E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuri helmuese

Historitë e mbyllura keq mund të shkaktojnë sëmundje të rënda, ose të "rizgjojnë" gjumin e thellë. E rëndësishme është që me pak vullnet të shërohemi dhe të ecim përpara... Ja dhe një fije shprese për të gjitha "viktimat" e dashurisë që vjen nga disa psikiatër, psikologë dhe neuroshkencëtarë. Është e shkruar edhe në ADN-në tonë

"Tashmë ka kapërcyer çdo limit, kënaqet duke larë mbathjet, kanotierat dhe këmishët që ai ia sjell në shtëpi. Ata nuk jetojnë më bashkë. Ai ka një tjetër, por ajo nuk arrin të jetojë pa e parë ish-burrin: është çakorduar, ka pagjumësi, ndihet e vetme dhe e braktisur. Thotë se preferon të durojë këtë situatë se sa të heqë dorë përgjithmonë nga ai...".

Miqtë flasin për të sikur ajo të ketë ndonjë të keqe të madhe që fshihet brenda saj dhe që është e pashërueshme. Dikur quhej e keqja e dashurisë, ndërsa sot përmblidhet me dy fjalë "love addiction" ("dashuri helmuese"). Sipas statistikave të një OJQ-je, nga "dashuria helmuese" vuajnë 99 për qind e femrave, nga 18-vjeçaret deri te gratë e pjekura me fëmijë. Rruga drejt vetëplagosjes është e mbushur edhe me emra të famshëm, kryesisht me ato të gjinisë femërore. Shembujt konkretë janë Melanie Griffith, Whitney Houston, Tina Turner.

Meshkujt, që edhe gjenetika e vërteton, janë më pak të ndjeshëm e si pasojë shërohen më shpejt, edhe nga xhelozia. Shembulli konkret është aktori i famshëm Bruce Willis, i cili ka vuajtur shumë për shkak të të dashurit të ri të ish-bashkëshortes Demi Moore, Ashton Kutcher.

Zakonisht janë femrat ato që guxojnë të kërkojnë shkaqet e ndryshme të patologjisë së dashurisë. Por, natyrisht, nuk mund të mbështetemi te dashuria për t‘u shëruar nga zbrazësia ekzistenciale, sidomos nëse nuk jemi në gjendje të pranojmë se një lidhje mund të marrë fund nga një çast në tjetrin.

Pasojat e një dashurie që përfundon janë pothuajse gjithmonë dramatike. Simptomat? Në fillim janë të pakontrollueshme: njerëzit dëshirojnë të zhduken, humbasim çdo kontakt të mundshëm dhe toruan, i zë paniku, janë në ankth e të acaruar, kanë pagjumësi, duke arritur deri te simptomat e rënda si fiksimi dhe prirja për t‘u vetëvrarë. Fiksohen te partneri/a dhe pranojnë të bëjnë gjëra që, nëse do të ishin në gjendje normale, nuk do t‘i bënin kurrë. Edhe në lidhje me seksin ndodh e njëjta gjë, nëse ai është ende i pranishëm në një lidhje "të sëmurë". Për dashuri, një femër është e gatshme edhe të prostituojë dhe raste të tilla ka pafund. Para pak kohësh, kjo i ndodhi një vajze 14-vjeçare, e cila deklaroi se, për hir të dashurisë që ndiente për të fejuarin, e la atë ta shiste te disa meshkuj të tjerë.

Shumë individë, për t‘u hakmarrë, zgjedhin seksin. Kjo është tendenca e fundit e përhapur në internet dhe quhet "revenge porn". Aty mund të shohësh video seksi të publikuara online nga djem të zhgënjyer prej dashurisë, ose që janë braktisur padrejtësisht nga të dashurat. Mes viktimave shfaqen edhe emra të personazheve të njohur si Pamela Anderson, Britney Spears, Paris Hilton dhe Cameron Diaz.

Deri këtu nuk ka asgjë të re. Të gjithëve na ka qëlluar t‘i japin fund një lidhjeje të paqëndrueshme ose të mërzitshme. E rëndësishme është që të arrish ta kapërcesh krizën dhe të mos fundosesh. Natyrisht është e thjeshtë ta thuash, por a mund ta bëjmë vërtet...? Dashuritë e sëmura mund të shkaktojnë edhe patologji të rënda apo të "rizgjojnë" gjumin e rëndë e të thellë. E rëndësishme është që me pak vullnet mund të shërohemi nga kjo "sëmundje". Ja dhe një fije shprese për të gjitha "viktimat" e dashurisë që vjen nga disa psikiatër, psikologë dhe neuroshkencëtarë.

