E Diel, 1 Nëntor 2026

Dasmë në Stamboll



Kim Mehmeti

Më lajmëronte të shkoja sa më ngutshëm në Stamboll. Kishte vendosur të martohej me mua. Katër vite e kisha lutur dhe e kisha bindur sa shumë e doja, se do të isha bashkëshorti i saj besnik, se nga ajo do të më ndante vetëm vdekja, madje as ajo, se edhe në atë botë do ta prisja besnikërisht, siç e prita katër vite që të vinte e të jetonim bashkë. Çfarë nuk i kisha premtuar, por përpos një “jo-je” të mprehtë, kur nuk më thoshte gjë e as më jepte ndonjë arsyetim pse i ikte martesës. “Nuk martohem me ty edhe pse të dua!”, thoshte. “Pse moj, pse? Si mundesh të jetosh pa mua, kur thua se më ndien, se të jam nektar i pagjumësisë?”, e pyesja duke iu vardisur të ma thoshte nëse kishte ndonjë shkak apo të fshehtë që unë nuk e dija.
“Nuk dua të martohem sepse e di se tërë jetën do të ma lodhësh shpirtin pse nuk të kam ardhur me kohë, pse kam lejuar që të tjerët të shijojnë trupin tim, edhe pse kam lindur të jem veç e jotja!”, thoshte duke ma kthyer shpinën. “Po si do të jetosh pa mua, si do ta përballësh tërë atë mall që të më kesh, si do t’i bartësh gjithë ato net pa gjumë, me ëndrra të ngulfatur që të më takosh vetëm mua?”, e pyesja i shqetësuar jo gjithaq për vetveten, sa për ardhmërinë e saj. “Do të pres mëngjeset duke i lëpirë plagët që m’i shkaktuan ata që më shoqëronin, përderisa të prisja!”, përgjigjej plot inat e me atë kokëfortësinë e vet. Dhe shtonte se ishte së tepërmi e njollosur me papastërtitë e rrugëve të Stambollit, se nuk donte në shtratin e dhëndërisë sime të sillte erën e përkëdheljeve të duarve të papastra që e kishin shtrënguar e gërvishtur. “Ani de!”, i thoja unë. “Do t’i harrojmë të gjitha, do t’i shëroj plagët e shpirtit me puthjet e mia, do t’i pastrojmë të gjitha ato papastërti që të pengojnë. Do ta varrosim të kaluarën tënde në ngrohtësinë e trupit tim!”, e lusja katër vite me radhë, por ajo nuk lëshonte pe, edhe pse thoshte se freskinë e jetës së pari herë e kishte shijuar kur e kishin ledhatuar duart e mia, edhe pse betohej në qumështin e nënës se ditën e rilindjes e kishte përjetuar atë të enjte, kur kishte shijuar ngrohtësinë e trupit tim, se nektarin që ia dhurova e ndiente ende si i shëtiste nëpër damarët e trupit njësoj si freskia e saj rinore.
Dhe ja, tani kur nuk e prisja, kur u lodha duke e bindur se të gjitha do t’ia fal, se dua ta kem përjetësisht, kur shpirtin tim e kishte kapluar dimri i dëshpërimit se kurrë nuk do të më takonte e jashtë e kishte robëruar natyrën ngrica e janarit, ajo kërkonte nga unë që sa më shpejtë të shkoja në Stamboll, më lajmëronte se kishte vendosur të kurorëzoheshim e të bëhej e imja edhe pas vdekjes. Ngricat në shpirtin tim u shkrinë posa më erdhi ai lajm i gjatëpritur e të ftohtit që kishte mbërthyer hapësirën që na ndante, as që mund të më pengonte për t’u nisur ku më priste ajo. Mora udhën ngutshëm dhe pa arritur të bëj ndonjë përgatitje të veçantë, u nisa siç do të nisej edhe mbreti, të cilit i vjen lajmi i papritur se do t’ia kthejnë fronin që ia kanë marrë trashëgimtarë të paligjshëm. Se përsëri do të ndiejë mbi kokë peshën e kurorës së lumturisë, pa të cilën e kotë i është dukur jeta. Dhe arrita në Stamboll duke shpresuar se ajo do të më priste te Shtëpia e dasmave, ku dikur ishin kurorëzuar pashallarë e pasanikët e perandorisë së famshme osmane, por më kot: ishte ulur buzë detit të valëzuar, aty ku dikur qëndronte ura e vjetër e Gallatës dhe posa më pa nga larg, i hapi krahët dhe vrapoi drejt meje të më përqafonte. Ishte veshur në të bardha, si çdo nuse e bërë gati për martesë. “Pse këtu, pse nuk më prite