E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këndojmë "Për tre grosh"

Këtu kriminelët dhe njerëzit e respektueshëm janë në të njëjtin plan. Viti 1928. Për herë të parë shfaqet në teatër "Opera për tre grosh" e Bertold Brecht, e cila provokoi një skandal të vërtetë! Ai rrëfente kohën në të cilën jetoi.

Tiranë 2008. Ema Andrea ka zgjedhur që nëpërmjet aktualitetit të saj të rrëfejë kohën në të cilën ne jetojmë. "Opera për tre grosh" vjen në Teatrin Kombëtar, duke nisur që nga data 30 tetor. Për katër ditë rresht, ajo do të sjellë para publikut si përballë një pasqyre, një shoqëri (që nuk ka ndryshuar shumë edhe pas 80 vitesh), së cilës i kanë humbur vlerat, ku çdo gjë shitet dhe blihet, dashuria gjithashtu, ku kjo e fundit quhet e tillë vetëm sepse një tekë e dikton të jetë kështu. Këtu, burri e ndërron gruan, sepse ashtu i volitet... Nën regjinë e Ema Andreas, "Opera për tre grosh" me autor Bertolt Brecht, do të vijë para publikut shqiptar duke ndjekur njërën linjë të saj, marrëdhënien mashkull-femër për të rrëfyer përmes kësaj lidhjeje një shoqëri të zhveshur nga vlerat njerëzore. "Opera për tre grosh" është sjellë në kohët tona dhe flet për një shoqëri së cilës i kanë humbur vlerat, për dashuri interesi, për gënjeshtrat mbi të cilat ngrihen në përgjithësi problemet sociale. "Kam folur për Shqipërinë, për Evropën e sotme", thotë regjisorja Andrea. E për të ishte vërtet një sfidë ngjitja në skenë e kësaj vepre. Por duket e kënaqur. "Ajo po punon me një kast aktorësh vërtet të përkushtuar. Kjo mendoj se është edhe gjëja më e rëndësishme e punës sonë, sepse në këtë varfëri teatrore gjenden ende njerëz që të paktën e duan atë që bëjnë. Jam shumë e nderuar që punoj me këta aktorë. Janë të gjithë jashtë klisheve", thotë ajo. Yllka Mujo, Vasillaq Vangjeli, Taulanta Jupi, Arben Derhemi, Loredana Gjeçi, studentë e ish-studentë, janë pjesë e kësaj shfaqjeje. Ata do të vijnë si rrallë ndonjëherë... duke kënduar. Sepse e tillë është kjo vepër, një muzikal për të cilin regjisorja ka ditur t‘i përzgjedhë mirë aktorët. Për secilin kënga zë një vend të rëndësishëm në jetët e tyre. Ata këndojnë për kënaqësi (e kur ua do puna edhe përpara publikut). "Të kënduarit ishte një nga kriteret për këtë vepër. Nuk bëhet fjalë për të kënduar një opera, por kënga duhet të vijë në formë të vërtetë prej këtyre aktorëve, që në fakt nuk janë këngëtarë profesionistë, por e duan këngën. Për mua kjo është edhe më e bukura, sepse në këtë mënyrë vepra do të vijë më e sinqertë se sa po të kisha zgjedhur këngëtarë të mirëfilltë. Në këtë mënyrë, vepra vjen më afër realitetit", tregon Ema Andrea.

"Një nga arsyet që unë e pranova me shumë kënaqësi rolin tim në këtë pjesë është pikërisht sepse këtu këndohej", tregon Taulanta Jupi. Ajo gjithnjë ka kënduar, por atëherë publik kanë qenë vetëm njerëzit e afërt e miqtë. Tani ka marrë përsipër që të këndojë para publikut të vërtetë (e çfarë të kënduari se...). Në këtë vepër Taulanta Jupi interpreton Lusin, vajzën së cilës nuk i mungon asgjë. E rritur mes të mirash, Lusi mendon se meriton gjithçka në këtë jetë. Ajo edhe dashurinë e do për kapriçio. "Është një vepër shumë pranë realitetit. Të luash Brecht-in është e vështirë, por të interpretosh në "Operën për tre grosh" është akoma edhe më e vështirë", vazhdon më tej ajo. Lusi, (Taulanta Jupi) përfundon tek ndan këtë dashuri të madhe me zonjushën Poli (Loredana Gjeçi) ndërsa luajnë një lojë pokeri. Pas një kënge debat, ato bien në kompromis, duke vërtetuar se deri edhe dashuria mund të blihet. Por ai, në të vërtetë, nuk i përket askujt, sepse Mekith, Maki Meser (Arben Derhemi) në fakt i ka shitur dhe blerë sa herë ka dashur të dyja gratë për interesat e veta. "Është një rol i frikshëm, shumë i madh, jo vetëm për nga përmasat, por për të gjithë dramaturgjinë botërore. Mefisi është një nga rolet më të vështirë e të mëdhenj, edhe pse mënyra që Ema ka zgjedhur për ta trajtuar është një ndihmë e madhe për mua në realizimin e rolit", thotë Arben Derhemi, protagonisti i veprës. Edhe ai do të këndojë, por për të nuk është hera e parë që këndon në skenë. E ka provuar më parë me "Ne të gjithë këndonim Margaritën". Emocionet e para i ka kaluar tashmë. Për të është e rëndësishme që një aktor të dijë edhe të këndojë, në mos është e domosdoshme. "Është një eksperiencë e bukur për mua, por për të gjithë ne kam përshtypjen", vazhdon ai.

