E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron shoqërinë “Klik Ekspo Group”

I jepet Medalja “Për merita të veçanta civile” organizatorit të Panairit, Luan Muhametaj

Në kuadrin e Edicionit të 15-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, të organizuar nga shoqëria “Klik Ekspo Group”, në Pallatin e Brigadave u zhvillua ceremonia e dekorimit nga ana e Presidentit të Republikës, Prof. dr. Bamir Topi të një sërë sipërmarrjesh dhe përfaqësuesish të suksesshëm shqiptarë dhe të huaj. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, u dekorua nga Presidenti i Republikës me Medaljen “Për merita të veçanta civile”, shoqëria “Klik Ekspo Group”, me motivacionin “Për kontribut të veçantë si nismëtar i panaireve ndërkombëtare në Shqipëri dhe themelues i Unionit të Panaireve Ballkanike; për ndihmesë të vyer në njohjen dhe integrimin e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit”.
Më ketë medalje u dekorua edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, e cila ka këtë motivacion: “Për kontribut të vyer në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit, brenda dhe jashtë vendit”; EHW-ja: “Për kontribut në ndikimin dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit, si një ndër të parat sipërmarrje të suksesshme në vend, me standarde bashkëkohore”. Ndërsa me Medaljen e Mirënjohjes u dekorua, pas vdekjes, Dritan Hoxha, me këtë motivacion: “Ideatorit dhe krijuesit të talentuar të njërit prej grupeve më të fuqishme mediatike në vend, i cili revolucionarizoi median elektronike në Shqipëri duke vendosur standarde bashkëkohore dhe një shërbim cilësor për të gjithë shqiptarët”; dhe avokati Xhovani Dexhenaro “Për kontribut të vyer në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, si një ndër përfaqësuesit e sipërmarrjeve të huaja më të suksesshme në Shqipëri”. Të dekoruarit falënderuan dhe shprehën mirënjohjen e tyre ndaj kreut të shtetit shqiptar për nderimin dhe vlerësimin maksimal që ka shfaqur për bashkësinë e biznesit.

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›