në shtëpinë tënde ku do të na uronin martesën të afërmit e tu?”, e pyeta. “Nuk më duhet asnjë dëshmitar në këtë martesë të vonshme, me ty dua të vë kurorën e Shenjtë, që e dëshmon vetëm Zoti!”, tha dhe u nisëm drejt një shtëpie të braktisur me një dhomë të madhe në katin e parë, të cilën e kishte stolisur me trëndafila. Shtrati në mes të dhomës ishte i mbuluar me pupla të bardha pëllumbash. Dritaret ishin përplot me pluhur, ndërsa muret bartnin blozën e së kaluarës, kur aty mbase kishin jetuar banorë të pasur, që e kishin pritur me gëzim mëngjesin.
Posa ramë në shtrat, në dritaret e dhomës qëndruan plot pulëbardha. Nga frymëmarrjet tona u mjegulluan xhamat e dritares dhe nuk shihja më flatrat e tyre e as sqepat, që donin ta thyenin xhamin. Pastaj përnjëherë rreth shtëpisë u dëgjuan daulle e britma të njerëzve. “Pse bien këto daulle? Kush janë këta njerëz?”, e pyeta. Më tregoi se, para se të arrija, kishte lajmëruar të gjithë rrugaçët e Stambollit për martesën tonë. Dhe se ata e kishin përhapur lajmin anekënd qytetit.
Dola në dritare. Pashë daullexhinjtë që u binin daulleve, kalimtarët që ndaleshin e shikonin drejt dritares së dhomës sonë. Në mesin e tyre ishin prindërit e mi, gruaja me fëmijët, shumë miq që mbase edhe i kisha harruar. Kishin ardhur dhe të gjithë të afërmit e saj, edhe pse më tha se nuk u kishte treguar se do të martohej me mua. Zgjata kokën në dritare që t’i përshëndes. “Duam të shohim nusen e jo ty! Duam të na rrëfejë çka e shtyu t’i braktisë rrugët ku e rritëm, duke e gënjyer se ti kurrë nuk do të vish!”, bërtitën rrugaçët e leckosur, që më panë të parët, kur nxora kokën. “Nusja, le të dalë në dritare nusja!”, ushtuan britmat e të tjerëve. “Nuk të lë të dalësh e t’ua bësh qejfin këtyre që ta kanë brejtur shpirtin!”, thashë, duke iu kthyer asaj, që ta lusja të mos dilte në dritare dhe të rikujtonte pikëllimin e dikurshëm. Por ajo nuk ishte në shtrat. Mbi çarçafin e bardhë qëndronte vetëm një tufë me lule, një kurorë si e vënë mbi varr. “Ku u trete?”, bërtita duke e lutur të më kthehej, por nuk dëgjova të më përgjigjej. Pastaj u përplasa mbi shtrat. Dhe e kuptova: asaj nate janari isha kurorëzuar me vetveten. Pastaj Stambollin e mbuloi një borë si asnjëherë më parë. Të nesërmen, rrugët ishin të mbuluara nga akulli. Njerëzit nuk dilnin nga shtëpitë, se as që dinin se si ecet nëpër borë. Edhe të vdekurit e shumtë me ditë të tëra mbetën të pavarrosur. Mbeti i pavarrosur edhe pikëllimi im e hamendja se vallë ku kishte shtegtuar nusja ime, me të cilën as që arritëm të kurorëzohemi si duhet në atë ditë të ftohtë janari. “O mik, o i imi mik, deri në vdekje do të më jesh diell që më ngroh në këto ngrica të jetës!”, më kishte thënë dikur, kur e bindja të martohej me mua. Unë qëndroja shtrirë në krevat. I ngjaja një cope akulli që shkrihe ngadalë e bëhet njollë e padukshme mbi çarçafin, ku shpeshherë kisha ledhatuar trupin e saj.
Kur dola që të kthehesha nga kisha ardhur, pranë meje kaloi një kortezh. Në tabutin që bartnin kryesuesit e kolonës, qëndronte shtrirë ajo, nusja ime me të cilën nuk arritëm të kalojmë as natën e gjerdekut. Atëherë më kujtua se dikur moti më kishte thënë se dëshmitar yni i vetëm i dasmës do të ishte vdekja e saj, me çka do të dëshmonte se gjithmonë më ka dashuruar më shumë se jetën. Ika nga ajo rrugicë e ngushtë duke mallkuar ata, që ia kishin mbyllur të gjitha dyert të dashurës sime dhe e kishin çuar të lundrojë nëpër detin e lotëve të vet, ku edhe i ishte fundosur barka e besimit se është e mundur t’i ringjallësh ëndrrat e vdekura.

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›