Gripi, vendi rrezikohet nga epidemia
Gripi pandemik H1N1 dhe ai sezonal po vazhdojnë të përhapen duke fituar terren në gjithë vendin. Vetëm gjatë një jave specialistët e shëndetit publik bëjnë të ditur se 11 mijë persona janë prekur nga gripi vetëm gjatë javës së shkuar. Sipas tyre, epidemia gripale nuk është shumë larg, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë shenjat, por të kurohen në kohë.
Situata
Shenjat që paraqesin dy viruset, janë të ngjashme dhe klasifikimi mund të bëhet vetëm në laborator. Specialistët këshillojnë që mjekët të marrin të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të përdorin tamiflunë në të gjitha rastet e kërkuara.
“Kemi një vaksinë në treg që duhet të shfrytëzohet. Mjekët duhet të marrin masa që fillimisht të mbrojnë veten e tyre”, - u shpreh Dritan Ulqinaku në departamentin e Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik. Virusi i gripit të derrit ka prekur kryesisht moshat aktive, ndërsa gripi sezonal prek moshat pediatrike dhe të moshuarit. Ulja e temperaturave ka sjellë një rritje të numrit të të sëmurëve dhe specialistët e kanë të vështirë të bëjnë një klasifikim të shpejtë mes të prekurve nga virusi AH1N1 dhe gripit sezonal.
Gripi
Për të gjithë personat e dyshuar si mbartës të H1N1 tanimë mund të analizohen më shpejt. Me hapjen e laboratorit të ri virolog në ISHP Tiranë, mostrat analizohen brenda ditës dhe përgjigjja merret vetëm brenda pak orësh. Nga ana tjetër, mjekët thonë se nuk duhet lënë pas dore as gripi sezonal. Sipas tyre, koha më e përshtatshme për të bërë vaksinën e gripit sezonal është brenda muajit dhjetor.
Mjekët theksojnë se gripi sezonal nuk duhet nënvleftësuar, pasi edhe një grip normal mund të ketë pasoja të rënda në shëndet. Vaksina kundër gripit sezonal ka filluar të shpërndahet që në fund të muajit shtator në të gjitha farmacitë e vendit, ndërkohë specialistët nga Instituti i Shëndetit Publik rekomandojnë që kjo vaksinë të bëhet brenda muajit dhjetor, pasi duhet që trupi të krijojë mbrojtje nga virozat dimërore, që pritet të qarkullojnë. Ndonëse ISHP ka përcaktuar kategoritë parësore për të bërë vaksinën falas, specialistët thonë se kjo vaksinë tregtohet në farmaci dhe është e këshillueshme të bëhet nga të gjithë.