E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfliktohet për trafikun, tenton të vrasë tre persona me kamion



Tiranë – Një sulm i paprecedentë për vrasje ka ndodhur në kryeqytet kur një person është përpjekur t’u marrë jetën 3 të rinjve duke i marrë zvarrë me makinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 16:30 në lagjen “Shkozë” në periferi të Tiranës. Burime nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit në Policinë e Tiranës bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, rezultoi se 31-vjeçari Artur (Artan) Prenga, lindur në Mirditë dhe banues në Shkozë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, me automjetin e tij tip kamion, me targa DR 6024 E, ka goditur automjetin tip “Xhip”, me targa BN 21 BZ, ku brenda ndodheshin 3 persona, me synim për t’i vrarë, duke e marrë zvarrë këtë mjet. Si rezultat i dëmtimeve të marra është shtruar në spitalin e Tiranës, 33-vjeçari Lulëzim Zeqaj, 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkozë, i dënuar më parë për vjedhje, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Plagë në pjesë të ndryshme të trupit kanë marrë dhe dy personat e tjerë, të cilët gjenden jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje, Artur Prenga, pas goditjes së automjetit tip “Xhip” të shtetasve të mësipërm, është larguar me shpejtësi. Gjatë largimit ka goditur dhe një autobus të linjës duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe më pas është larguar duke braktisur mjetin e tij. Policia tha se “nuk ka arritur ende të prangosë të dyshuarin, kurse materialet procedurale në ngarkim të 31-vjeçarit Artur Prenga i kaluan prokurorisë për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “shkatërrim të pronës me mjete të tjera”. Lidhur me këtë ngjarje mësohet se janë dërguar materialet në prokurori për ndjekje në gjendje të lirë, për veprën penale të “fyerjes për shkak të detyrës” ndaj shtetasit D. A., dëshmitar në vendngjarje, pasi ky i fundit nuk ka pranuar të shoqërohet në komisariat.

Vetëvritet 65-vjeçari, sipas policisë shkak është depresioni

Tiranë - Një 65-vjeçar është vetëvrarë paraditen e sotme në Tiranë në banesën e tij në afërsi te shkollës “Sami Frashëri“. Viktima quhet Behar Sevdari dhe sipas burimeve policore, qi u vetëvra me një armë tip pistoletë. Prej kohësh 65-vjeçari jetonte i vetëm në banesë dhe dyshohet se shkaku i vetëvrasjes mund të ketë qenë një moment i rendë depresioni. Policia, e cila shkoi menjëherë në vendngjarje, sekuestroi armën dhe po heton lidhur me arsyet që e çuan të moshuarin t’i jepte fund jetës.

Kontrolli rutinë, policia gjen kokainë dhe armë në një lokal te “Irfan Tomini”

Tiranë – Dy të rinj janë vënë në pranga dje nga specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve. Burime policore thanë se Rubens Balluku, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, dhe Bruno Mara, 28 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, u arrestuan pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në lokalin “Bar Viklo” Eurobet, me administrator shtetasin Bruno Mara, në rrugën “Irfan Tomini”, u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pistoleta dhe një sasi prej 1 gramësh lëndë narkotike e dyshuar kokainë. U kryen veprimet procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lëndës narkotike, dy aparate telefoni celular, një pistoletë model 54, me një krehër me shtatë fishekë, një pistoletë tip “Smith”. Materialet i kaluan prokurorisë për shtetasin Rubens Balluku, për veprat penale të “shitjes së lëndëve narkotike” dhe “armëmbajtje pa leje”, si dhe për shtetasin Bruno Mara për veprën penale të “përshtatjes së ambienteve për përdorim lëndësh narkotike”.

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›