Spiropali: “Nuk mund ti rikthehem grevës, pasi nuk ma këshillojnë mjekët”
Pasi ka dalë nga spitali, deputetja dhe ish-grevistja Erisa Spiropali, deklaroi se nuk mund të rikthehet sërish në grevë pasi nuk ia lejojnë mjekët. Spiropali e braktisi grevën ditën e diel, ndërsa dje ka dalë nga spitali rreth orës 13:00, ku menjëherë është rikthyer në ambientet e çadrave për të takuar grevistët e tjerë. “Jam rikthyer për të takuar grevistët, më kishte marrë malli për të gjithë. Dëshira ime dhe vullneti im do të donte të rikthehesha brenda, por për arsye shëndetësore dhe për rregullat që ka greva nuk mund të kthehem më”, - tha Spiropali. Ndërsa grevën, Spiropali e cilëson si të nevojshme për të rivendosur në vend shtetin ligjor, moralin e vendit. Sipas saj, kjo është një grevë patriotike. “Ne jemi për të vendosur në këtë vend shtetin ligjor, institucionet e pavarura, kemi një qeveri që ka dalë nga sistemi i deformuar kushtetues, ligjor. Jemi këtu për të vendosur në vend shtetin e së drejtës. Është grevë patriotike, nuk jetohet në një barake të kalbur që bie copa-copa çdo ditë”, – nënvizoi Spiropali.
12 Maj 2010