E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurobondi, Ministria e Financave përgatitet për marrjen e borxhit

Mosemetimi i eurobondit brenda këtij muaji, bën që qeveria të paguajë interesa të larta Ndërhyrja e BE dhe FMN rrëzon interesat e borxhit grek dhe stabilizon tregjet

Ervin KOÇI

Sapo ka nisur të përmirësohet disi situata në bursat euriopiane, Ministria e Financave ka nisur përgatitjet për marrjen e borxhit në tregun ndërkombëtare. Qeveria e kishte shtyrë për një afat të pacaktuar marrjen e borxhit në tregun ndërkombëtar për shkak të situatës së vështirë në tregjet financiare të Europës. Por MF-ja po shpreson që ta marrë borxhin brenda këtij muaji, më saktësisht para datës 28 maj, për të shlyer përfundimisht kredinë e shtrenjtë që u mor vjet për rrugën Durrës-Kukës. Marrëveshja e qeverisë për këtë çështje është nënshkruar me dy bankat e mandatuara për eurobondin, “GP Morgan” dhe “Deutsche Bank”. Në marrëveshje është përcaktuar si interes i synuar për letrat me vlerë niveli 7.5 për qind, ndërsa afati i maturimit do të jetë 5 vjet. Në rast se qeveria nuk do të arrijë të emetojë eurobondet brenda këtij muaji, atëherë do të jetë e detyruar të paguajë edhe për 6 muaj të tjera, interesat e larta të kredisë 192 milionë euro që mori nga dy bankat private vitin e kaluar, “Alfa Bank” dhe “Deutsche Bank”. Aktualisht interesi për këtë kredi është rreth 11 për qind. Shqipëria paguan nga buxheti rreth 20 milionë euro në vit interesa për këtë hua, dhe një shtyrje e detyruar prej 6 muajsh do të ketë një kosto të përafërt me 10 milionë euro për buxhetin. Sakaq, tregjet financiare mbeten ende të pasigurta edhe pas arritjes së marrëveshjes nga BE dhe FMN për të ndërhyrë me një paketë shpëtimi 750 miliardë euro.

Bondet greke
Interesat e bondeve të qeverisë greke u ulën dje me rritëm marramendës, gjë që solli rritjen e shpresave për shitjen e bondeve në euro të qeverisë shqiptare. Bondet dhjetëvjeçare të Greqisë pësuan rënie në interesa prej 750 pikësh bazë dhe u shkëmbyen për 6.71 për qind (100 pikë bazë janë të barabarta me 1 për qind.) Bondet dyvjeçare të emetuara nga Athina u ulën me 1269 pikë bazë dhe u shitën dje për 5.48 për qind. MF-ja po priste pikërisht këtë gjë për të emetuar bondet e para sovrane të Shqipërisë. Një zyrtar i qeverisë bëri të ditur se bondet do të fillojnë të shiten këtë javë, ose maksimumi javën e ardhshme. Qeveria dëshiron të tërheqë deri në 400 milionë euro nga tregjet ndërkombëtare përmes shitjes së titujve të borxheve me vlerë minimale 50 mijë euro, të cilat shtohen me shumëfisha të 1 mijë eurove dhe që do të kenë vlerë maksimale 99 mijë euro. Blerësit do të mund t’i rishesin këto bonde në tregun ndërkombëtar. Dy banka ndërkombëtare kanë kryer reklamimin e bondeve shqiptare, të cilat sipas ligjit të miratuar në Parlament duhet të shiten për interesa jo më të larta se 7.5 për qind. Bondet qenë programuar të fillonin të shiteshin në fund të prillit, por vendimi u shty për shkak të destabilitetit të tregut financiar ndërkombëtar, ku interesat e borxhit grek arritën deri në 12-15 për qind, gjë që e bëri të pamundur shitjen e bondeve tona.

Kursi i këmbimit
Në tregun shqiptar, stabilizimi i euros u shfaq me shtrenjtimin e saj me 23 cent kundrejt lekut, ndërkohë që dollari humbi 2.41 lekë ose 2.3 për qind, duke shënuar një nga lëvizjet më të forta të regjistruara ndonjëherë. Euro kushtoi dje 136.5 lekë, ndërsa dollari kushtoi 104.58 lekë sipas kursit mesatar të mesditës që publikohet nga Banka e Shqipërisë.

BOX///////////////////////////////
Efekti i krizës greke te bondet shqiptare

Ministria e Financave dëshiron të emetojë bonde tre dhe pesëvjeçare me interes maksimal të pranueshëm prej 7.5 për qind. Për shkak se interesat e bondeve greke janë më të ulëta, qeveria shqiptare mund të shpresojë se do të jetë konkurruese. Megjithatë, asgjë nuk është ende e sigurt, pasi efektet e krijimit të fondit të emergjencës nga BE dhe FMN nuk janë shfaqur ende në tregun e bondeve të vendeve në zhvillim si Shqipëria. Para se të fillonte kriza, shumë banka dhe menaxherë fondesh qenë interesuar për blerjen e bondeve shqiptare, të cilat shpresonin se do të mund t’i shisnin në tregun sekondar. Për shkak se shqiptarët nuk kanë akses ndaj produkteve financiare të botës sot si bondet sovrane, disa ekspertë besojnë se blerësit me shumicë të bondeve do ta kenë të lehtë të marrin nga qeveria 7 apo 7.5 për qind dhe t’ua rishesin kursimtarëve të mesëm me 5 apo 6 për qind.
Qeveria do të përdorë gjysmën e parave të tërhequra përmes bondeve për shlyerjen e një kredie të shtrenjtë që mori në kulm të krizës botërore një vit më parë, interesi i së cilës është rreth 11 për qind. Gjysma tjetër do të përdoret për të mbuluar shpenzimet buxhetore të këtij viti.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›