Kokë turku
Pas Orhan Pamukut, një tjetër shkrimtar turk rrezikon 6 muaj deri në një vit burg për fyerje. Në romanin e tij të fundit, Nedim Gursel ka bërë personazh të ngjarjeve profetin Muhamet
Pas Orhan Pamukut, një tjetër shkrimtar është “shqetësuar” nga drejtësia turke. Jo për shkak të deklaratave të tij publike, por për shkak të përmbajtjes së një romani. Autori i 30 librave në të gjitha zhanret, i përkthyer në dhjetëra gjuhë, Nedim Gursel, i lindur në vitin 1951, e ndan jetën mes Stambollit dhe Parisit, ku ka kryer studimet(mbrojti një tezë, mbi letërsinë krahasuese, duke vënë përballë veprën e Aragonit dhe Nazim Hikmetit).
Drejtues i kërkimeve në CNRS, ai ka dhënë leksione mbi letërsinë turke në Sorbonë dhe Langues O. Romani i tij i fundit “Bijat e Allahut” (Les filles d’Allah), që do të përkthehet vitin që vjen në frëngjisht e ka çuar në bankën e të akuzuarve. Dhe nuk është hera e parë: romani i tij i parë “Gruaja e parë” (1983) u çensurua për ofezë ndaj moralit publik. Dhe kjo ngjarje ndodh në një klimë politike dhe gjyqësore të tendosur, atëherë kur një rrjet nacionalist i akuzuar për përgatitjen e terrenit të një grushti shteti të armatosur është në proces, kur aktiviteti antilaik i partisë myslimane konservatore në pushtet mund të nxitet prej tij dhe kur një atentat shkaktoi të vdekur e të plagosur në Stamboll. Nedim Gursel flet për këtë çështje në rubrikën “La République des Livres” për të përditshmen franceze “Le Monde”.
Ka ndonjë ndryshim mes akuzës së parë dhe asaj të prokurorit?
Akuza u depozitua prej islamistëve që duken mirë të organizuar me avokatë, të cilët ushtruan presion mbi prokurorin. Ndjekja penale u hap konform procedurave nga prokurori i Republikës në Stamboll sipas nenit 216 të Kodit Penal turk që parashikon një dënim me burg nga 6 muaj në një vit, për atë që nëpërkëmb “vlerat fetare të një pjese të popullsisë, nëse kjo ofezë turbullon paqen publike”.
E shpjegon konteksti aktual politik turk këtë sulm ndaj jush?
Fatkeqësisht po. Jam gjykuar një herë nga një gjykatë ushtarake pas grushtit të shtetit të 12 shtatorit 1980. Libri im i parë “Një verë e gjatë në Stamboll”, i publikuar në frëngjisht nga “Gallimard”, u akuzua menjëherë për fyerje të forcave të sigurisë kombëtare (neni 159 i Kodit penal). Mendoja se Turqia kishte bërë përparime dhe që liria e të shprehurit ekzistonte falë perspektivës evropiane.
Teksa shkruanit këtë libër e parandjenit se do të gjendeshit përpara një situate të tillë. Ju kalonte nëpër mend rasti i Salman Rushdie-ut?
Romani im “Vajzat e Allahut” ndryshon shumë nga “Vargjet satanike” që i kam lexuar në një përkthim francez (ky libër nuk është përkthyer në turqisht). Me thënë të drejtën nuk i prisja këto ndjekje penale. Ndëkohë që me daljen e këtij libri në marsin e shkuar, u sulmova nga shtypi islamik, për shkak se e bëra Muhametin një personazhromani.
Keni marrë kërcënime?
Në një artikull që doli në të përditshmen “Vakit” thuhej “Fatmirësisht që myslimanët nuk e kanë sulmuar këtë shkrimtar fyes, apo botuesin e tij”...
Kush vihet në lojë në “Vajzat e Allahut”?
Është një roman me shumë zëra. Ai ngre pyetje mbi besimin dhe dhunën në Islam dhe vendos profetin në qendër të historisë. Problemi nuk është politik, por historik. Një fëmijë nën ndikimin e gjyshit të tij, që është një besimtar mysliman, imagjinon vendin e profetit, pikërisht Mekën dhe Medinën, që gjyshi i tij ishte detyruar të mbronte gjatë Luftës së Parë Botërore, kundër arabëve, popullit të profetit.
Si e “ndjetë” prokurorin gjatë dëshmisë suaj?
I respektueshëm dhe i heshtur si një Sfinks.
Si e imagjinoni vazhdimin gjyqësor?
Një proces që do të përfundojë, shpresoj me një shfajësim.
Somario
Jam gjykuar një herë nga një gjykatë ushtarake pas grushtit të shtetit të 12 shtatorit 1980. Libri im i parë “Një verë e gjatë në Stamboll”, i publikuar në frëngjisht nga “Gallimard”, u akuzua menjëherë për fyerje të forcave të sigurisë kombëtare (neni 159 i Kodit penal). Mendoja se Turqia kishte bërë përparime dhe që liria e të shprehurit ekzistonte falë perspektivës evropiane.