E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta bie nën 76 dollarë për fuçi në bursa, tregu shqiptar asnjë reflektim



Çmimet e naftës sot kanë rënë nën 76 dollarë për një fuçi, pas dobësimit të euros. Në bursën e Londrës, nafta e papërpunuar u tregtua për 75,54 dollarë për fuçi. Çmimin më të lartë në 18 muajt e fundit prej 87,15 dollarë, nafta e arriti javën e kaluar kur kriza evropiane e borxheve e lëkundi besimin e investitorëve në euron. Analistët presin që paketa evropiane prej 1,000 miliardë euro përkohësisht do t'i stabilizojë çmimet e aksioneve në Evropë, por euro do të dobësohet, dhe kjo do të ndikojë në rënien e çmimit të naftës. Por ndërkohë që në bursa po vijon gjithë kjo ulje, në tregun shqiptar karburantet jo vetëm që nuk po pësojnë ulje, por ato po rriten me nga 10 lekë çdo ditë. Sipas të dhënave të tregut, çmimet e karburanteve variojnë nga 140-150 lekë për litër për naftën sipas cilësisë, ndërsa benzina nga 145-155 lekë për litër, ku vetëm gjatë javës së fundit kanë këto produkte kanë pasur një rritje prej 3 lekësh për litër.

Rusia, gati të ndërtojë një termocentral bërthamor në Turqi

Ministri rus i Energjisë, Sergei Shmatko, deklaroi së fundmi se Moska ka arritur një marrëveshje me Ankaranë për ndërtimin e termocentralit të parë bërthamor në këtë vend dhe se mirëkuptimi është arritur në nivel qeverish. Duke folur për agjencinë e lajmeve, “Cihan”, Shmatko deklaroi se është arritur marrëveshja mbi çmimin e energjisë që do të paguajë Turqia, por tani për tani ky çmim mbahet konfidencial. Sipas marrëveshjes, Rusia do të ndërtojë dhe operojë termocentralin, ndërsa Turqia do të paguajë një çmim të paracaktuar. Turqia ka dy dekada që punon për zhvillimin e energjisë bërthamore në vend, si një mënyrë për të siguruar energjinë e mjaftueshme për zhvillimin ekonomik. Vitin e kaluar, Ankaraja hoqi dorë nga planet për të ndërtuar një termocentral përmes financimit nga buxheti i vet. Marrëveshja me Rusinë pritet të ndërtohet gjatë një vizite të presidentit Dimitri Medvedjev në Ankara.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›