EULEX-i drejt reduktimit

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se kah mesi i qershorit, kur do të merret vendim për vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë, do të miratohen edhe vendimet për zvogëlimin e këtij misioni.
Duke folur me një grup gazetarësh në Bruksel, Hansjorg Haber, që është komandant për operacionet civile të Bashkimit Evropian, ka thënë se në të ardhmen misioni i EULEX-it në Kosovë do të jetë më i lehtë, më i vogël, por më fleksibil dhe më efikas.
Ai ka theksuar se EULEX-i në të ardhmen do të përgatitet edhe për të dorëzuar disa fuqi ekzekutive, të cilat i ka, por, sipas tij, kjo nuk do të ndodhë brenda ditës.
Sipas tij, fokusi i EULEX-it do të jetë në të ardhmen më pak në komponentin policore, e më shumë në atë të gjyqësorit. Ai ka thënë se fokusi do të jetë fusha e drejtësisë, e sidomos rastet e krimit të organizuar, korrupsionit në nivel të lartë dhe krimeve të luftës.