E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama në G8: Rimëkëmbja, ende larg

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, tha të premten se liderët e shteteve të industrializuara kanë rënë dakord të vazhdojnë ta vënë theksin te rizgjimi i ekonomisë, duke përforcuar rregullatorët financiarë, por njëherësh nënvizoi se rimëkëmbja e plotë "është ende larg". Në një konferencë shtypi të mbajtur pas mbylljes së Samitit të Grupit të të Tetëve, gjatë të cilit u zhvilluan bisedime edhe me liderit e G5-ës, ku bëjnë pjesë ekonomitë e mëdha në zhvillim, Presidenti amerikan nënvizoi domosdoshmërinë e veprimeve të përbashkëta në kuadrin e nxjerrjes së ekonomisë botërore nga kriza.

Njëkohësisht u bë me dije se kombet e G8-ës kanë rënë dakord të ndalojnë shtimin e mëtejshëm të armëve nukleare, të ndërmarrin masa energjike për pakësimin e gazrave të dëmshme në atmosferë, si dhe të vënë në dispozicion të vendeve të varfra 20 miliardë dollarë. Kjo shumë parash do t‘u shtohet sasive të akorduara për vendet e varfra që më parë.

Shtetet e Grupimit të të Tetëve - Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës - u takuan në Akuila të Italisë, një qytet i rrënuar nga një tërmet i fortë pak kohë më parë. E premtja, dita e fundit e samitit, u shënua nga takimi i krerëve të G8-ës me liderë afrikanë. Pas samitit, Obama do të bëjë një udhëtim të shkurtër në Romë dhe në Selinë e shenjtë të Vatikanit, ku familja e Parë amerikane do të takohet me Papën Benedikti XVI.

Gjatë natës së fundit të samitit, krerët e G8-ës gjetën gjuhën e përbashkët mbi problemet e ngrohjes globale dhe u urdhëruan ministrave përkatës të Financave të kërkojnë rrugët që duhen ndjekur për të rizgjuar bisedimet e fjetura në kuadrin e tregtisë globale.

Ndryshimet klimaterike zunë vendin kryesor të bisedimeve gjatë ditës së enjte, kur kombet e G8-ës gjetën gjuhën e përbashkët për të reduktuar sasinë e gazrave të dëmshme që lëshojnë industritë e tyre në atmosferë. Synimi - pakësimi me 80 për qind i sasisë së dioksidit të karbonit të çliruar në atmosferë deri në vitin 2050 - është që të parandalohet rritja e temperaturës së atmosferës tokësore me më shumë se 2 gradë Celsius. Gjatë një takimi tjetër të mbajtur po të enjten, ekonomitë në zhvillim gjithashtu ranë dakord të punonin për të ruajtur pragun prej 2 gradë Celsius. Por këto vende - përfshi Kinën e Indinë, dy prej ndotësve më të mëdhenj të atmosferës tokësore - refuzuan të vinin një prag të caktuar lidhur me sasinë e gazrave të çliruar.

Pjesa më e madhe e shkencëtarëve që mbështesin idenë e ndryshimeve klimaterike janë të mendimit se rritja e temperaturës në nivelin më shumë se 2 gradë mund të jetë katastrofike për Tokën. Negociatat e drejtuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara bëhen në kuadrin e nënshkrimit të një traktati për klimën - ku do të përfshihen 192 kombe. Një traktat i tillë, i parashikuar të nënshkruhet gjatë një samiti që do zhvillohet në dhjetor në Kopenhagën të Danimarkës, do të zëvendësojë Protokollin e Kiotos në vitin 2012.

Mediat vërejnë se takimi i Obamës me Papën Benedikti XVI vjen pasi numri një i Vatikanit lëshoi një sulm të ashpër kundër kapitalizmit global, shumë pak para nisjes së Samitit të të Tetëve, duke shigjetuar "devijimet dhe dështimet e rënda" dhe duke kërkuar "një mënyrë krejt të re për të kuptuar biznesin". Papa u kërkoi bankierëve të hiqnin dorë prej atyre praktikave që sot shihen si fajtore për shpërthimin e krizës globale ekonomike, dhe ta përdorin pushtetin për t‘i ardhur botës në ndihmë në përpjekjet për një zhvillim të shëndetshëm ekonomik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›