“Data 17 shkurt, po aq e rëndësishme sa 28 nëntori 1912”
Jozefina Topalli, përshëndet në ceremoninë e organizuar nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në Prishtinë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi dje se pavarësia e Kosovës, ishte fitorja e së drejtës kundër mizorisë. Në përshëndetjen e saj, gjatë ceremonisë së organizuar nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në Prishtinë, për 4 vjetorin e Pavarësisë, kryeparlamentarja shqiptare deklaroi se 17 shkurti i 2008-ës, është po aq i rëndësishëm sa 28 nëntori i 1912-ës, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë. “17 shkurti, është momenti i fitores së të drejtës mbi mizorinë, Padyshim, 17 shkurti i katër viteve më parë ishte një distancë e madhe kohore me 28 Nëntorin e 1912-ës, distancë e madhe në kohë, por me peshë po të njëjtë dhe një emocion të jashtëzakonshëm, por edhe një shpresë më të madhe”, tha kryetarja, Jozefina Topalli.
“Ne kemi gjithë emocionet, gëzimin e brendshëm të shpirtit, të zemrës që flet. Nuk ka moment më të bukur për ne shqiptarët. Natyrisht që liria nuk kërkon më sakrificat e luftës. Liria sot kërkon vetëm një gjë: Respektim të institucioneve. Të forcojmë institucionet tona. Sot, patriot i vërtetë është ai që respekton demokracinë, parimet e saj, vokacionin e shqiptarëve në Shqipëri dhe shqiptarëve në Kosovë. Shqiptarët, si ata të Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë të lirë, janë më optimistë se kurdoherë më parë. Ata shohin me pozitivitet të jashtëzakonshëm të ardhmen. Sigurisht, që në këtë 100 vjetor që festojmë dhe në këtë katër vjetor të Pavarësisë së Kosovës, ne shqiptarët reflektojmë, cila ka qenë historia e jonë. Është momenti në të cilin ne kujtojmë nga Skënderbeu të Ismail Qemali, te Ibrahim Rugova e Adem Jashari. Sot, ne nderojmë legjendën e procesit politik, që çoi drejt pavarësisë së Kosovës, Rugovën, por sot ne nderojmë dëshmorët e luftës dhe liderët që e bënë të mundur këtë moment historik”, deklaroi Topalli.
Më tej, kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj vlerësoi gjithashtu mbështetjen e jashtëzakonshme të SHBA-ve dhe miqve ndërkombëtar. Pas ceremonisë së organizuar nga Presidentja Jahjaga, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi shtroi një darkë për nder të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në këtë ceremoni, morën pjesë personalitetet më të larta të Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë e deputetë të Kosovës, nënshkrues të Aktit të Pavarësisë, përfaqësuesi Ndërkombëtar, Pieter Feith, përfaqësues të Trupit Diplomatik, etj.