Paradokset e librit
Arti i sakrifikon artistët më tepër për idetë pa emra dhe që nuk u dihen emrat. Arti është një martesë shpirtërore midis vdekshmërisë me amëshimin, e së përkohshmes me kozmiken. Arti tejkalon moralin, por në substancë nuk ka moral pa art. Arti i të shkruarit është vështirësia e të kuptuarit. Ashtu si perënditë pagane që qenë më tepër ndjenja e fantazi dhe jo dokumentim e shkencë, ashtu dhe arti përjeton sekretin e sintezës së tij. Arti është si një qerre antike, ku janë mprehur leopardë që nuk dinë as rrugë, as drejtim, po ecin të shtyrë vetëm prej forcës magjike të instiktit. Por gjithmonë mund të arrihet tek Tempulli i Arsyes. Po ju jap një shembëlltyrë, një stërvitje mendore, një triumf të nëmur të dialektikës.
Moikom ZEQO
Arti është jo vetëm ndryshimi midis njerëzve dhe perëndive, por edhe ngjizja e tyre e përbashkët. Ashtu si pellazgët e parë në Dodonë sakrifikoheshin për perënditë e tyre, që nuk kishin dhe nuk ua dinin emrat, ashtu dhe arti i sakrifikon artistët më tepër për idetë pa emra dhe që nuk u dihen emrat. Arti është një martesë shpirtërore midis vdekshmërisë me amëshimin, e së përkohshmes me kozmiken. Arti tejkalon moralin, por në substancë nuk ka moral pa art. Arti i të shkruarit është vështirësia e të kuptuarit. Ashtu si perënditë pagane që qenë më tepër ndjenja e fantazi dhe jo dokumentim e shkencë, ashtu dhe arti përjeton sekretin e sintezës së tij. Arti është si një qerre antike, ku janë mprehur leopardë që nuk dinë as rrugë, as drejtim, po ecin të shtyrë vetëm prej forcës magjike të instiktit. Por gjithmonë mund të arrihet tek Tempulli i Arsyes.
Arti mund të përcaktohet nga fjalët eskatologjike të hymnit të lashtë orfeik kushtuar Dionisit: “Edhe ti shikon në të vërtetë tërë kupën qiellore të pakufishme dhe tokën e begatë nën vete, në netët e qeta Ti e fsheh fytyrën tënde në mjegullën e yjeve, damarët e tu janë nën tokë, duart e tua janë kufijtë e universit. Ti je fillimi e mbarimi i gjithë gjërave. Dionis, Dionis, meqenëse Ti mban çelësin e kozmosit, ki mëshirë për ne vdekëtarët, o Hyjnor i Madh!”
* * *
Por në mes të Zotit e njeriut janë hapur humnera. Arti është një urë e hollë sa fija e flokut. Subjektet nuk mund të shpiken, sepse ato janë ato që janë, kanë qenë dhe do të jenë. Mund ta ribësh kishën e krishterë me materiale ndërtimi të tempujve paganë të shkatërruar. Kështu është dhe letërsia. Me tepër sesa fantazma e pjellshme, është vështrimi ironik pa asnjë kufi. Fjala vjen, çdo gjë mund të transformohet. Po ju jap një shembëlltyrë, një stërvitje mendore, një triumf të nëmur të dialektikës.
Henri Miller, me talentin e tij të egër por edhe të pakujdesshëm, botoi romanin “Ana Karenina”, i bindur se njëfarë Tolstoi qe veç lëndë e parë e një përpunimi të mrekullueshëm. Miller fut një jetë të re në melodramën e trishtuar dhe tepër narrative tolstojane të kohës së carit. E nis rrëfimin intrigues në vetën e parë, ndërmjet Vronckit, duke e kaluar në kohë dhe në hapësirë veprimin nga Rusia në Parisin e viteve ’30 të shekullit XX. Qëllimi i këndshëm është që të zbulojë madhërisht hedonizmin mistik dhe të vazhdueshëm të kontit të shthurrur, domethënë të Vronckit, i cili pikërisht në Monparnas bie në ndikimin apokaliptik të materializmit amerikan. Lidhja e tij me Anën, grua e metë nga mendja, e dehur nga streset e estetikës e të seksit të dyshimtë, në fakt mbesa e një postieri francez të verbër, i jep mundësi shkrimtarit të rezymojë para botës e vetes se vesi më thelbësor dhe mrekullia e rëndë dhe e padurueshme e gruas në përgjithësi, është urrejtja fatale ndaj natyrës poligamike të burrit. Ana hidhet nga Kulla Eifel. Romani “Ana Karenina” i rindërtuar është absolutisht një gjë serioze, që e mohon tautologjinë, madje, pretendohet nga Miller se romani i vjetër i Tolstoit është kopja e romanit të tij, çka është dhe një konceptim i ri i kohës, ku e ardhmja është më e vjetër sesa e kaluara, gjë që e vë në kontradiktë edhe matematikore teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit.
