Berisha: “Perspektiva e Shqipërisë në fushën energjetike, është reale”
Qeveria shqiptare po bën përpjekje për të siguruar lehtësira për sipërmarrjet e investitorëve të huaj në Shqipëri. Një fakt të tillë, e ka bërë të ditur kryeministri Berisha gjatë një fjalimi të mbajtur në një konferencë për investitorët e huaj, të cilëve u ka pohuar se, “Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha evropiane për bizneset e huaja, të cilat janë aktualisht ndër më të mëdhatë”. Sipas tij, “qeveria ka nënshkruar mbi 200 kontrata për hidrocentrale, kur në vitin 2007 kishte zero projekte të tilla”. Kreu i qeverisë tha se, kompanitë e huaja kanë treguar një interes mjaft të madh për të investuar në forma të ndryshme të sektorit energjetik. Ai ka shtuar se perspektiva e Shqipërisë në fushën e energjisë është reale dhe paraqet mjaft interes për të huajt, duke u krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Qeveria po sheh mundësitë e nisjes së eksportimit të gazit natyror që prodhohet në vendin tonë, ndërsa kjo vlen të thuhet edhe për naftën. “Sasia e gazit në Kaspik që po zbulohet është në rritje dhe po kërkohen rrugë të tjera, prandaj ne do të jemi të gatshëm për të pranuar rrugët e reja të gazsjellësave nga Kaspiku drejt Evropës”,- tha kryeministri Berisha. Ai ka shtuar se, interesi i kompanive të mëdha është gjithmonë në rritje për të investuar në Shqipëri. Vendi ynë është një ndër vendet më të pasura në botë me krom dhe një ndër më të pasurat në Ballkan me bakër dhe qymyr, pasuri këto që duhen vlerësuar dhe shfrytëzuar. “Prodhimi i kromit po ndërmerr rritje të pandërprerë, por të mos harrojmë se edhe malet tona po fshehin një pasuri të pafund mineralesh”,- tha ai. Në fund të fjalës së mbajtur para investitorëve të huaj, kreu i qeverisë theksoi se ata mund ta konsiderojnë si një mik të përhershëm dhe partner të sigurt qeverinë që ai drejton.
12 Maj 2010