Arratisja nënkupton shërim

Ai/ajo që e konsideron konsultimin psikoterapeutik tradicional si një zgjidhje, atëherë këshilla e parë e vlefshme është "arratisja". "Nga dashuritë patologjike, të jetuara ose të provuara më parë, duhet t‘ia mbathësh menjëherë, nuk duhet të përpiqesh të kuptosh se çfarë ka brenda një lidhje e sëmurë", rekomandon një sociologe, specialiste për problemet e çifteve dhe autore e librit "Dashuria vrasëse". "Njerëzit dhe lidhjet nuk dyshojnë vetë. Nëse vini re që keni lidhje me një person i cili kërkon gjithmonë të jetë dominues, pervers, i dhunshëm, i alkoolizuar, nevrik, mbathjani menjëherë prej tij dhe më pas kërkoni një psikolog të mirë që t‘ju ndihmojë në rrugën e kërkimit të një njeriu që ju bën të ndiheni mirë".

Një problem feromonesh

Përveç psikoterapisë, bota shkencore po përpiqet të kuptojë sekretin e asaj të keqeje që vetëm në aparencë duket e pashërueshme. "Është verifikuar një rritje e madhe e studimeve që lidhen me efektet neurobiologjike të dashurisë", shpjegon drejtoresha e laboratorit të psikofarmakologjisë të departamentit të psikiatrisë, neurologjisë dhe farmakologjisë. Psikologja dhe disa kolegë të saj, sapo kanë përfunduar një studim të rëndësishëm që lidhet me feromonet. "Përzgjodhëm një grup femrash dhe mbi buzët e tyre të sipërme hodhëm disa ekstrakte sqetullash meshkujsh. Te të gjitha u vërejt një ndryshim i transportierit të serotoninës", shpjegon ajo. Pas kësaj prove, u vu re se ekstraktet mashkullore provokojnë ndryshime të impulsivitetit ose rrëmbimit, që te femra ndodh edhe para tërheqjes seksuale. "Faktori shqetësues është se te femrat, struktura e trurit jo vetëm që modifikohet menjëherë nga këta faktorë biologjikë, por kjo vazhdon edhe për një kohë të gjatë".

Terapi dhe kufij të rinj

"Mesa duket, terapistët tradicionalë nuk e kanë vënë re aspak këtë risi. Nëse një pacient është i marrosur pas një vajze, për psikiatrin tradicional ka problem me fiksimet fëmijërore. Nëse psikoterapeuti ka një formim farmakologjik dhe e sheh pacientin si një njeri të fiksuar, do t‘i japë antidepresivë, ose në të kundërt do t‘i propozojë psikoterapinë", shpjegon një docent psikologjie. Sipas tij, ekziston një lidhje mes sjelljes së një të dashuruari, e cilësuar nga sociologët "maniake" dhe një mutacioni individual të ADN-së. Është njësoj si të thuash që dashuria patologjike nuk shkaktohet vetëm nga ndjenjat e vrara, por është gjenetike dhe e shkruar në ADN-në e çdo individi. "Sot, për dashuritë vrasëse përdoren ende ilaçe, të cilat, në njëfarë mënyre të ndihmojnë të shërohesh. I tillë është ‘bupropion‘-i, që përdoret për varësinë ndaj duhanit".

Zgjidhja është e shkruar në kodin gjenetik

Nëse do të klikoni në adresën www.genepartner.com do të vini re se gjërat kanë avancuar shumë në kohë. "Dashuria nuk është një koincidencë", është slogani i "Shoqërisë së parë globale të shërbimit për kodin gjenetik". Duke u nisur nga supozimi që sa më e madhe të jetë përputhshmëria mes dy partnerëve aq më e emocionuese bëhet një lidhje dashure, sajti "Gene Partner" iu fton të bëni një test të ADN-së suaj. Do të analizohet gjithçka, duke filluar nga një kampion i pështymës.

Në këtë lloj "Facebook"-u të kodit gjenetik kur të gjeni një partner të mundshëm, mund të krahasoni ADN-të tuaja, para se të takoheni, për të verifikuar nëse përputheni me njëri-tjetrin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›