Ndërkaq, aktorja e madhe Yllka Mujo do të interpretojë Xhenin, një prostitutë që ka pasur një marrëdhënie me Mek. Është pikërisht ajo e cila do ta tradhtojë kryebanditin për t‘ia dorëzuar policisë. Vasillaq Vangjeli do të vijë nën interpretimin e Xheki Braun, kreun e Policisë së Londrës e në të njëjtën kohë edhe miku më i mirë i kryebanditit Mek.

Me ironinë, linjë e përhershme e veprës "Opera për tre grosh" e përshtatur në shqip prej Ardian Klosit, do të vijë e tillë para spektatorëve, si për nga gjetja regjisoriale, por edhe për nga mënyra se si do të interpretohet nga aktorët. Me muzikë nga Genian Rushi, skenografi nga Agron Mesi, e koreografi nga Gjergj Prevazi, vepra e cila do të përballet me publikun duke filluar nga 30 tetori, do të vijë me gjithë mundin e profesionistëve që kanë dhënë maksimumin (pavarësisht vështirësive) për ta sjellë të vërtetë atë në skenë. "Publikut i ofrohet një shfaqje e bërë me dashuri dhe me profesionalizëm", thotë e kënaqur regjisorja, teksa vlerëson të gjithë aktorët pjesëmarrës në këtë vepër. "Kjo vënie në skenë me aktorë të kalibrit si Yllka Mujo, Vasillaq Vangjeli, Arben Derhemi e Taulanta Jupi është një bashkëpunim edhe mes aktorëve të rinj, të cilët sapo kanë mbaruar studimet dhe janë në kërkim të një karriere të vërtetë me profesionalizëm. Por marrin pjesë edhe aktorë që janë ende studentë dhe ky bashkëpunim mendoj se është diçka që nuk para ndodh në realitetin tonë, ndaj është diçka që duhet thënë", komenton Ema. Ajo tregon se përveç këngëve, do të ketë hapësira edhe për disa poezi "nga më të sinqertat". Sipas Ema Andreas, ato janë edhe kontrapunkti i gjithë asaj që ndodh në veprën që i kushtohet dashurisë së interesit, dashurisë aspak të sinqertë. "Po të marr një shprehje të Bercht-it, "e varfër bota, i lirë njeriu" mendoj se publiku do ta kuptojë edhe më lehtë se çfarë do të shikojë në skenë", vazhdon ajo. E në të vërtetë, ashtu si edhe vetë Brecht kur e shkroi, edhe Ema Andrea, falë mbështetjes dhe punës së madhe të kastit të aktorëve, ka sjellë po atë shoqëri të degraduar të cilën e gjen ngado, edhe aty ku mendon se ajo nuk mund të ekzistojë. Një kryepolic dhe vajza e tij nga njëra anë dhe mafia e organizuar nga ana tjetër, vrasës, hajdutë e shfrytëzues prostitucioni kryesuar nga Meki Meser. E pastaj është edhe dashuria, ajo dashuria e pamundur mes dy të rejave që janë në kahet e kundërta të historisë, ai, gjendet në mes dhe për interes nuk do të humbasë as njërën e as tjetrën. Njëra e do për tekë, sepse do ta ketë, ndërsa tjetra e do për gjithë pasurinë, derisa dashuria fillon e luhet në një lojë pokeri ku kthehet në një interes të pastër.

E në këtë vepër satirike të Brecht, shfaqet epopeja e një populli që kërkon të mbrojë vlerat, në një kohë kur gjithçka është vetëm një iluzion. Vlerat janë vetëm një fasadë. Gjithçka përshkruhet nëpërmjet satirës, e kur në fund kryemafiozi kthehet në një hero, atëherë kupton se nuk ka rrugëshpëtim. Kjo është ironia dramatike e fundit të veprës, ku rrëfehet edhe morali i saj. E, megjithatë, edhe teatri mund të thotë fjalën e tij, ende mund të tregojë një rrugë për të ndjekur, një rrugë për ndryshim, para se të jetë tepër vonë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›