Masakra në Vlorë, rrëfehet njëri nga autorët: Qëlluam se më ngacmuan motrën
Viktimat u vranë aksidentalisht, nuk kishin lidhje me konfliktin
Rreth 22 orë pas masakrës në plazhin e Vlorës, policia njoftoi se ka ndaluar një të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e trefishtë. Në përfundim të të gjithë dëshmive, rezultoi se shkak për konfliktin ka qenë një grindje banale e çastit pak minuta para se të ndodhte ngjarja e rëndë. Pesë të rinj nga Fieri kanë ngacmuar në grup, motrën e njërit prej të dyshuarve si autorë të vrasjes. Pasi motra e ka telefonuar vëllanë e vet, Leo Osmanin, për kanosjen e të rinjve, vëllai 19-vjeçar ka shkuar ta ndihmojë, por është bërë pre e dhunës së pesë të rinjve. Çka ka sjellë më pas masakrën
Rrëfimi
Pas ndalimit, Leo Osmani ka rrëfyer krimin e rëndë, ndërkohë që autorësinë ia la mikut të tij, Delin Hajdaraj, i cili qëlloi pasi ai i kërkoi ndihmë. Telefonova motrat e mia rreth orës 16:00. Kisha dy motrat në plazhin e quajtur Kalaja, njëra 23 vjeçe dhe tjetra 18 vjeçe. I çoja me makinë në mëngjes dhe i merrja pasdite. Të voglën, e cila është binjake me mua, e kanë ngacmuar disa djem fierakë. Me sa u informova më pas nga motrat, kanë qenë pesë djem që e kanë ngacmuar. Kanë nisur ti bëjnë komplimente dhe më pas i kanë kërkuar emrin që ta gjenin në rrjetin social Facebook dhe ti nisnin kërkesë miqësie. Ajo nuk ka pranuar dhe është ndier e bezdisur prej tyre. Kështu e ka nisur rrëfimin i riu, i cili sipas burimeve nga grupi i hetimit mban peshën kryesore të ngjarjes dhe akuzohet si autori kryesor i saj edhe për shkakun se ka qenë nxitësi i masakrës, duke i kërkuar shokut të tij të qëllojë me armë ndaj të rinjve. Kur arrita te plazhi, u ndala me makinë në rrugë dhe i telefonova motrës që të ngjisnin shkallët, pasi po i prisja për ti marrë e çuar në shtëpi. Por ajo më kërkoi që të zbrisja poshtë, pasi disa çuna fierakë po e ngacmonin. Zbrita poshtë mjaft i irrituar dhe, pasi motra më bëri shenjë se ku ishin djemtë, u nisa dhe u përlesha me ta. Telefonova edhe Delinin, i cili ishte bashkë me mua, por me një tjetër makinë në rrugë që po më priste. I thashë të merrte armën dhe të zbriste. Ai erdhi menjëherë. U largova pak nga vendi dhe i tregova ku ishin ata. Por fierakët sapo panë që ai po nxirrte armën nga bluza, u fshehën në mes pushuesish. Dikush u hodh përtokë, dikush ia mbathi. Ata u shpërndanë. Ndërsa Delini, qëlloi drejt tyre. Nuk di se si plumbat përfunduan te viktimat e tjera”
Policia
Asnjëri prej viktimave nuk kishte njohje me njëri-tjetrin, shpjegoi policia, e cila garantoi se do ta zbardhë plotësisht ngjarjen, dhe se autorët do të dalin para drejtësisë. Falë një pune hetimore intensive, të mirëorganizuar dhe të pandërprerë është bërë e mundur që ditën e sotme mbas disa orësh nga ndodhja e ngjarjes të mund të identifikohet dhe arrestohet shtetasi: Leo Luan Osmeni, 18 vjeç, banues në Vlorë, person me precedent penal, si dhe po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Sqarojmë se, nga veprimet paraprake hetimore ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta midis autorit të dyshuar shtetasit, Leo Osmani dhe disa shtetasve nga qyteti i Fierit. Gjithashtu sqarojmë se nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera si këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e viktimave nga një grup ekspertësh mjekoligjorë, dhe gjithë veprimtarisë hetimore paraprake ka rezultuar se 2 prej viktimave shtetasit S. B., 17 vjeç dhe Sokol Isufaj, 34 vjeç, janë goditur nga plumba rikoshetë, si dhe asnjë prej 3 viktimave nuk ishin në konflikt me autorin dhe as kishin njohje me personat e tjerë të përfshirë në konflikt dhe se nuk kanë qenë objekt i sulmit kriminal- thuhet në deklaratën për shtyp të drejtuesve të Prokurorisë dhe Policisë së Vlorës. Mësohet se grupi hetimor ka siguruar provat të pakundërshtueshme shkencore në lidhje me autorësinë e këtij krimi, prova të cilat janë sekuestruar nga policia dhe janë të patjetërsueshme. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim dhe Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.