Dasmorët e dehur rrahin mjekët e urgjencës në Korçë
Dhuna ndaj mjekëve dhe infermierëve nuk ka të ndalur. Rasti më i fundit ishte ai i mëngjesit të së hënës në Korçë kur bluzat e bardha u rrahën në spital nga një grup dasmorësh të dehur.
Ngjarja
Kanë qenë dy persona që kanë dhunuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm dy mjekë dhe tre infermierë të repartit të urgjencës në Spitalin Rajonal të Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30 (të së hënës) ku shtetasit Jorgo Binjaku dhe Gëzim Kristo, të cilët dyshohen se ishin të dehur kanë dhunuar fizikisht dy mjekët me inicialet D.R. 27 vjeç dhe F.M. 32 vjeç. Sipas policisë, autorët ishin kthyer nga një dasmë por për shkak të teprimit me pijen, kanë pasur probleme dhe për këtë i janë drejtuar spitalit për të marrë serum. Por pasi kishin mbërritur në urgjencën e spitalit me pretendimin se nuk po iu ofrohet shërbimi i nevojshëm ata janë konfliktuar me dy mjekët e urgjencës. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë shoqëruar 2 agresorët dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Protesta
Ndërkohë në shenjë proteste kundër dhunimit të mjekëve bluzat e bardha të këtij spitali kanë ndërprerë për 30 minuta punën. Ata kanë dënuar aktin e dhunës ndaj kolegëve të tyre duke u shprehur se mjekët u shërbyem si duhet dy autorëve por u goditën pa të drejtë nga ata. Mjekët e spitalit rajonal të Korçës e kanë cilësuar ngjarjen e fundit si mjaft të rëndë duke shtuar se bluzat e bardha ndihen të kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës. Ne kërkojmë ndërhyrjen e organeve kompetente për ngjarjen e rëndë, janë shprehur bluzat e bardha. Ndërkohë protestës së mjekëve të Spitalit rajonal të Korçës i është bashkuar edhe Urdhri i Infermierit.
Shkaqet
Reagimi i Urdhrit të Infermierëve ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër, duke kërkuar që të merren masa për mbrojtjen e mjekëve. Edhe më herët lidhur me ngjarje të tilla, duke dashur të gërmojë mbi shkaqet, ky institucion ka deklaruar më herët se kjo dhunë po gjenerohet edhe si pasojë e nxitjes së publikut me deklarata për korrupsion në shëndetësi edhe nga vetë politikanët. Megjithatë, dhuna ndaj mjekeve ka edhe faktorë të tjerë që lidhen që me funksionimin e sistemit e deri tek cilësia e shërbimit që marrin pacientët në spitalet shtetërore.
Denoncimet
Edhe vetë mjekët nuk përjashtojnë rastet e korrupsionit mes tyre, megjithatë ata kërkojnë që pacientët të mos bëjnë vetëgjyqësi, por të denoncojnë këdo që u kërkon ryshfet apo nuk iu jep shërbimin mjekësor. Nisur nga ngjarja e fundit ne po risjellin sot në gazetë, të gjitha ngjarjet e kësaj natyre ndër vite, si një formë apeli dhe sensibilizimi jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj institucioneve përgjegjëse që duhet të marrin masa për të ndalur dhunën ndaj mjekëve.
Reagon nëna e agresorit: Djali nuk ka faj
Nëna e Jorgo Binjakut, i ndaluar nga policia pasi akuzohet se ka dhunuar mjekët dhe infermierët e spitalit rajonal të Korçës, deklaroi dje në media se djali i saj është ndaluar pa të drejtë nga policia. Trëndeline Binjaku, akuzon bluzat e bardha se nuk i dhanë shërbimin e duhur djalit të saj ndaj dhe ai ka reaguar në mënyrë të dhunshme. Nëna e Jorgo Binjakut guxon edhe më tej duke e cilësuar të drejtë veprimin e djalit të saj, pasi sipas saj mjekët e lanë të shtrirë dhe nuk i dhanë shërbimin e duhur. Mjekët i goditën me të drejtë, pasi i lanë shtrirë në spital dhe nuk i prekën me dorë. Gjendja e tyre ishte e rëndë. I kërkoj policisë i ti liroj pasi janë të pafajshëm, shprehet e revoltuar nëna.
Rastet
Onkologjiku, rrihet roja i spitalit
Para Korçës, një tjetër tast dhune ndodhi pak javë më parë në ambientet e spitalit të Tiranës. Edhe pse shënjestra këtë herë nuk kanë qenë mjekët, sërish dhuna është ushtruar ndaj personelit të spitalit, ku familjarët e një pacienteje nga Fieri, kanë rrahur rojën e spitalit Onkologjik, për shkak të radhëve të gjata në spital.
QSUT, rrihet me karrige infermieri
Një ndër rastet e shumëpërfolur ishte ai i ndihmës-mjekut të QSUT-së Ruzhdi Merja, i cili u godit vitin e kaluar me karrige në kokë nga një pacient që nuk arriti të bënte thërrmimin e gurëve në veshka, nga mungesa e dritave. Infermieri në fjalë qëndroi për një kohë të gjatë në spital, pasi kishte pësuar dëmtime të rënda në trupin e tij.