Tahiri: Gjykata nuk thërret si dëshmitarë Argita dhe Shkëlzen Berishën se nuk ua di adresat

Argita dhe Shkelzen Berisha
Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, që u akuzua nga avokatët e fëmijëve të kryeministrit Sali Berisha se ka frikë të përballet me gjyqin, ishte sot në seancë dhe denoncoi një fakt të rëndë. Ai tha se gjykata nuk pranon të thërrasë si dëshmitarë personat e kërkuar pasi thotë se nuk ua di adresat. Gjykata rrëzon edhe listën e provave të Tahirit
Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, i paditur nga fëmijët e kryeministrit Sali Berisha për shpifje, doli sot përpara mediave për të denoncuar faktin që dëshmitarët e kërkuar prej tij nuk po thirren nga gjykata.
Fatkeqësisht konstatoj se gjyqi kundër fëmijëve të kryeministrit Argita dhe Shkëlzen Berisha, po kthehet në një farsë qesharake nga gjykata, e cila mesa duket është kthyer në noter të Saliut larg misionit të saj për të dhënë drejtësi.
Vendimi i parë qesharak dhe absurd ishte nxjerrja e mediave dhe bërja e gjyqit sekret. Në një rast të paprecedent në praktikën e gjykatave shqiptare dhe në shkelje të ligjit, gjyqtari mori vendim për të nxjerrë mediat jashtë dhe për të bërë gjyqin me dyer të mbyllura.
Vendimi dytë akoma më absurd ishte hedhja poshtë e listës së provave të cilën i kërkova të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor për të më dhënë mua mundësi të provoj deklaratat e mia pse Argita dhe Shkëlzen Berisha bashkë me babain e tyre janë të korruptuar, tha Tahiri.
Konkretisht gjykata më tha se ajo vetë nuk mund ti kërkoj institucioneve shqiptare as deklaratën e pasurisë së Shkëlzen dhe Argita Berishës, as Drejtorisë së Tatim-Taksave marrëdhënien financiare që kanë zyrat e tyre me shtetin shqiptar dhe taksat dhe tatimet që paguajnë, as të dhënat që kanë të bëjnë me procesin e Gërdecit dhe që sot administrohen në një proces tjetër gjyqësor e kështu me radhë, vijoi Tahiri.
Deputeti socialist tha se me këtë rast po bën publike adresat e dëshmitarëve.
E akoma më absurde, Gjykata nuk lejoi thirrjen e dëshmitarëve me argumentin se nuk ka adresat. Unë kërkova në gjykatë dhe mora kohë që këto prova ti kërkoj vetë dhe institucioneve shqiptare do tia kërkoj zyrtarisht vetë këto prova, duke synuar që në këtë proces gjyqësor të bëjë çështë e mundur të bëhet drejtësi dhe të mos lejojë në asnjë mënyrë që gjykata të bëhet instrument në dorën e pushtetit të Sali Berishës dhe fëmijëve të tij.
Ndërsa përsa i përket thirrjes së dëshmitarëve të cilët gjykata nuk i gjen dot do i gjej unë dhe do ia them gjykatës ku janë.
Madje meqë jam këtu po i bëj thirrje publike dhe dëshmitarëve dhe gjykatës ti gjejë dhe ti kërkoj dëshmitarët në adresat që po deklaroj: Argita Berisha adresa 1 kat sipër shtëpisë së Sali Berishës, e ruan garda dhe ka gjykata ku ta gjejë. Shkëlzen Berisha vila në Mullet, ajo më e madhja dhe më e bukura. Damir Fazlliç gjendet lehtë sa herë ka tendera publikë në kafen e Sheratonit. Mihal Delijorgji në arrest shtëpie. Fatmir Mediu në Ministrinë e Mjedisit. Aldo Bumçi në Ministrinë e Kulturës. Viktor Gumi në Kuvend. Ndërsa gjeneral Luan Hoxha këtë se gjej dot as unë, këtë nuk e ka gjetur dot as gjykata, ky është në arrati.
Kështu që adresat ua dhashë publikisht do i kërkoj zyrtarisht edhe nga posta shqiptare dhe do tja sjell gjykatës që ti thërrasë këta dëshmitarë në gjykim dhe të mos justifikohet me mosgjetjen e adresave të ministrave, të fëmijëve të kryeministrit dhe të ish gjeneralit Luan Hoxha, tha Tahiri.