E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Regjistrimi i të dhënave, drejt standardeve të BE-së



Të gjitha projektet që po zbaton INSTAT në bashkëpunim me institucione të huaja, synojnë që regjistrimi i të dhënave të arrijë standardet e BE-së. Ky ka qenë konkluzioni i raportimit të drejtuesve të INSTAT-it në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, mbi mënyrën e regjistrimit të të dhënave. Por një problem që ata ngritën në këtë takim ishte pengesa që hasnin në regjistrimin e bizneseve, pasi ato refuzojnë të japin të dhëna. INSTAT bëri të ditur se rreth 70% e bizneseve në Shqipëri, refuzojnë t’i japin informacion Institutit të Statistikave për aktivitetin e tyre privat. Të dhëna këto, të domosdoshme për hartimin e regjistrit të ndërmarrjeve. Drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, bëri të ditur para deputetëve se për INSTAT një punë e rëndësishme është botimi i statistikave çdo 3 muaj, nga anketimi i nivelit të jetesës në vend, regjistrimi i biznesit, apo të dhënat për prodhimin e brendshëm bruto. Drejtore e INSTAT, Ines Nurja, vuri theksin në kompjuterizimin dhe shkallën e saktësisë që ky institucion synon në të dhënat pranë ndërmarrjeve dhe projektin e nisur tashmë të CARDS të BE-së, për regjistrimin e popullsisë, i cili përfundon në vitin 2011. Nurja tha se projekti për regjistrimin e popullsisë synon ngritjen e strukturave rajonale, pasi rajonet janë ato që mbledhin të dhëna të sakta. Ekspertët e INSTAT-it bënë të ditur se në vitin 2008 është bërë e mundur të përmirësohet metodologjia e zbatimit të vrojtimit 3-mujor pranë ndërmarrjeve, dhe se ky është proces në vazhdimësi deri në përputhje të plotë me standardet e BE-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›