkelte më në stadium.
Kujtojmë që Federata përjashtoi përjetë nga futbolli trajnerin e Kastriotit, Ramazan Ndreu, pse goditi një zyrtar me grusht, ndërkohë që Sulën e dënon vetëm me 10 ndeshje, edhe pse nuk qëlloi me grusht, por me pistoletë.