“Klik Ekspo Group” nderon me çmim kreun e shtetit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dje pasdite Panairin Ndërkombëtar “Klik Ekspo Grup” 2008, të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në të cilin janë ekspozuar prodhime të sipërmarrësve vendas dhe të huaj. Presidenti Topi u prit nga titullarët e Klik Ekspo Group, kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, z. Gjokë Uldedaj, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe institucioneve të huaja që marrin pjesë në Panair, si dhe nga një ekip i përzgjedhur sipërmarrësish shqiptarë dhe investitorësh të huaj, të cilët kanë ekspozuar produktet dhe shërbimet e tyre në këtë panair. Pasi zhvilloi një takim me një grup të ngushtë sipërmarrësish, midis të cilëve edhe përfaqësues nga Kosova, kreu i shtetit vizitoi stendat dhe pavijonet ku ishin të ekspozuara prodhimet më të fundit të firmave të ndryshme shqiptare dhe të huaja. Topi u shpreh: “Mund të them diçka të improvizuar, sepse erdha ta vizitoj këtë panair si një qytetar i thjeshtë, ashtu sikurse e kam vizituar gjithmonë. Vetëm mund t’ju them që pesëmbëdhjetë vite nuk janë pak dhe duke e kalkuluar momentin kur ka filluar ky lloj aktiviteti, korrespondon pikërisht me hapat e parë të ekonomisë së tregut në Shqipëri. Pra nuk ka ekonomi tregu pa promocion, pa ekspozicion”.
Deklarata e Presidentit
“Unë, me këtë rast dëshiroj që të falënderoj të gjithë organizatorët, grupin ‘Klik Ekspo Group’, të gjitha firmat që marrin pjesë. Tashmë kjo nuk është thjesht një traditë, por brenda kësaj tradite ka mjaft elementë modernë, të përparuar të ekonomisë së tregut. Është një element i domosdoshëm i kësaj ekonomie: Shqipëria është një vend i hapur”, - tha presidentit Topi. Ai vijoi më tej: “Këtë e dëshmon edhe numri i firmave që marrin pjesë në panair, që vit pas viti shtohet, rritet jo thjesht me përfaqësues të Shqipërisë, apo të vendeve fqinje, por edhe të vendeve të cilat mund të jenë edhe gjeografikisht larg Shqipërisë. Kjo tregon që konkurrenca globale shikohet edhe në këtë panair. Unë ndihem i gëzuar që në këtë panair shikoj shumë njerëz. Janë qytetarë të thjeshtë, janë tregtarë, janë njerëz të medias dhe më vjen mirë që këtë prononcim e bëj pikërisht në këtë ekspozicion të një medieje e cila konsiderohet si pioniere e futjes së teknologjisë moderne në Shqipëri. Për këtë ju falënderoj unë, ju falënderon gjithë Shqipëria, ju falënderojnë të gjithë shqiptarët, sepse ju keni bërë të mundur që ta shtrini botën e informacionit në çdo cep të globit tonë. Kjo falë jush, falë të ndjerit Dritan Hoxha, i cili me pasionin e tij arriti që të fusë teknologji, të cilat janë konkurruese edhe për botën e përparuar sot. Edhe një herë urimet më të mira dhe suksese në panairet e tjera!”
Medalje për Topin
Kreut të shtetit iu dhurua në shenjë mirënjohjeje nga organizatorët e panairit një Medalje e Artë me motivacionin: “Me mirënjohje për mbështetjen ndaj biznesit”. Ishte një moment i veçantë, gjatë vizitës në panair, dhënia e Medaljes “Shqiponja e artë” në shenjë mirënjohjeje Presidentit të Republikës. Në emër të shoqërisë “Klik Ekspo Group”, kreu i saj, Luan Muhametaj, i dorëzoi presidentit Topi medaljen. Ky moment u bë dhe më i veçantë pasi ndodhi në stendën e shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Dritëro Agolli. “Tradita e do që unë të jap medalje dhe stimuj mirënjohje për personazhe të shquara, por ‘Klik’ po bën të anasjelltën; çka më bën të ndihem shumë mirë”, - tha presidenti Topi.
Shpërndahen çmime për kompanitë më të mira të Panairit
Cilësia e mirë, kujdesi ndaj klientit dhe teknologjia e përdorur u kanë dhënë çmime nderi disa prej kompanive që morën pjesë në Panairin e përvitshëm ndërkombëtar. Kompania “Klik Ekspo Group” u ka dhënë çmimet “Shqiponja e artë” disa prej kompanive shqiptare dhe të huaja, që tashmë janë mëse të njohura në treg. E veçanta në ceremoninë e dhënies së çmimeve që ka bërë “Klik Ekspo Group” ishte prania e Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi dhe dorëzimi personalisht prej Tij. Ceremonia e dhënies së çmimeve u ndoq nga shumë personalitete, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të Trupit Diplomatik, të organizmave të biznesit dhe qindra të tjerë të pranishëm.
Fillimisht, Presidenti i Republikës Bamir Topi, në fjalën e tij, shprehu vlerësimet maksimale për organizatorët e panairit. “Dua të falënderoj organizatorët e këtij panairi, drejtuesit e shoqërisë “Klik Ekspo Group” për këtë manifestim të madh biznesesh dhe produktesh. Tashmë panairet tuaja nuk janë vetëm një traditë e suksesshme, por në to ka shumë elementë të rinj, elementë që tregojnë qartë suksesin dhe evoluimin e ekonominë e tregut në Shqipëri”, - tha Presidenti i Republikës. Më pas, i Bamir Topi i ka nderuar përfaqësuesit më në zë të biznesit, të pranishëm në këtë panair, duke ua dhënë personalisht çmimet e arta të akorduara nga ana e shoqërisë organizatore të këtij panairi.
Çmimet “Shqiponja e Artë”
Shumëllojshmëria e produkteve, por mbi të gjitha cilësia e tyre, i ka dhënë çmimin e artë kompanisë “EHW”. Një ditë para mbylljes së Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar, shoqëria “Klik Ekspo Group” u ka akorduar çmimin e artë drejtuesve të kompanisë “EHW”. Kanë qenë testimet e bëra të konsumatorët vëzhgimet e mbi 13 produkteve të EHË-së dhe një sërë faktorësh të tjerë që i dhanë çmimin e merituar kësaj kompanie. Në mënyrë simbolike, presidenti i shoqërisë “Klik Ekspo Group” Luan Muhametaj i ka dhënë çmimin “Shqiponja e artë” presidentit të kompanisë “EHW”, Luan Leka. Çmimi i akorduar nga organizatori i panairit, “Klik Ekspo Group” iu dedikua për shkak të cilësisë, teknologjisë dhe shumëllojshmërisë së prodhimeve të kësaj kompanie. Me këtë çmim dhe motivacion është nominuar edhe kompania “Moncafe”. Çmimet nuk kanë munguar dhe për një prej kompanive që ofron shërbime cilësore. Një tjetër çmim i artë i është dhënë kompanisë “Stela”, një ndër prodhuesve më të mëdhenj të birrës dhe pijeve të tjera në Shqipëri.
30 Nentor 2008