Uilliam S.Berrouz u tregua akoma më i pashpirt, duke botuar “Aventurat e Sherlok Holmsit”. Romani nis (ose rinis) me historinë se si Holmsi, kokainist i regjur e dinak, në turmën e njerëzve të stacionit “Çawring Kros” të metrosë vjedh diçka, me qëllim që sa më shpejt ta shpjerë e ta lërë peng diku, në mënyrë që paratë t’ia japë njeriut enigmatik e kriminel, që e furnizon fshehurazi me narkotikun shpëtimtar. Pastaj lexuesi i tmerruar bëhet dëshmitar i eksecentriadës së tij të çuditshme nëpër Londër, të ndjekur nga policët e agjentët e stërvitur të Skotland Jardit. Imazhet madhështore kokainiste të Holmsit, skenat makabre me qen policorë, deri te tavanet e shtëpive të braktisura ku lëkunden të vetëvarur, në trupat e të cilëve gëlojnë krimbat e kutërbon vetë skëterra, përbëjnë faqet më pikante që janë shkruar ndonjëherë, duke e kthyer dedektivin ndjekës të dikurshëm në të ndjekur të shkatërruar nën makthin e vdekjes së pashmangshme.
Norman Mejer, pa pretendime egoistike, po i pajisur me shpoti të trashëguara familjare, bën një sfidë gjithashtu sensacionale: shkruan e boton një “Iliadë”, në prozë, për arsyen substanciale se poezia është një naivitet i tejkaluar. Veprimi i “Iliadës” mejeriane ndodh në Los Anxhelos. Paridi vret të shoqen. Në kërkim të qetësisë shpirtërore, ai niset për në një klub nate, ndonëse i urren kitarat elektrike e nuk e honeps striptizën e mulateve me trup të mrekullueshëm. Befas, aty takon Helenën, një yll të Hollivudit. Pasi luan me elegancë të vrazhdë një rumbo, Paridi e shkëput Helenën nga produktori i saj, njëkohësisht dhe regjisor me protezë floriri e flokë të lyer, po krejtësisht i ligjshëm, domethënë subjekti i garantuar noterik, me emrin e vjetër Menelai. “Atë e vrau urrejtja dhe impotenca seksuale, që bie erë si kanalet e ujërave të zeza”, thotë Paridi, duke u nisur me Helenën dinake, po dhe të pafajshme, për të kaluar weekend-in skandaloz në Palm Springs. Më tej lexuesi mund të tmerrohet nga epshi i papritur anormal, dhuna e dashurisë së përsëritur, metaforizmi i mendimeve e gjesteve plot tmerre, perversiteti mahnitës. S’ke ç’i thua, një epos i parodizuar!
Krtiku amerikan Mortimer Alder, të cilit i detyrohem për informacionin e mësipërm, në shkrimin e tij “The greats books” në revistën “Plays boys” të Nju Jorkut, tërheq vëmendjen për suksesin e padiskutueshëm e fatal të parodive moderne, kryeveprave të lashta të harruara. Dikur Hegeli ka shkruar se ironia është majaja e artit, subjektiviteti më i paarritshëm i imagjinatës artistike. Kuptohet se parodia është njëlloj alibie e ironisë, vesku e sharmi i saj më i zakonshëm. Kur argjentinasi hokatar Jorhe Luis Borges shkroi tregimin “Pjerr Monari, autor i Don Kishotit”, ku bën fjalë se Monari më 1918 shkruan fjalë për fjalë tekstin e Servantesit të vitit 1602 dhe për shkak të konotacioneve të reja të fjalëve shkruan kështu një gjë krejtësisht origjinale, të ndryshme, kritikët mediokër e ziliqarë e bojkotuan me heshtje, por edhe nuk e kursyen me sharje lakonike, të nënshkruara me pseudonime tallëse, të marra në librat e Juvenalit e të Suiftit. Shembujt e librave me emra të njëjtë të shkrimtarëve trima e të guximshëm, në shekuj të vijuar janë jo një profanim, por një ringjallje e pazakontë e letërsisë spekulative, e për rrjedhim, një akt preventiv dhe qetësues i shpirtrave rebelë e të mërzitur të lexuesve anonimë të botës. Analizat e Ferdinand de Sosyrit e të Roland Bartit, të ftillëzuara nga strukturalizmi, do të ishin inkurajuese për këtë problem aktual, por jo edhe pa disa kontradikta konceptuale të principeve të nocionit të tekstit letrar e të metatekstit imagjinativ. Çdo veprimtari intelektuale, vetvetiu ka karakter humoristik të fshehtë, ka thënë Bernard Shou, i cili edhe vetë ka qenë kokëkrisur e heretik i skemave të neveritshme.
