E Shtunë, 31 Tetor 2026

PARA SE DITA...



Zimo KRUTAJ
PARA SE DITA...

Kundroj kurmin tënd të jargavantë
shtrirë vishkull mbi çarçafin blu:

Një rremb i kaltër në qafën e mermë
rreh me ritmin e orës në mur.

Ti qesh në gjumë, kumbon zëri yt -
jeh kitare në çeltirën e shtratit.

Befas psherëtin, fryma jote vesit
mollët e fjetura në gjirin e mëkatit.

Vallja e hijeve të mugëta ormis
viset e veskut veshtullor në zgjim.

Bëhem teh ëndrre, gjumin tënd e gris
para se dita të më ndajë nga ti.

DIKU NË JUG...

Diku në jug një fletë dere
qan mbi një sofa të gurtë. Aty
rri nëna, nëna ime, me sytë
tutje në udhëzën e ngushtë.

Është ora e nanuritjes: amëz
e butë si leshi në furkë. Ajo
nënëris me bijtë e ikur dhe
filli në drugë përsillet si fugë.

Si lot i verdhë shket në erë
një gjethe e tharë shege. Kumbi
i rreshkur shuhet mbi gurë
me dritë të lëmekur vjeshte.

Nëna palos vistra verdhane
fletësh në futën e zezë. Janë
letrat e mia të stinës miturake
zverdhur pa sosur në kujtesë.

Diku në jug një frymë ere
shtrohet si iso në buzë. Juga
e vakët më sjell mblatë zemre
me mirëz malli në muzg.

UJKU I MARSIT

Ulërima e uritur shqyen rropullitë e qiellit.

Si dhëmbë prerës skërmiten ca yj
të rrallë dhe Hëna e ngrënë si brinjë
kërme kërcëllin në fytin e bishës.

Ujera e kuqe në sy kalb kuisje
këlyshësh, sokëllima barinjsh dhe
vërrimën e fundit të ftujës me një bri,

që bënte laradashë mbi barin e ri.

ANË LUMI

Humbon hapi im në zall;
përhënet e dridhet si urë
e drunjtë varur mbi ujëra.

Gjuhët e gjeshtrës gjerbin
kokrra të kaltra kulumbrish
fshehur nën kurora kulprash.

Kërcejnë gjuhcat në gjire;
leskra drite lëvrijnë si peshq
të shpuar nga fuzhnja zhuke.

Shufra shelgjesh shtjellave
shndërrohen në shtërpinj
e mbysin floçkën e përrallës.

Ora e sillës: druvari njom latën
në pellg e kafshatën e ngjyen
në gjakun e gjelbër të ullinjve.

HARTË SHQIPËRIE

At -
Dheu im
s’ është dorë e shtrirë.

S’qenka as pëllëmbë e hapur
me Karaburunin – pulqer
zhytur deteve të njelmët,
dhe mollëzat e gishtave të tjerë
gjakosur Alpeve ndër kreshta legjendash.

Është shuplakë, shuplakë e Atit
flakëruar faqeve të Dheut,
rrasur fytyrës së bijve plangprishës.

Prandaj tukeqemi tash mijëra vjet:
na përvëlojnë tëmthat
e na terratisen sytë;

dhimbja buzën na i plas
e faji na lidhet
komb në
fyt.

KANALI I OTRANTOS

Këtu tmerri është zë njeriu.
Klithmë e ngjirur nga lotët dhe kripa.

Vdekja ka fytyrë të ujtë me flokë
të gjelbër algash e mijëra sy shkume
të trashë si pështymë gjarpri.

S’ka këngë sirenash as SOS as mors:
vetëm vaj të ikurish e gërnjë skafistësh;
shpresa shtërzon nën shpërgënj suvalash.

Deti i shqyer si nofull peshkaqeni
kafshon Karaburunin, vjell Sazanin
gëlltit ullinjtë e Tokës së Premtuar.

Më kot vaji i të ikurve i bie pash më pash
qiellit të zi dhe ferrit të kaltër:

shkopi i Moisiut është kalbur nga ujërat.

SHI VERE

Këlshejt kristali i thyem me krismë vetime.
Tanë shendi i qiejve kullon nga syt’ e shkruem.

Një klithm’ e kithët kcen si zanë mbi ujna.
Un’ dhe ti: frymë e marrun n’ strehë.

BUNKERËT

Murana moderne derdhur në beton
dhe hekur. Për të vdekur të gjallë
për të gjallët e vdekur.
Mbi ta rroposen qiej rrufe dhe erëra.
Nën ta toka shterpë sheh ëndrra të verbra.

METEOR

... shkarkim
i rrufeshëm sysh,
rrëzim i pafajshëm i një
rënkimi të beftë, prushitje
mollëzash, përndritje bebëzash,
një trazim gishtash, drithërues,
i fshehtë: dhe përfytyrimi im ndizet
e trupi digjet nga ethet e dëshirës...
...............................................................
...............................................................
... shkëmbim indiferent shikimesh,
regëtimë bebëzash, frymëmarrje
e qetë; një prekje gishtash
si lamtumirë, si ndjesë:
dhe përfytyrimi im
saora shuhet:
dëshira
ime
v
d
e
s
.

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›