* * *
Unë kam mendimin se letërsia është e kërcënuar vdekshëm. Nuk është e kërcënuar palca e saj e tejtejshme, por e ardhmja e letërsisë. Kanë ndodhur ndryshime të mëdha e të pabesueshme konceptuale. Teoritë strukturaliste e bihoveriste për tekstin letrar, për literalitetin janë teori që më kujtojnë formalizmin filologjik aleksandrinas. Realiteti ka çudira të tilla, saqë tragjeditë me triller të duken si diçka fëmijërore, të pafajshme, tepër të lehta, gati të përbuzshme. Kjo shtron kërkesën që apokalipsi i letërsisë të jetë i pranishëm, por ne duhet të gjejmë rrugë të tjera për të dredhuar nekrofilizmin estetik të vetëvrasjes, apo degjenerimin ekologjik të vetë njeriut në përgjithësi... Nuk dua t’ju tmerroj, as të bëj kapërcime të pamerituara e të pakuptimshme. Por jam i bindur që sekreti i shpëtimit të letërsisë është te ringjallja dhe në rikonceptimin e saj. Letërsia është në kërkim të një identiteti tjetër, një identitet që nuk e mohon rolin e amëshuar të letërsisë. Kjo shpjegon faktin, pse disa nga tregimet e mia u ngjajnë më tepër sinopseve kinematografike, janë të papërfunduara, janë rrathë që futen e dalin nga njëri-tjetri, makrokozmosi ndrydhet në mikrokozmosin në atë mënyrë që çdo miniaturë është njëkohësisht gjithçka e pamatshme. Mendoj se tregimet më të mira janë ato që të nxisin fantazinë dhe librat më të mirë janë ata që nuk do të shkruhen kurrë.
Regjisori amerikan Stenli Kubrik gjithë jetën donte të realizonte projektin e një filmi për Napoleonin. Ai bëri mijëra skica e rreshtoi qindra ide për kryeveprën e tij, që nuk u fiksua kurrë në ekran. Ai donte të rikrijonte spektaklin e bukurisë së dhunshme të luftës, të këtij “baleti madhështor të vdekjes”, siç e quante regjisori betejën. Mendoj se ky film i parealizuar ka vendin e tij në panteonin e artit dhe ndoshta na mëson diçka krejt të re. Një tjetër regjisor, Goran Paskajeviç, bën një përpjekje akoma më të egër e më hulumtuese. Ai koncepton një film me një personazh, të quajtur Harry, që transformohet në pemë. Është bazuar në një rrëfim të shkrimtarit kinez Yang Zhenshung. Personazhi ambientohet në Irlandë. Ai i ka të gjitha gjërat në parametra ekologjikë, por atij i mungon një armik. Atëherë ai vendos, mbas një loje shahu në kompjuter, të shpikë Georgen si armik të tij, një burrë hiperseksual si Kazanova dhe markezi Sad. Befas takohet me bukuroshen Andy MacDowell, e çmendur nga joshja e kirurgjisë plastike, që ka vendosur të sfidojë ligjet gravitacionale, duke vënë silikonin në pjesët e gjoksit. Ajo është në moshën 435-vjeçare, por duket si 17 vjeçe. Mban si bizhuteri të saj diamante të Nabukodonozorit e merr pjesë në sfilatat e Versaçes. E gjithë historia është e pabesueshme, sepse është e vërtetë. Mbasi Harry jeton tërë jetën e dinosaurve e të njerëzve, të lepujve e pulëbardhave, shndërrohet në një pemë mes shkretëtirës. Në të gjithë këtë shtjellim ka një ironi groteske, të qetë e homofobike.
* * *
Njeriu duhet të flasë tepër shumë, përpara sesa të heshtë. Një filozof i vjetër kinez ka thënë këtë frazë të paimagjinueshme: “Sot po shkoj në shtetin Ji, e kam arritur dje.” Kjo mund të përkthehet për mua: “Udhëtova në Kinë në vitin 2004, por kam arritur shumë më përpara.” E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Ezra Paund. Madje, ai ka arritur, pa qenë fare. Kjo të kujton aporitë e Zenonit. Dua ta mbyll këtë krijim fantazmagorik me një parabolë kineze. Njëherë, një njeri i thjeshtë e takoi një Njeri të Pavdekshëm, i cili e paska pyetur se çfarë dëshironte. Njeriu i thjeshtë i tha se dëshironte flori. Njeriu i Pavdekshëm preku me gisht disa gurë dhe ata u shndërruan në flori. Atëherë i Pavdekshmi i tha njeriut të thjeshtë që t’i merrte, por ky nuk pranoi. “Çfarë dëshiron tjetër?”, e pyeti i Pavdekshmi. “Dëshiroj gishtin tënd”, u përgjigj njeriu i thjeshtë.
Lexues, jepma gishtin tënd!
30 Nentor 2008